Nga: Luljeta Progni
Ishte e paimagjinueshme për drejtuesit socialistë të vitit 2005, që një ditë do të ishin disa pikë poshtë Erion Veliajt në listën e kryesisë së PS-së. Ka nga ata, që janë jashtë kësaj liste dhe dikur s’e shihnin si kërcënim Erioni Veliajn. Ata që kanë ndjekur zhvillimet brenda PS-së, e mbajnë mend reagimin e drejtuesve socialistë të asaj kohe, kur Mjaft-i i drejtuar nga Veliaj, filloi të zgjeronte territorin politik brenda oborrit të Partisë Socialiste.
Prurjet e reja në PS pas vitit 2005 kanë qënë gjithnjë problem mes Ramës e drejtuesve socialistëve, të cilët kishin ngjitur shkallët e karrierës bazuar në merita. Në PS-në e drejtuar nga Edi Rama nisën shpejt të katapultohen njerëz në forumet e larta drejtuese, të paangazhuar më parë në këtë parti. Kjo metodë e aplikuar nga Rama ka ndeshur shpesh në reagimet e forumeve. Jo se ata ishin shprehur kundër qarkullimit të elitave, por se kishin të gjithë të drejtën e tyre të kërkojnë të njëjtat përpjekje nga të rinjtë për ta merituar zgjedhjen në forumet drejtuese të kësaj partie. Në të vërtetë me shumë prej tyre nuk ka ndodhur, ata e kanë gjetur shpejt rrugën drejt e në forumet me të larta drejtuese të partisë. Kryesia e re e Partisë Sociaiste ka mjaft prej tyre.
Prurjet e para në PS nga Rama, pa asnjë lidhje me PS-në, tashmë janë kthyer në njerëz me përvojë në këtë parti. Nuk adresohen më kritikat drejt tyre. Një tjëtër brez është shfaqur së fundmi me pretendime të ekzagjeruara për karrierë në PS dhe në fakt e kanë gjetur rrugën.
Të hershmit janë mësuar me Erion Veliajn dhe ky i fundit me ta. Një ditë mund ta kenë edhe kryetar pse jo? Erion Veliaj është i treti në listën e anëtarëve të kryesisë më të votuar në PS. Dy të parët janë honorifik, më shumë se sa rivalë të Erion Veliaj apo edhe Saimir Tahirit, që për koiçidencë janë pranë e pranë në renditjen e votave të anëtarëve të kryesisë.
Kritikat apo reagimet refuzuese i adresohen një tjetër brezi që nuk dihet nga vijnë e ç’kontribute kanë jo vetë në PS-së, por edhe në jetën publike në përgjithësi. Nëse një ditë Rama e lë postin e kryetarit, zor se gjen mes socialistëve të hershëm ambicje për të garuar për këtë post. I fundit që e shfaqi këtë ishte Ben Blushi, i cili me ç’duket do të jetë shpejt jashtë kësaj partie. Sfida për këtë post mund të jetë mes Tahirit e Veliaj, kështu thonë në mesoret e PS-së. Madje, thonë se ka edhe një garë të heshtur mes tyre.
Por si erdhi PS deri në këtë fazë? Partia Socialiste është organizata politike me zhvillimet më dinamike në Shqipëri në këto 26 vite të plualizmit. Ndryshe nga partitë e tjera parlamentare, PS-ja pati sfidë të saj shkëputjen nga e kaluara. Trashëgoi nga e shkuara gjithë peshën e krimeve të komunizimit. Për rreth pesë apo gjashtë vite, PS ndryshoi imazhin megjithë problemet që e shoqëruan në organizimin e brendshëm të saj. Për 15 vite kjo parti e drejtuar nga Fatos Nano nga një organizatë me pushtet të përqendruar tek udhëheqësi, arriti të decentralizojë deri diku pushtetin duke u kthyer në partinë më demokratike në Shqipëri. Fatos Nano mblodhi rreth PS-së intelektualë të fushave të ndryshme, të paangazhuar më parë në parti, të mirëarsimuar dhe emra të spikatur në fusha të ndryshme, edhe pse kishin qenë të përkëdhelurit e sistemit komunist.
Sidoqoftë ishin intelektualë dhe për PS-në kjo ishte një zhvillim shumë i rëndësishëm. Fatos Nano iu dha të gjithë hapësirën e mundëshme duke i zgjedhur në strukturat më të larta të partisë dhe më pas në qeverisjen e PS-së. Kështu u formua kjo elitë politike që ia doli të zbehë imazhin e errët të PPSH-së.
Ndërsa PS demokratizohej për aq sa mund të kryhet ky proces në Shqipëri, Partia Demokratike mbyllej. PD u drejtua për 23 vite nga Sali Berisha. Një lider autoritar që la pak hapësira për mendimin ndyshe në këtë parti. Janë të pakta rastet, kur dikush brenda PD-së mundi të shprehë qëndrimet kundër liderit për sa kohe ishte brenda forumeve të kësaj partie.
E kundërta ka ndodhur në PS për 15 vitet e para. Kjo parti ka një histori të gjatë të debatit të brendshëm, ku janë shfaqur shumë grupe kundërshtare, por që jo gjithmonë ka pasur ndëshkime për ta. Kundërshtari më i fortë i Fatos Nanos në Partinë Socilaiste ishte Ilir Meta.
Megjithë problemet që patën sidomos në tetë vitet e qeverisjes, ata mundën të bashkëjetonin brenda kësaj force politike, duke i dhënë hapësirë pushteti njëri-tjetrit. Duhet theksuar se fenomene mjaft negative e shoqëruar qeverisjen e tyre ku lulëzoi korrupsioni. Por, sidoqoftë autoritarizimi në këtë parti nuk u kthye për sa kohë drejtohej nga Fatos Nano.
Kur PS i humbi zgjedhjet e 3 korrikut 2005, Fatos Nano dha dorëheqje, sepse kjo ishte pikë e statutit të partisë, e propozuar nga Edi Rama. Ky i fundit e pasoi Nanon në këtë post, por e drejtoi PS-në në një metodë krejt tjetër, shumë të ngjashme me atë të drejtimit të PD-së nga Berisha.
Për Ramën debati i brendshëm në PS ishte veçse telenovelë, pa lidhje me demokracinë. Ka “legjenda urbane”, sipas të cilave Rama u betua se do ta kthente PS-në në një parti të mbyllur si ajo e Berishës. Mbyllja e PS-së ndodhi, pavarësisht nëse Rama e bëri apo jo atë betim. Sot PS është mjaft e ngjashme me PD-në e drejtuar nga Berisha. Elita politike që i njihet merita e transformimit të PPSH-së në PS, është thuajse e gjitha jashtë PS-së. U larguan njëri pas tjetrit përmes furtunash që Edi Rama kishte planifikuar të pastronte partinë prej tyre. Të gjithë ata që kanë guxuar të kundërshtojnë Ramën, sot janë jashtë PS-së. Rexhep Mediani, Servet Pëllumbi, Kastriot Islami, Namik Dokle, Ethem Ruka, Shkelqim Cani, Ylli Bufi, Ermelinda Meksi, Ilir Zela, Limos Dizdari, Musa Ulqini, Luan Hajdaraga, Arben Malaj, Maqo Lakrori, Spartak Poçi, Petro Koçi, Taulant Dedja, Majlinda Keta, Arta Dade e të tjerë ishin pjesë e elitës politike të PS-së në 15 vitet e para.
Por cilat janë ata që zëvëndësuan elitën që reformoi PPSH dhe bëri një parti aq demokratike sa mund të quhej PS? Erion Veliaj, Elisa Spiropali, Vangjush Dako, Lindita Nikolla, Evis Kushi, Olta Xhaçka, Blerina Gjylameti, Ilir Beqaj, Koço Kokëdhima, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Taulant Balla e të tjerë. Shumë prej tyre ose ata që janë sot në pozicione kyçe në strukturat drejtuese të PS-së vijnë nga “Mjaft” a G99.
Në kryesinë e PS-së vazhdojnë të qëndrojnë (më tepër si garniturë e Ramës), Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj, Erjon Braçe, Valentina Leskaj, Bashkim Fino, Musa Ulqini e ndokush tjetër. Ata kanë dhënë më shumë se një provë që nuk do ta kundërshtojnë Ramën në asnjë vendimarmarrje të tij qoftë në parti, qoftë në qeveri, sado e çmendur të jetë ajo.
Ata kanë pranuar të drejtohen nga një pakicë, e cila kur u provua në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, mori vetëm 0.86% të votave. Kur konkuruan pak vite më parë nën siglën G99, morën saktësisht 12. 989 vota ose 0.86%, megjithëse ishin në koalicion me PS-në. Por, ata janë sot drejtues të PS-së në pozicionet kyçe të kësaj partie por edhe në qeveri.
Pra, Partia Socialiste kaloi në tri faza, Elita që trashëgoi nga PPSH, 1991-1992, Elita që transformoi PPSH në PS 1993-2005, Elita e Edi Ramës. Është hibride kjo e fundit, sepse sot PS drejtohet nga modeli i trashëguar nga PPSH, Gramoz Ruçi, i vetmi që i shpëtoi furtunës së ndryshimeve në këtë parti në vitet e para të transformimit të saj. Këtij modeli i bashkohen edhe djemtë e vajzat e suksesshme të OJF-ve që bënë histori në aksione qytetare të orientuara nga kryetari aktual i PS-së, Edi Rama, i cili sot i ka të gjithë rreth vetes në krye të Partisë Socilaiste. Modeli hibrid i Ramës, përbëhet nga ish-komunistë, bij ish-anëtarësh të Byrosë e KQ të PPSH-së dhe OJF-istë.