Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi është shpresëplotë se zgjedhjet e njëkohshme, parlamentare dhe lokale janë afër dhe beson se rikthimi i vendimmarrjes te sovrani zgjidh krizën politike.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Idrizi flet për objektivat e koalicionit opozitar, hapje të opozitës pavarësisht siglës së partive, dialog me qytetarët, ekip të ri me afrimin e të rinjve e intelektualëve, platformë që zgjidh krizën si dhe protesta deri në zgjedhje të reja qendrore e lokale dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila të bëhet garante e votës së lirë.
Gjithashtu Idrizi thotë se në këtë platformë janë përfshirë edhe propozimet e PDIU-së, ndërkohë që ka dakordësinë e liderit demokrat, Lulzim Basha, përmes një marrëveshjeje të të dyja palëve për angazhimin e çështjes kombëtare, në mënyrë të veçantë, çështjes çame.
Z.Idrizi, një betejë e gjatë politike e opozitës kundër Edi Ramës, por ai sërish është në pushtet. Si mund të shkohet drejt zgjidhjeve ligjore? Çfarë e zgjidh konkretisht krizën politike?
Ky është thelbi i betejës së opozitës sot! I duhet të luftojë kundër mbipushtetit të kreut të Rilindjes, që ka uzurpuar të gjitha pushtetet në Shqipëri duke filluar nga PS-ja, parlamenti, qeveria, prokuroria, mosfunksionimi i asnjë arbitri si Gjykata Kushtetuese e Gjykata e Lartë dhe që përdor pushtetin në bashkëpunim me krimin për të manipuluar çdo votim në Shqipëri. Le t’u kthehemi disa fakteve që janë alarmante, për të treguar dramën e vërtetë të vendit. Sot Shqipëria sipas “The Economist” është një vend me demokraci jofunksionale, në kufijtë e autoritarizmit. Kësaj tabloje duhet t’i shtojmë edhe krizën ekonomike, ndarjen e buxhetit të shtetit në një grusht njerëzish e skandalet korruptive, që na shoqërojnë çdo javë. Një tërmet demografik ka ndodhur në vetëm pak vite, 400 mijë shqiptarë e kanë lënë Shqipërinë në këto 4 vjet, 70 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga vendi. Sot mosha mesatare e shqiptarëve nga 26 vjeç në vitin 1991, ka shkuar në 46 vjeç. Pagat e pensionet u bënë vite që nuk janë rritur, por as janë indeksuar me inflacionin në vite… Mosha e pensionit për shqiptarët po shkon 70 vjeç. Ka dhe shumë indikatorë të tjerë, që tregojnë qartazi rritjen e varfërisë e mbi të gjitha në këto 7 vite del e qartë se nuk ka asnjë vizion apo reformë për ekonominë. Sot aktiviteti ekonomik i vendit bazohet mbi tregtinë, shërbime e ndërtim. Sot Shqipëria nuk prodhon e sigurisht nuk punëson, kjo ul kërkesën për mallra e shërbime, e kështu jemi futur në një spirale të rrezikshme.
Rritja ekonomike është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me kapitalin njerëzor, e kjo minë me sahat për ekonominë e sotme dhe të nesërme, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë nuk mund të zëvendësohet me projekte të një qeverie të papërgjegjshme për të importuar fuqi punëtore nga Pakistani, India, Siria a nga Kina. Aspirata jonë e kahershme që në kohën e rilindësve të vërtetë është ta bëjmë Shqipërinë jo vetëm gjeografikisht pjesë të Europës, por shqiptarët pjesë të BE-së politikisht e shpirtërisht, e jo të sjellim pakistanezët, indianët e kinezët për t’i zëvendësuar shqiptarët që marrin arratinë. Është i çuditshëm degradimi në këto vite i shtetit shqiptar, por edhe përpjekja titanike e Ramës për ta zhvlerësuar e bërë qesharak. Sot kemi një parlament qesharak, një drejtësi të paralizuar pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë e me 5000 çështje pezull, që sikur të nisnin sot shqyrtimin, do të duheshin vite e vite që qytetarët të marrin thjesht një përgjigje, se të pretendosh për drejtësi në këto kushte, duket e tepërt. Sot kemi një prokurori që i është dhënë me PPP Rilindjes e që duket s’e ka hiç merak të duket si e pavarur.
Vetë qeverisja është katandisur në një portal, ku qytetarët i shkruajnë kryetarit të Rilindjes për hallet e problemet dhe 160 mijë të punësuarit e shtetit u kthejnë përgjigje qytetarëve. Njësoj siç ndodhte me sulltanët në Perandorinë Osmane, ku përveç administratës, populli i thjeshtë ia linte ankesat e veta direkt sulltanit në një kosh të madh çdo të premte, kur ai shkonte në xhami… Apo në kohën e Dullës, që e fillonte ditën e punës me letrat nga populli… Tani, me të njëjtin mentalitet mesjetar, duhet t’i shkruajmë portalit “Qeverisja që duam”, ndërsa administrata e tërë shtetërore nuk vlen më asgjë. Dhe në fakt është e kuptueshme pse nuk vlen… sepse jemi i vetmi vend në botë që kur ndërrohen qeveritë, ndërrohen deri edhe pastrueset. Vetëm me Rilindjen ndodh që edhe pastruesja duhet të çojë 4 robt e shtëpisë për të votuar për Ramën, se ndryshe ia mbajnë peng edhe fshesën dhe bukën e gojës. Ky është shteti qesharak, që Rama i dha vizionin e fytyrën e vet pas 21 vitesh në pushtet e pas 7 vitesh kryeministër. Sot qytetarët paguajnë taksa jo për të marrë shërbime nga shteti, por për të garantuar votat e Rilindjes nëpërmjet të punësuarve në administratë, tenderave, PPP, korrupsionit endemik, krimit elektoral, që rilindja e Ramës të rrijë në pushtet.
Të gjitha sa më sipër janë denoncuar nga opozita dhe sot janë të noterizuara nga raporti i OSBE-ODHIR, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe 9 kushtet e Bundestagut gjerman.
Për rikthimin e vendit dhe institucioneve në demokraci funksionale, por edhe për të shfryrë krizën politike ka vetëm një rrugë që të gjitha vendet normale e përdorin, përveç Shqipërisë, dhe që janë zgjedhjet e parakohshme, pra rikthimi i vendimmarrjes te sovrani. Por kësaj here opozita është e vendosur për të garantuar të gjitha prerogativat për zgjedhje të lira, të barabarta, që Shqipëria s’i ka bërë në 30 vjet dhe për të shmangur parregullsitë, bazuar në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e fundit.
Vetë opozita, a është e paorientuar politikisht lidhur me ndërtimin apo vijueshmërinë e aksionit opozitar?
Nuk e mendoj kështu, përkundrazi. Opozita e bashkuar është në dinamikën e saj e sa më shumë që i afrohemi zgjidhjes së krizës apo afrimit të zgjedhjeve, ajo po angazhohet për një platformë të plotë antikrizë për t’u dhënë qytetarëve ofertën e saj për problemet e demokracisë, ekonomisë, pagave, pensioneve, arsimit dhe shëndetësisë e mbi të gjitha, Shqipërisë së orientuar drejt prodhimit dhe punësimit. Njëherazi është e vëmendshme edhe për hapjen e opozitës, pavarësisht nga siglat e partive drejt një bashkimi të madh me qytetarët, formësimi i ekipeve të reja qeverisëse me djem e vajza të shkolluar, që janë në fokusin e opozitës dhe alternativës së saj. Dialog me qytetarët dhe denoncim i çdo afere të kësaj qeverie për të nxjerrë në pah Shqipërinë reale, të varfërisë, papunësisë, braktisjes së vendit përballë Shqipërisë 3-D të Rilindjes, program dhe ekip të ri dhe të gjitha format e mundshme të protestave në demokraci. Aksioni opozitar është i përcaktuar dhe i qartë, zgjedhje të parakohshme të përgjithshme e lokale dhe një qeveri tranzitore që do t’i garantonte këto zgjedhje.
Ndërprerja e protestave, mendoni se e largoi opozitën nga 70 mijë qytetarë, të cilët protestuam kundër Edi Ramës?
Sigurisht që aksioni opozitar është në koherencë edhe me zhvillimet e rëndësishme që kalon vendi dhe rajoni. Askush nuk mund të shmanget kur trajtohet problemi i hapjes së negociatave me BE-në, kur statusin e vendit kandidat e kemi marrë që në vitin 2014 e për disa vite radhazi vetëm shtohen kushtëzimet për qeverinë. Opozita deri më 18 tetor është e angazhuar për të bërë gjithçka që shqiptarët dhe Shqipëria të mos mbesin të fundit tashmë edhe në rajon, në rrugën e integrimit. Është e rëndë dhe me pasoja për çështjen kombëtare shqiptare që ne të mbetemi pas Serbisë, Malit te Zi e Maqedonisë së Veriut në rrugën tonë drejt BE-së e bashkë me Kosovën, të kërcënohemi me veto në rrugëtimin tonë nga vendet fqinje, siç po ndodh sot me Greqinë për shembull. Protestat e fuqishme të organizuara nga opozita për muaj të tërë treguan nga njëra anë drejtësinë e kauzave të opozitës, që sot i gjeni të shkruara në raportin e OSBE-ODIHR dhe te 9 kushtet e Bundestagut gjerman, dhe nga ana tjetër përkrahjen si asnjë herë tjetër në këto vite të opozitës nga shqiptarët. Janë qindra-mijëra shqiptarët që përkrahën dhe përkrahin opozitën si zërin e problemeve dhe halleve të tyre dhe këta njerëz nuk ka asnjë gjasë që ne t’i zhgënjejmë. Të jeni të bindur që hapja e opozitës për qytetaret, platforma e zgjidhjes antikrizë, programi dhe ekipi i ri, protestat deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme dhe lokale njëkohësisht e të garantuara nga një qeveri tranzitore do të jenë trajektorja e vetme e aksionit opozitar.
Opozita ka mbetur jashtë institucioneve, ndërkohë që mazhoranca vazhdon të marrë të gjitha pushtet. PD-ja po synon reformimin e thellë të sistemit zgjedhor dhe politik, përfshi edhe funksionimin e vetë partive, por çfarë e kthen opozitën në sistem, ndërkohë që një opozitë e re po tenton të lindë brenda Kuvendit?
Problemi nuk është të kthejmë opozitën në sistem, por të kthejmë sistemin drejt një demokracie funksionale, me institucione të pavarura dhe shtet ligjor, që është në shërbim të qytetarëve e jo në duart e një njeriu dhe ekonomia në funksion të një grushti oligarkësh. Dhe sigurisht që zgjedhjet e lira dhe vullneti i qytetarëve janë alfa e demokracisë dhe ky është prioriteti edhe i opozitës dhe partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Është marrëzi të mendosh që jemi i vetmi vend që ribëmë votime moniste pas rënies së komunizmit dhe ato u rivodhën e manipuluan nga rilindja recidiviste në aktin e kleptomanisë elektorale. Tani më duhet t’i kursej fjalët për të komentuar faktin që ka vetëm një opozitë dhe një grup njerëzish që pasi u tërhoqën 182 veta nga listat e opozitës, u futen ca që nuk e plotësuan dot as fasadën që të paktën të kishim një parlament me 140 deputetë, siç e parashikon Kushtetuta.
Ulja e opozitës në tryezën për reformën zgjedhore a është një sinjal se palët po shkojnë drejt zgjidhjes së ngërçit politik?
Ngërçin politik e zgjidh vetëm rikthimi i vendimmarrjes te sovrani, pra zgjedhjet e parakohshme. Nuk ka asnjë instrument tjetër më të mirë në demokraci që shfryn krizat dhe rikthen balancat e sistemit. Çdo vend normal e demokratik e përdor këtë instrument të zgjidhjes së krizave e çuditërisht vetëm në Shqipëri duket si akt i ndaluar. Më lejoni t’ju sjell në vëmendje zgjedhjet e parakohshme në Austri, Greqi, Itali, Maqedoni, Turqi po të doni… por edhe në Kosovë. Vetëm në Shqipëri ngulet këmbë e pushtetarët lidhen pas pushtetit si me shpirtin, e zgjedhjet e parakohshme duken akt i ndaluar. Opozita ka qenë e është gjithmonë e gatshme që të japë kontributin e vet dhe t’u paraprijë këtyre proceseve, përballë ndryshkut e mungesës së dialogut që ka zënë Rilindjen, që duket se ia ka lënë baba Shqipërinë deri në 2021 e ka të drejtë që t’i japë miratimin një njeriu që të bëjë ç’të dojë.
Pas reformës në drejtësi, reforma zgjedhore është më e rëndësishmja, por a po shihet kjo reformë si retushim ligjesh, apo që garanton nesër votën e lirë?
Opozita jo vetëm që mori pjesë në ‘workshop’-in e organizuar nga OSBE -ODIHR, por edhe paraqiti platformën e saj, që ne të marrim me përparësi ato çështje që në radhë të parë theksohen në raport dhe në kushtet e Bundestagut dhe që kanë të bëjnë me dënimin e krimit elektoral, presionin mbi votuesit, mospërdorimi politik i administratës, ndihmës ekonomike, tenderave, PPP-të etj., për të deformuar vullnetin e qytetareve, e këto janë prioritete absolute. Përsa i përket reformës në drejtësi, ne jo vetëm që e kemi votuar e këtu mund t’u riktheheni votimeve parlamentare, por përtej demagogjisë, është qeveria e kjo mazhorancë që ka penguar ngritjen e SPAK, BKH-së, Gjykatës Kushtetuese etj., duke larguar tashmë me vite atë që do ishte rezultati final i reformës, aksesi i barabartë i qytetarëve në marrjen e drejtësisë e të pasjes së sigurisë juridike për pronën e jetën.
Si mund të kemi institucionalizim të dialogut mes forcave politike në vend dhe jo dialog për ndarje pushteti?
Besoj që është një pyetje që duhet t’i adresohet Rilindjes që ka uzurpuar gjithçka, PS, buxhetin, korrupsionin, krimin elektoral, PPP-të, parlamentin, prokurorinë, mediat dhe jo opozitës, që s’ka asgjë përveç fjalës, madje dorëzoi dhe mandatet që të mos bëhej fasadë e këtij sistemi autokratik, ku në pushtet nuk është as PS-ja, po Rilindja me Bablokun e madh. Sa për pushtetin, apo me saktë të drejtën për të shërbyer me program dhe një ekip të ri, opozita e ka bërë të qartë që e pret vetëm nga vota e qytetarëve.
Opozita kërkon për politikanët që vodhën zgjedhjet me krimin, qeveri tranzitore pa Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale. Sa të mundshme janë ato kur Edi Rama ka bërë të qartë se mandati i tij do të mbyllet në vitin 2021?
Tashmë janë të qarta përmasat dhe dimensionet e krizës në Shqipëri, duke filluar nga demokracia e vota e lirë, deri tek ekonomia e varfëria ekstreme e braktisja e vendit. Sigurisht që nuk mund të flitet për rikthimin e sistemit në demokraci funksionale, në qoftë së nuk shkatërrohet ligjërisht e penalisht mekanizmi i krimit elektoral, që mbledh vota me kriminelë e para e pastaj nëpërmjet pushtetit shpërndan para, parcela droge dhe tendera tek ata që bëjnë vota. Ky është mekanizmi kriminal që ka destruktuar sistemin, sepse ka kapur shtetin dhe ekonominë. Po e përsëris, shqiptarët paguajnë tatime e taksa jo për të marrë shërbime, po për të paguar votat për të mbajtur Rilindjen në pushtet. Kjo realizohet nëpërmjet shitblerjes, administratës 160 mijë x 5 persona në familje = 800 mijë vota, tenderave që kthehen në vota, kriminelëve që janë koordinatorë elektoralë të Rilindjes etj. Ky mekanizëm dhe metastazat e tij duhet të marrin fund.
Partitë aleate i kanë kërkuar liderit Basha që të nisë procesin e bashkimit të kontributeve ndër vite, që t’i bashkohen opozitës në betejën kundër qeverisë “Rama”. Kujt i drejtohet konkretisht kjo thirrje…?
Opozita e bashkuar ka në përbërje të saj disa parti politike, që kanë prioritetet dhe veçoritë e tyre. Pavarësisht nga kohezioni dhe konsultimi për vendimet e rëndësishme, unë jam i bindur se ne duhet të ruajmë veçoritë ekzistenciale tonat dhe peshën specifike të gjithsecilit. Rilindja pas 21 vitesh në pushtet e 7 viteve në qeveri është e lodhur, e plakur, pa busull tek ekonomia e s’ka ç’të japë më shumë se kaq, ndërsa opozitës së sashkuar i duhet sot kohezion, platforma antikrizë që po punohet, program, ekip i ri dhe konseguencë për të ndjekur programin e saj pa asnjë kompromis, për të nxjerrë vendin nga kriza.
Vetë opozita është solide brenda saj në betejën për largimin e Ramës nga pushteti?
Opozita e bashkuar është në fazën finale të përgatitjes së një platforme për daljen nga kriza. Por, sa e besueshme do të jetë ajo për qytetarët?
Cilat janë propozimet e PDIU-së për zgjidhjen e krizës? Cilat prej tyre janë përfshirë në planin kombëtar të opozitës?
PDIU-ja është pjesë e opozitës dhe në një marrëveshje direkte me PD-së, përveç shumë gjërave që mendojmë dhe kemi analizë të përbashkët, PDIU-ja është e angazhuar të forcojë vektorin kombëtarist të programit të opozitës dhe ka disa propozime, që do të materializohen në këtë platformë të përbashkët. Të gjitha pikat e propozuara janë konsultuar nga forcat e koalicionit opozitar e besoj që duhet ta trajtojmë të gjithën si produkt i përbashkët politik i koalicionit.
Çfarë ju ka premtuar PD-ja lidhur me zgjidhjen e çështjes çame?
PDIU-ja ka një marrëveshje për herë të parë të shkruar e nënshkruar me PD-në, e cila është publike. Aty angazhohemi për të punuar bashkërisht për çështjen e interesit kombëtar, veçanërisht çështje çame, vëmendje më e madhe për shqiptarët në diasporë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut etj. Një strategji e qartë për të rritur çdo lloj bashkëpunimi, ekonomik, arsimor, kulturor, politik midis Kosovës dhe Shqipërisë si mundësi reale për një treg më të madh e më atraktiv. Sigurisht që një përparësi absolute është dhe angazhimi për potencimin e zgjidhjes së çështjes çame, tashmë me hapa konkretë e jo retorikë boshe e folklorike të Rilindasve, që e përdorën çështjen çame si çakmak me Greqinë dhe pastaj hoqi çështjen çame nga programi i qeverisë, bëri varrezat e ushtarëve grekë e shumë lëshime e servilizma. Të bën përshtypje që Babloku i madh që i gafurret si trim çdo shqiptari që nuk mendon si ai, rri si i përuluri ekselent kur takohet me qeveritarët grekë, e fundit me kryeministrin e Greqisë kur dëgjonte i përulur kërkesat e palës greke për të drejtat e minoritetit dhe nuk tha asnjë fjalë për heqjen e ligjit të luftës, që Greqia mban në këmbë që në 1940 me Shqipërinë apo për çështjen çame, varrezat e tyre, çështjet pronësore, pensionet etj. Kemi rënë dakord për hapa konkretë jo vetëm në vlerësimin e memorien historike, por edhe për t’iu adresuar juridikisht, institucioneve të Drejtësisë Europiane për të drejtat themelore të njeriut, ato pronësore, juridike dhe të shtetësisë. Duke pasur si udhërrëfyes Rezolutën e Parlamentit të Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes çame, ligjin e parlamentit të Shqipërisë të vitit 1994, që e njeh datën 27 qershor 1944 si ditën e Gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë, prezencën e PDIU-së si garante e ushtrimit të presionit mbi çdo qeveri shqiptare.
/Gazeta Shqiptare/