Nga Spartak Ngjela
Ku është nisur të shkojë Shqipëria dhe çfarë po bën korrupsioni shtetëror shqiptar sot për të shpëtuar kokën dhe paratë?
Shqipëria është nisur të shkojë drejt një progresi perëndimor; kurse korrupsioni është bashkuar që ta ndalojë. Dhe sërish, si gjithmonë, edhe sot i është drejtuar fqinjëve që kanë pushtuar territore të tëra shqiptare, për ta ndihmuar që të krijojë pështjellim destabilizues në Shqipëri.
l.
Janë katër shtete që, pa territoret shqiptare, do të ishin sot vetëm “shprehje gjeografike”: Mali i Zi, Maqedonia, Greqia dhe madje edhe vetë Serbia.
Të katër këta shtete kanë njëqind e pesëdhjetë vjet që ëndërrojnë shkatërrimin dhe shuarjen e Shqipërisë, sidomos pas pavarësisë së saj, sepse mbijetesa e tyre mund të ndodhte në Ballkanin Perëndimor vetëm pas shfarosjes së shqiptarëve.
Këta sllavë dhe grekë, e dinë miopinë europiane, dhe i kanë quajtur shqiptarët “turq që duhen shfarosur”; dhe shumë kanë vrarë me këtë devizë; por Shqipërisë i morën të keqen. Ku ka turq në Shqipëri mor injorantë e maskarenj njëherësh!
Dhe duhet ta themi hapur se një ndihmë të madhe në këtë shpresë të kotë që kanë pasur, “strategëve” të tyre kryeministra, ua kanë dhënë gjithmonë vetë krerët e blerë të Shqipërisë; bëma këto që tani dihen mirë nga shqiptarët.
Blejini! Këlthiste në Beograd kryeministri i Serbisë Pashiç; dhe gjithë të tjerët pas tij, duke përfshirë edhe Milosheviçin.
Po kjo po ndodh edhe sot.
Ja, Shqipëria është nisur drejt Perëndimit kurse korrupsioni kryeministror shqiptar, i ri dhe i vjetër, është hedhur në sulm që ta ndalojë: njëlloj si qëmoti.
Shihni se çfarë po ndodh realisht.
Berisha me taborin e tij; kërkon të ndezë një kryengritje si trazirë të brendshme; që të dëbojë nga Shqipëria prezencën amerikane, njëlloj si Haxhi Qamili dhe Esat Toptani në vitin 1914, kur zbuan nga Shqipëria Princ Vidin.
Kjo kërkon të jetë edhe revolta e 27 janarit. Me të cilën shqiptarët po qeshin.
Kurse kryeministri Rama inaguron varrezat e trupave pushtuese greke të Metaksait, diktatorit antishqiptar grek, që drejtonte trupat e tij në territorin shqiptar me theksin që: Synimi i tyre nuk duhej të ishte lufta me italianët, “por çlirimi i Vorioepirit”: “Atje duhet të çlironi Vorio-Epirin”- iu drejtohej trupave të tij, rreth 140 000, gjenerali grek Aleksandro Palagos. Ndërsa në Korçë vendosën minoritarët grekë të drejtonin bashkinë e Korçës, dhe nuk lejuan të festohej dita e pavarësisë, 28 nëntori, në vitin 1940. Por korçarët iu vunë pushkën; edhe gjirokastritët edhe e gjithë labëria po ashtu. Ata kishin harruar se në atë trevë që ata donin ta pushtonin si tokë grekë, jetonin ata që kishin sjellë në Shqipëri nacionalizmin modern shqiptar.
Po i di Rama këto?
Nëse nuk i di, pse është marrë dhe po merret me politikë ky pellë që nuk di asgjë! Por në fakt ky, nuk se njeh politikën, por ushqen oreksin e reaksionit grek, që, bashkë, të ndalojnë Reformën Shqiptare për Drejtësi, dhe rrugën e Shqipërisë drejt bashkimit kombëtar e drejt Perëndimit.
lll
Ja, kjo është ndërmarrja e tyre sot për të ndaluar progresin e aleancës shqiptaro-amerikane në ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. E pra, njëlloj si Haxhi Qamili me Esat Pashë Toptani në vitin 1914 kundër Princ Vidit.
Saliu, me shpresën e agjenturës serbë dhe ruse në Shqipëri, dhe Rama me joshjen e politikës reaksionare greke, kërkojnë të sjellin trazira antiametikane në Shqipëri.
Po politika amerikane pasive është?
Jo, përkundrazi, ajo është shumë aktive, dhe e ka gjëndjen në dorë. Prandaj shqiptarët janë të qetë.
Para katër ditësh, ishte ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, që i paralajmëroi rreptë krerët e opozitës duke iu thënë se: “Departamenti i Shtetit Amerikan, ju bën me dije se – nëse do të silleni me protestën tuaj të 27 janarit si në atë të dhjetorit; ne si Amerikë do t’iu godasim shumë rëndë “.
Ku e gjen që ta kalojnë masën e të shpëtojnë një herë e mirë shqiptarët nga këta vjedhës që duan të shkatërrojnë Shqipërinë për të shpëtuar paratë e tyre të vjedha!
Janë të humbur. Tani ka rënë gongu i sinjalizimit të fundit të tyre. Shqipëria është në progres perëndimor dhe brenda ombrellës mbrojtëse të Uashingtonit.