Një pikë shumë e rëndësishme e draftit të qeverisë për Byronë Kombëtare të Hetimit është ajo e kritereve që duhet të plotësojë drejtuesi i këtij institucioni.
Sipas draftit të qeverisë ai duhet të jetë nga rradhët e Policisë së Shtetit, çka nënkupton se Byroja Kombëtare e Hetimit do të krijojë një varësi “de facto” nga qeveria.
Duke u nisur nga ky kushtëzim, hetimi për korrupsionin në nivelet e larta të politikës dhe krerëve të institucioneve me shumë gjasa do të kompromentohet siç ka ndodhur këto 25 vjet dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë thjesht një institucion më tepër, që do t’i rëndohet buxhetit të shtetit.
Edhe versioni i opozitës që Byroja Kombëtare e Hetimit të varet nga Prokuroria ngre gjithashtu dyshimet e veta. Prokuroria ka treguar se është e pafuqishme të çojë në bankën e të akuzuarve politikanë apo sipërmarrës të lidhur me politikën të përfshirë në afera korruptive. Edhe në ato pak raste kur Prokuroria ka tentuar të bëjë diçka, siç ishte rasti i arrestimit të guvernatorit Fullani, u mposht nga sistemi gjyqësor, duke lënë të kuptohet se zbardhja e dosjeve të korrupsionit është e pamundur. Kryeprokurori Llalla, apo të tjerët para tij, veçse “kanë fjetur mbi dosjet e korrupsionit”.
Jo se kanë munguar akuzat për korrupsion, ka pasur shumë të tilla për kryeministra e ministra, e deri në nivelet më të ulëta, por pa asnjë rezultat. Me të drejtë gjithkush do të ishte skeptik për rezultatet e ardhshme të BKH, nëse varej nga Prokuroria.
Përse politika shqiptare heziton të marrë përvojën e Kroacisë ku Këshilli Nacional kundër Korrupsionit, një strukturë e ngritur posaçërisht për luftën kundër korrupsionit, kreu një proces pastrimi të politikës dhe administratës dhe u pranua menjëherë në Bashkimin Europian. Në Kroaci u arrestusa ish-Kryeministri Ivo Sanader si dhe ministra e funksionarë të tjerë, por Këshilli Nacional kundër Korrupsionit nuk varej nga Policia e Shtetit, as nga Prokuroria e as nga ndonjë organ tjetër ku drejtuesit emëroheshin nga partitë politike.
Këshilli udhëhiqet nga pjestarë të shoqërisë civile të ardhur nga Transparence International, nga media, e pjesë të tjera të shoqërisë civile. Pjesë e strukturës është prokuroria dhe pjestarë nga i gjithë sistemi i drejtësisë, të cilët janë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit.
Në Kroaci, një ndër njerëzit që ka fituar më shumë popullaritet në kontributin për luftën kundër korruspionit, është gazetari Domagoj Margetiç apo edhe ish-kreu i Transparence International, Zorislav Antun Petroviç dhe të tjerë pjestarë të Këshillit Nacional kundër korrupsionit apo strukturës tjetër USKOK, Zyra e Avokatisë Publike për luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.
Me sa duket politika shqiptare i trembet një skenari të tillë si ai i Kroacisë dhe pikërisht faktit, se një institucion i posaçëm si në Kroaci do të çonte para hekurave shumë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar dhe ish-zyrtarë të lartë gjithashtu.
Si gjithmonë palët në politikën shqiptare e gjejnë gjuhën e përbashkët për të mos e kryer kurrë të plotë reformën e përfolur në drejtësi. Është pak a shumë e njëjta situatë si me ligjin e dekriminalizimit, nga i cili janë përjashtuar nga hetimi zyrtarët më të lartë, atje ku pikërisht e ka origjinën korrupsioni.
Nëse Byroja Kombëtare e Hetimit nuk do të jetë një institucion tërësisht i pavarur nga politika, ka shumë pak gjasa të arrijë rezultatet që presin shqiptarët në betejen më korrupsionin.
Policia e Shtetit është natyrshëm në varësi të Ministrisë së Rendit, pra qeverisë, ndërsa kreu i Prokurorisë është i paragjykuar si i zgjedhur nga qeveria e kaluar Berisha. Kështu të dyja palët nuk i kanë fshehur interesat e veta për të vendosur në krye të Byrosë së Hetimit një funksionar nga kampi i tyre.
Për këtë arsye, asnjëra prej tyre nuk mund të udhëheqë Byrojnë Kombëtare të Hetimit në një proces të pastër në luftën kundër korrupsionit, sepse kjo elitë politike nuk mund të firmosë për asgjesimin e saj.
A mundet që një institucion i varur nga Policia e Shtetit apo Prokuroria të mund të arrestojë, kryeministrin ose ish-kryeministrin nëse mbi të do të ngrihen akuza për korrupsion, ashtu siç ndodhi në Kroaci ku Prokuroria Speciale arrestoi ish-kryeministrin Ivo Sanader?