Nga Luljeta Progni
Media plotëson dëshirat tona për informim, për të jetuar në një botë reale apo imagjinare, për të vepruar në mënyrë personale apo sociale, për të gjykuar politikat globale e rajonale dhe konfliktet e ditës. Për botën, në të cilën jetojmë ne sot, kanë ndikuar një numër i pafund faktorësh, që nga luftërat, revolucionet në fusha të ndryshme e ndodhitë natyrore, por është media ajo që na sjell faktet në rutinën tonë të përditshme, duke ndryshuar edhe vetë mënyrën tonë të të jetuarit. Dhe si e tillë, media është faktori kryesor që ndikon drejtpërdrejtë në shoqërinë tonë, sido qoftë ajo; e organizuar si një shoqëri e hapur dhe demokratike, apo një shoqëri e kufizuar nën një shtet totalitar.
Vetë media ka ndryshuar shpesh, nga një strategji tek tjetra, duke ndjekur hapat e ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe sjelljen e individit e shoqërisë nga epoka në epokë. Në fillim gazetat e shtypura, pastaj radio, televizioni, faqet e internetit, blogjet, mediat sociale, aplikacionet… Shpesh dëgjojmë terma si “media e vjetër ose tradicionale” dhe “media e re”, duke ia atribuar ndryshimet e saj pikërisht mediumeve të reja që përmirësohen, ose zëvendësohen dita-ditës. Shumë studime përpiqen të na japin një panoramë sa më të saktë për gjithçka që po ndodh në mjedisin e medias. A ka vdekur shtypi? A po rikthehet televizioni më fuqishëm? A është më i lexueshëm një blog se një faqe në rrjetet sociale? A ka më tepër interes një faqe interneti se një aplikacion? Dhe statistikat herë përputhen, e herë janë fare të papajtueshme, sepse ndryshimi i medias duhet gjykuar në mjedisin e vet. Edhe pse sot për sot media mund të konsiderohet pa kufij natyralë, mediumet dhe shndërrimet e saj në vende të ndryshme, janë gjithashtu të ndryshme.
Ndërkohë që në vendet perëndimore të gjitha mediumet po kalojnë në fazën e dixhitalizimit, qofshin këto gazeta e revista që janë shtypur para një shekulli, apo televizione e radio, në Shqipëri ky proces është më i ngadaltë, ose disi më ndryshe. Ndërsa në vendet perëndimore grupet e përdoruesve të mediave sociale identifikohen sipas profilit apo profesionit të tyre, për shembull Pinterest ka më tepër përdorues femra, Instagram më tepër adoleshentë dhe persona të famshëm, Snapchat të rinj, Linked ln punëdhënës dhe punëmarrës, Twitter informacion të shpejtë në kohë reale, e kështu me rradhë. Në Shqipëri nuk ekzistojnë grupe të profilizuara dhe rreth 90 % e aktivitetit në mediat sociale i takon vetëm facebook, i ndjekur nga Instagram dhe Snapchat, por shumë më pak përdoret Twitter, ose Pinterest. Megjithëse me një përdorim të internetit pothuajse si në vendet perëndimore, shqiptarët kanë veçori në përdorimin e medias sociale. Përsa i takon medias tradicionale, ndryshimi kryesor duket tek mungesa e abonimeve, ndërsa pjesa më e brishtë e saj, media e shkruar, pothuajse është braktisur.
Transformimi nga media e vjetër në median e re, ka veçoritë e veta po ta krahasojmë rastin e Shqipërisë me atë të vendeve perëndimore. Një nga arsyet mund të jetë tekologjia, por duhet të tregojmë pa kompromis edhe disa nga arsyet që përbëjnë këto veçori:
- Në vendet perëndimore asnjë gazetë nuk hapet me kryetituj si: “Ja kategoria e pensionistëve që përfitojnë rritje pensioni”, “Lista e të shpronësuarve nga zgjatimi i Bulevardit”, “Ja si i tha Mehmet Shehu, Kadri Azbiut në mbledhjen e plenumit” e të tjerë.
- Në vendet perëndimore asnjë media nuk publikon ose transmeton reklama nga Ministria e Mbrojtjes, e Mjedisit, apo njoftim për një vend pune në Bashki në një faqe të plotë gazete me ngjyra.
- Në vendet perëndimore asnjë media nuk i lë hapësirë 70 % të edicionit të lajmeve, apo 5 faqet e para të gazetës kryeministrit dhe ministrave të qeverisë.
- Në vendet perëndimore nuk ka media që pranon të mos shkruajë (të bëjë autocensurë) në shkëmbim të favoreve që i bëhen pronarit të saj.
- Në vendet perëndimore politikanët nuk merren me listën e lajmeve, emërimet e gazetarëve, ose rrogat e tyre.
Këto arsye sollën reagimin e audiencës, e cila si në çdo vend të botës ka tendencë të kërkojë vazhdimisht rrugë për të dalë nga vorbulla ku e kanë futur, për të kërkuar të çara nga një sistem që nuk e ka pranuar, por është gjendur aty e mbërthyer pa e kuptuar. Dhe në këtë rast teknologjia e ka ndihmuar. Ndryshe nga vendet perëndimore ku një media tradicionale transformohet, sepse kupton tendencën e ndërveprimit të audiencës, jo për arsye përmbajtje, por infrastrukture, në Shqipëri teknologjia është konsideruar nga audienca si një komardare shpëtimi për të marrë informacion të vërtetë. Të paktën në këndvështrimin e parë duket kështu.
Trysnia që ushtroi vazhdimisht politika mbi median gjatë viteve të para të tranzicionit i detyroi pronarët e tyre, që të mos vlerësojnë kërkesat e audiencës dhe profesionalizmin, por ato të njerëzve të pushtetshëm. Nga ky nënshtrim, u krijuan grupe të mëdha mediatike që për të mbrojtur interesat e tyre zgjodhën të viheshin nën shërbimin e politikës dhe njerëzve të pushtetshëm. Duke i shpërblyer këto media me para nga fondet publike të qytetarëve, politika hyri në një treg ku mbivlerësoi hapësirën e reklamave dhe krijoi një inflacion, që ishte shumë i dëmshëm për biznesin dhe median. Shkatërrimi i një mjedisi konkurues për median në vazhdim, e bëri më të lehtë ndërhyrjen e politikës në fushën e medias dhe kjo solli indirekt edhe në braktisjen e audiencës. Grafiku i teleshikuesve dhe lexuesve të mediave të vjetra është aktualisht një rënie të rrufeshme, që duket se nuk do të ndryshojë kah, ndërsa e gjitha kjo shkon në përpjesëtim të drejtë edhe me interesin e klasës politike, që dalëngadalë e ka kuptuar se investimi në median tradicionale është zhvlerësuar.
Si rezultat i krijimit të këtij mjedisi të ri për median në Shqipëri, vihet re një lulëzim për mediat e reja. Vetëm në dy vitet e fundit numri i fansave të nje prej faqeve më të njohura në facebook është rritur me një milion, ndërsa muajin e fundit me 44 mijë, që në fakt konsiderohen si lexues të abonuar shumë aktivë, ndryshe nga lexuesit pasivë të një media të vjetër. Një postim i zakonshëm në këtë faqe arrin të lexohet mbi 300 mijë herë brenda një ore, fiton më tepër se 2 500 vlerësime (like) dhe shpërndahet 120 herë. Këtë përhapje informacioni (përfshirë shkrime, foto dhe video), do ta kishin zili edhe televizionet kombëtare, që padyshim nuk mund ta arrijnë këtë impakt tek audienca as në spektaklin e tyre më të ndjekur.
Edhe mediat tradicionale kanë krijuar faqet e tyre në rrjetet sociale, por pavarësisht numrit të madh të fansave, që duket se kanë ardhur nga reklamat e paguara për facebook, nuk janë fare aktive. Dhe sigurisht arsyeja kryesore është përmbajtja. Audienca nuk mund të vazhdojë të ndjekë propagandën e lodhshme të politikanëve, edhe sikur lajmi t’ju serviret pa gabime ortografike, sipas rregullave bazë të gazetarisë, nga spikere simpatike dhe ekranë që kushtojnë mijëra euro. Audienca reagon shpejt dhe në mënyrë të pamëshirshme, sepse kur dikujt i kërkojnë para në spital për shërbimin, nuk ke se si t’i mbushësh mendjen, që mjeksia është falas.
Shpesh edhe vetë media tradicionale e shfrytëzon si burim median sociale, por sipas një filtri propagandistik duke mos arritur të krijojë tërheqje të audiencës. Rutina e përditshme e qeverisë, konferencat e shtypit dhe kopjimet lart e poshtë janë shumë larg informacionit që duhet të përcjellë media. Misioni i medias tradicionale është unik dhe i pazëvendësueshëm nga media sociale, por audienca sheh shumë pak investigim për të mos thënë fare, shumë pak raportim nga terreni, dhe asnjë problematikë. Kjo është ajo që e ka detyruar atë të zgjedhë burime të tjera informacioni, ndonëse më të pakuruara, por më të nevojshme dhe më të vërteta.
Nën peshën e censurës së njerëzve me pushtet, media tradicionale i largoi lexuesit dhe shikuesit, duke i fyer dhe nëpërkëmbur nëpërmjet informacionit që transmeton, ndërsa mediat sociale përkundrazi janë pjesë e tyre, janë vetë ata. Secili mund të bëhet edhe reporter, edhe kontribues, edhe sipërmarrës, edhe lexues. Dhe kjo ndodh pa asnjë censurë e në kohë rekord. Përgjegjshmëria për vërtetësinë në mediat sociale është më e madhe, sepse në kohë reale merr vlerësim nga lexuesit interaktivë nëpërmjet komenteve dhe vlerësimeve, kurse për mediat tradicionale kjo njësi matëse nuk ekziston. Llogaridhënia tek mediat sociale është e drejtpërdrejtë para lexuesve, ndërsa gazetarët fillimisht duhet të pyesin shefin, ky i fundit kryeredaktorin, ky i fundit pronarin, ky i fundit ministrin, ky i fundit Ministrinë e Propagandës…
Deri tani, në Shqipëri media sociale nuk e ka treguar fuqinë e vet, konkretisht me ndonjë sipëmarrje për lëvizje a protesta, por kapaciteti i saj po rritet mjaftueshëm për të krijuar çfarëdo lloj lëvizje, jo vetëm online, por edhe reale (offline). Si në të gjitha vendet e tjera, herët a vonë edhe në Shqipëri media sociale do të ndihmojë për organizimin e lëvizjeve kundër qeveritarëve të korruptuar, ashtu siç ndodhi në Greqi, Spanjë apo Itali, ku lëvizje sociale arritën të organizohen duke ndryshuar traditën e votimit për të sjellë në qeverisje ide të reja. Nëse media e re edhe në Shqipëri do të arrijë të mbetet e shkëputur prej varësisë nga politika dhe njerëzit e pushtetshëm, do të ketë mundësinë të ndërmarrë misione për të ndërtuar një shoqëri vërtet demokratike, ashtu siç është vetë media sociale.