Edi Rama në Shih Programin
29 muaj i janë dashur kreut të qeverisë për ta kaluar rrugën që ndan selinë e kryeministrisë, me cilëndo nga studiot e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Arsyeja, edhe pse duket aq e thjeshtë, është dhe aq e trishtë. As për kryeministrin, TVSH-ja, në ekranin e së cilës ai është jo pak minuta në ditë, nuk është një TV publike. Ndaj së shpejti do të ndryshojë ligji dhe zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH nuk do të jetë më e vështirë sesa zgjedhja e Presidentit të Republikës. Në një intervistë për gazetarin Enkel Demi, kreu i ekzekutivit foli për disa çështje të rëndësishme siç janë reforma në drejtësi, dekriminalizimi, dekomunistizimi, raportet me Metën, aleatët, por edhe “qeverinë e vjetër”, siç ai thotë më shumë se njëherë se e cilëson opozitën. Kësaj të fundit ia ndjen mungesën si sfiduese jo vetëm në ide e propozime, por edhe kur proteston apo e gjuan me vezë a sheqer të lagur…
Enkel Demi – U bë shumë kohë që nuk jemi në studio bashkë. E ke patur me mua apo me televizionet ku kam punuar? Si tu duk TVSH-ja?
Edi Rama – Nëse ka diçka që nuk ka ende asnjë nga Rilindja eshtë TVSH. Në kuptimin e domosdoshmërisë së rilindjes së saj dhe ripozicionimin aty ku i takon.
Si mund të rilindë TVSH?
Për fat të keq jemi bllokuar prej më shumë se dy vjet nga pamundësia për të zgjedhur drejtorin e përgjithshëm. I kemi dhënë fund këtij staniacioni të krijuar nga pakica bllokuese, duke i hapur rrugë kalimit në Kuvend nëpërmjet një zgjedhje më të arsyeshme, njësoj si zgjedhja e Presidentit me shumicë të thjeshtë, kur dështon ajo e cilësuar.
Nga anëtarët e Këshillit janë drejtuar politikat ku përgjysmuar buxhetet. Si mund të behet një televizion që ka buxhet më shumë se të gjithë dhe është korpac me veten e tij?
Këtë nuk mund ta them. Nuk jam marrë kurrë më TVSH-në. Asnjëherë nuk kam ndërhyrë dhe sado që nuk jam krenar për këtë as nuk e shoh TVSH-në. Dhe nuk e shoh jo për ndonjë paragjykim, por sepse është larg se qënit TVSH në shërbim publik.
Procesi për zgjedhjen e drejtuesve të rinj rifillon aty ku nga mbetur?
Po aty ku ka mbetur.
A nuk është skandal që një kryeministër të thotë që nuk shoh TVSH?
Është skandal, por kjo është e vërteta. Ky nuk është një shërbim publik i mirëfilltë dhe cilësor, por është një kanal që prej shumë vitesh jeton në një inerci të padurueshme. Na duhet një TVSH publike dhe konkuruese, që të funksionojë në bazë të nevojës për t’u menaxhuar me talent dhe kurajo e aftësi të mëdha.
Dixhitalizmi është vonuar nga privatët?
Jo, kjo nuk ka lidhje. Edhe akuzat e bëra për këtë çështje nuk kanë vend. Ka qenë proces teknik. Ne kemi rinegociuar për këtë proces dhe ai do të vazhdojë ashtu siç është parashikuar.
A keni një koment për rekomandimet e Komisonit të Venecias?
Jo, besoj se janë të gjitha kushtet që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në proces votimi brenda muajit mars.
Po reforma në drejtësi realizohet brenda muajit?
Jo, ajo do të të kërkojë vite, por paketa e ndryshimeve kushtetuese do të jetë bazë e kësaj reforme. Ajo mund të votohet brenda marsit sigurisht nëse do të ketë vullnet dhe angazhim për të gjetur dakordësi.
Ju thatë se nuk do të kontestonit asnjë prej rekomandimeve të Komisionit të Venecias…
Absolutisht jo
Prokurorit pra nuk do t’i ndërpritet mandati?
Nuk jam në dijeni të detajeve teknike. Unë i kam qëndruar besnik asaj që kam thënë që ditën e parë se nëse duam një reformë reale, politika duhet të qëndrojë një hap mbrapa. Duke i qëndruar këtij opinioni kemi dhënë një kontribut modest për të mos e deformuar procesin dhe përmbajtjen për shkaqe që dihen se historikisht kanë pamundësuar një reformë në drejtësi. Tani është momenti për të nxjerrë konkluzionet për të gjetur pikëtakimet mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Detaj teknik mund të jetë fakti që Byroja e Hetimit nuk varet nga policia, por nga Prokuroria…
Nuk e di, por kjo Byro dhe në versionin e dakordësuar me opozitën me ndërmjetësinë e disa partnerëve ndërkombëtarë nuk varej nga policia, por ishte një strukturë ku prania e Prokurorisë ishte vendimtare.
Në qoftë se kjo që them unë është e vërtetë a krijon bezdi per mazhorancën?
Ne nuk na krijon bezdi asgjë. Themelet e reformës janë pranuar gjerësisht. Për mua reforma nuk është tek teknikalitetet, por është tek thelbi. Ajo duhet të sjellë një tronditje të sistemit të drejtësi.
Në rekomandime thuhet që kjo punë duhet bërë me konsensus? A jeni dakord që duhet bërë një rinegocim me opozitën?
Nuk kemi çfarë negociojmë, por do të tentojnë të gjejmë dakordësi pa cënuar përmbajtjen dhe atë çfarë ne e cilësojmë të panegociueshme. Do të jetë një proces në Komisionin e Reformës dhe të Ligjeve dhe do të gjenden pikat e përbashkëta.
Janë votat për të votuar ndryshimet kushtetuese?
Ne do të synojmë dakordësinë me opozitën që reformën ta kalojmë me planin A, me dakordësinë. Nëse jo, vjen plani B. Ju nuk duhet ta prisni planin B, duhet të uroni që të bëhët plani A. Nuk duhet të mendojmë sot për këtë plan pa menduar për marrëveshje me opozitën, me qeverinë e vjetër. Nuk duhet të mendojmë sot sesi të bëjmë votat përsa kohë kemi sot një territor të tërë diskutimi dhe ballafaqimi me Partinë Demokratike, se fjala opozitë është eufemizëm, me qeverinë e vjetër i them unë…
Do negocioni me kryeministrin e vjetër apo me kryetarin e vjetër të bashkisë?
Nuk janë asnjëri pjestarë të komisonit për reformën në drëjtësi.
Nëse nuk kalon reforma a do të shkojmë në zgjedhje të parakohëshme?
Nuk kemi pse mendojmë dështimin. Jam shpresëplotë që reforma do të kalojë. Kush identifikohet para shqiptarëve si shkak për moskalimin e reformës do të përvëlohet në zgjedhjet e ardhshme dhe unë besoj se të gjitha partitë parlamentare e dinë këtë. Duhet të mobilizohemi për të kaluar reformën.
Kur ju pyeta për reformën më thatë se reforma është gjë e madhe. Këto ndryshime a shkojnë paralel me dekriminalizimin?
Ajo që ka të bëjë me atë që qeveria e vjetër e quan dekriminalizimin, pra me kandidueshmërinë dhe integritetin e personave që kandidojnë është kapitull i mbyllur, tani duhen disa akte nënligjore për ta bërë të zbatueshëm.
Kur do të ndodh kjo?
Mund të bëhet shumë shpejt nëse përfaqësuesit e qeverisë së vjetër do të jenë gati dhe ta bëjnë të mundur.
Po duhet parashikoni që kjo do të vonojë ndoshta pas asaj që ndodhi të enjten e kaluar në Kuvend…
Çfarë ndodhi?!
Prania e Armando Prengës a nuk e tejkaloi cakun?
Duhet të pyesni ata që e bënë se përse e tejkaluan. As shumica qeverisëse nuk ka lidhje me atë që ndodhi. Prenga është përjashtuar nga PS që të nesërmen. Pjesa tjetër i takon Prokurorisë dhe gjykatës dhe jo Parlamentit dhe aq më pak qeverisë së vjetër. Ata nuk mund t’i bëjnë gjyqin. Prenga sidoqoftë nuk ka asnjë lidhje me ne.
Ju keni përgjegjësi personale për zgjedhjen e Prengës në Parlament apo jo?
Përgjegjësi penale për diçka që do të ndodhte dy vjet e gjysëm më vonë?!
Po a nuk është i njëjti që qëlloi me grusht edhe Edi Palokën?
Nuk e dija këtë. Di që në listën e kandidatëve për deputetë unë nuk kam futur asnjë kriminel. Kjo është aq e vërtetë sa përpara krijimit të listës kam kërkuar dëshmitë e penalitetit të personave të mundshëm për të hyrë në listën e kandidatëve. Ky ka qenë dokumenti që ka patur deri tani Shqipëria për të përcaktuar nëse një njeri ka kryer një krim apo jo.
Kjo është e mjaftueshme?
Për t’i thënë një njeriu kriminel po. Kriminel nuk të bënë partia. Këtë e kemi jetuar boll gjatë dhe boll rëndë në një sistem tjetër. E përcaktojnë organet kushtetuese të prokurorisë dhe gjykatës se kush është kriminel.
Opozita ka vënë disa kushte, ju jeni njohur me to?
Nuk mund të diskutohet mbi bazën e një brutaliteti të tillë. Është mungesë e madhe vërtetësie. Për të thënë deri në fund të vërtetën, duhet të them se PD-ja nuk është ngritur dot nga knock out i qershorit të 2013 dhe ndaj nuk e ka gjetur dot fillin e arsyes që atëherë. Kjo i ndodh të gjitha partive që ndërrojnë status nga shumicë në pakicë. Në momentin që populli të ka kaluar në pakicë në atë moment është koha për reflektim, për një fillim të ri dhe drejtim të ri. PD-ja ka 29 muaj që kur ne jemi në qeveri që sillet si qeveri e vjetër. Sot Shqipëria nuk ka opozitë, por dy qeveri, ajo që e drejton dhe një qeveri që mendon se padrejtësisht e kanë larguar nga detyra.
Ata kanë vënë kushte, ju do të negocioni me to?
Kush janë që vendosin se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo?! Opozita nuk është prokuror në sallën e Kuvendit! Një gjë po ju them: Më kujtohet kur ne morëm nismën për t’i rënë bilbilave që ishte simbolike për të trokitur në veshët e shurdhët të qeverisë. Aty në mbledhje dikush propozoi për të gjuajtur me vezë dhe domate, por thanë të gjithë jo. Kjo për arsye se ka një kufi, çdo nismë dhe çdo akt që simbolikisht tenton të nxjerrë në pah një problem ka ndryshim nga cënimi fizik i tjetrit. E dyta është dhunë, jo përplasje simbolikash. Është impotencë shumë e madhe. Një parti që përdor vezë dhe domate tregon që nuk ka më asnjë energji, asnjë arsye, ide dhe fuqi, tregon që është në një ezaurim nervor të plotë. Çfarë ju ka interesuar ju nga deklaratat e opozitës gjatë dy viteve të fundit?!
Dekriminalizimi, më ka interesuar shumë…
Po mirë, ja një që po jua “fal”, por duhet të sqaroj se jemi ne që e kemi çuar nga betejë për personat e përveçshëm në një reformë që ka hyrë binarët e ligjit. Ata kanë një person të dënuar si hajdut si Xhelal Mziu që e kanë kthyer si hero. Ata kanë një person tjetër, një ministër të arrestuar që e kanë kthyer në të persekutuar. As Prenga dhe as Tom Doshi kur janë përjashtuar nuk kanë qenë të gjykuar apo të dënuar në asnjë shkallë dhe të shpallur fajtorë nga gjykata. Ne iu bashkangjitëm atij procesi dhe e votuam ligjin e dekriminalizimit, e bëmë sepse besojmë tek domosdoshmëria për integritet. Kurse ata e bëjnë si luftë politike për të baltosur kundërshtarin. Kur vjen puna tek ata vetë hajdutët janë heronj.
Meqë ra fjala tek simbolika, është më e rëndë djegia e gomave apo gjuajtja me vezë?
Edhe djegia e gomave ka qenë simbolike. Dhe nuk duhet harruar për çfarë digjeshin gomat asaj kohe. Digjeshin për zgjedhjet. PD-ja sot po shkon poshtë e më poshtë, aq sa aktualisht nuk kemi opozitë.
A ngatërrohet fjala “monstër” me fjalën “motër”?
Kjo fjalë është ngatërruar dhe në mënyrën më të ulët. Unë i thashë “motra”. Unë i thashë: “O motra ku e lage këtë?”. Ajo nuk e dëgjoi fare, por e dëgjuan “përkthyesit” e interesit të partisë së tyre qe e trasnformuan dhe thanë “mitra” vetëm që të ndezur konfliktin politik.
Përse takohesh 1 herë në javë me Metën?
Pse nuk duhet të takohemi?! Është gjëja më normale në botë. Ne jemi bashkëkryetarë të koalicionit, diskutojmë temat e qeverisjes, të reformave. Biles ne takohemi dhe dy herë në javë. Njëherë vetëm dhe më pas në fundjavë bëjmë dhe takime me njësitë kordinative.
Duket sikur raportoni kështu…
Nëse e mendoni kështu, ashtu le të jetë…
Ka gjasa që LSI të jetë e interesuar për një tjetër protofol?
Nuk është shtruar kjo çështje
Nuk e kërkon portofolin e Ministrisë së Shëndetësisë?
Jo, as e kanë kërkuar
A keni thënë në një drekë me antarët e Komisionit të Ekonomisë se shumë shpejt PDIU-ja do të dalë nga kolalicioni, sepse nuk i jepni një ministri që jua ka kërkuar?
Nuk kanë kërkuar asnjë portofol dhe nuk është çështje ekonomike një protofol në qeveri për ta diskutuar me këtë komison.
PDIU nuk ju ka kërkuar portofol dhe ju nuk keni ndërmend të bëni më shumë ndryshime në qeveri?
Unë nuk flas asnjëherë me nëqoftëse.
Ndryshimet ne qeveri mbaruan me kaq?
Kush mund ta projektojë të ardhmen?! Unë kam thënë që nuk do të këtë riformatim total të qeverisë
Pse nuk funksionon ligji i dosjeve?
Do të funksionojë shumë shpejt, sepse të enjtën e kaluar nuk u kalua dot në Parlament, sepse ishte ligji i xhunglës që ishte me vezë dhe me sheqer.
Sheqer nuk kishte…
Sheqer ishte ajo që më dërgoi motra. Ishte pako sheqeri e lagur dhe bërë si gur. Pako shqeri për kafe dhe u habita ku i kishte shkuar mendja.
Le të kthehemi tek ligji i dosjeve… ai nuk po funksionon, ndërkohë që administrata është ende plot me spiunë…
E vërteta është që ligjin e bëmë ne, ka qenë pjesë e programit tonë. Kemi bërë një ligj funksional që tani do të hyjë në fazën e zbatimit të tij. Do të përzgjidhen personat që do të instalohen në komisonin përkatës dhe do të nisë puna konkretisht.
Ju keni dorëzuar një iniciativë të ngjashme për dekoratat. Ju e keni dorëzuar si deputet, jo si kryeministër. Pse?
Jo, unë ia bashkangjita një iniciative të Taulant Ballës. Sa për raportin me komunizmin dhe komunistët unë gogolin e kam vrarë që në krye të herës, që atëherë kur PD nuk guxonte t’i përmendë emrin Enver Hoxhës, kur PD refuzonte të botonte tek RD peticionin që ne tek Akademia e Arteve i bënë Ramiz Alisë për të rishikuar figurën e Enver Hoxhës dhe të lironte të dënuarit politikë. PD-ja predikonte që Alia solli demokracinë në Shqipëri.
Nuk është çështja e individit është çështja e partisë. Ju keni sot figura si Ruçi, Xhafaj apo Kokëdhima që po bëjnë karrierë, ndërkohë që kanë qenë sekretarë të Partisë së Punës.
Ka dy mënyra për ta parë komunizmin, të merresh me komunizmin apo të merresh me komunistët. Ata që u morën me komunistët mbajtën peng këtë vend për vite me rradhë. Sot PD-ja mbahet peng nga ish-komunistët, apo më saktë Berisha, njëri prej atyre që ka patur parasysh Haveli kur ka thënë se komunisti më i zi është komunisti antikomunist. Kjo për mua sidoqoftë është arkeologji. Ndërsa Ruçi, Xhafaj, Kokëdhima e bëjnë karrirën si socialistë, e bëjnë me të tashmën, jo me të shkuarën. Ata janë shumë më të ndershëm sesa Saliu që bën sikur nuk ka qenë këtu. Saliu është komunisti, antikomunist. Më keq nuk bëhet, të paktën sipas përcaktimit të Vaslav Havel.
Ka qenë gabim vendosja e Shkelqim Canit në krye të financave?
Jo, absolutisht jo. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer në një periudhë shumë të vështirë me problem komplekse.
Pse nuk ia kërkuat edhe Canit mandatin?
U shty një periudhë kohë në fillim dhe ashtu mbeti.
A jeni penduar për heqjen dorë nga mandatet?
Jo, absolutisht jo.
Thoni që ka vende pune për profesionistë. Por, na del që shqiptarët janë dembelë…
Kam thënë të kundërtën. Kam thënë që shqiptarët kanë bërë sukses në shumë vende ku kanë qenë dhe ku kanë shkuar vetëm pa mbështetje, kurse këtu duan të gjithë punë shteti. Shqiptarët dembelë i kanë bërë “politikenërit”. Para 2-3 javësh ishim tek një fabrikë që kishte nevojë për 50 specialistë, por që nuk ka në treg. Para 3-4 ditësh isha tek një kompani peshkimi, specialistët i kishin marrë nga Egjipti. Janë 26 mijë vende pune në Zyrat e Punës. Pse 80 perqind e atyre që marrin punën janë të kthyerit nga Greqia dhe vendet e tjera?! E di pse e marrin ata punën, sepse janë mësuar të punojnë.
Po kur ka punë pse ikin njerëzit nga Shqipëria?
Nga Shqipëria ikin ata që kërkojnë sot një jetë më të mirë dhe këtë e duan sot e jo nesër një jetë më të mirë. Ndërkohë e di që ka çdo ditë njerëz që ikin nga Polonia, nga Çekia dhe Sllovakia?! Kanë ikur me miliona gjatë këtyre viteve të fundit. Të gjithë shkojnë në Gjermani dhe vende të tjera. Vetëm nga Jugu i Italisë kanë ikur në Gjermani 90 mijë persona. Harrojeni të akuzoni një qeveri për lëvizjet e popullsisë. Asnjë qeveri nuk ka shkop magjik për të bërë vendin nga ku nuk do të dojë asnjë njeri që të ikë.
Në PS çdo gjë në rregull?
Po, pse duket se ka problem?!
Jo, pyes meqë u shprehët këto ditë për karvanë e qenë…
Ç’lidhje ka kjo me PS-në? PS-ja është karvani, qentë le t’i lehin…
Do të ketë garë për kryetarë?
Do ta vendosi Kongresi.
Ju jeni i gatshëm për garë?
Unë jam i gatshëm për çdo vendim që do të merret në Kongres. Por, nuk më duket normale që pasi ke fituar zgjedhjet të konkurosh dhe në zgjedhje të brendshme. Këtu nuk është fjala pse nuk hyj unë, por është fjala për një parim. Po ju jap shembullin e laburistëve anglezë, në momentin që kryetari zgjidhet me parimin një anëtar – një votë, ai kryetar zgjidhet kryeministër. Ai ka 4 vjet për të zbatuar kontratën që ka partia me popullin. Nuk mund t’i thuhet popullit që prit ti se do të kemi zgjedhje të brendshme ne. Në rast se kryeministri nuk është duke zbatuar kontratën më popullin partia ka të drejtë të kërkojë zgjedhje.
Njerëzit që kanë firmosur për të kundërtën si Mimoza Hafizi, Rexhep Meidani janë zgjedhje të rëndësishëm, apo jo?
Po janë shumë të rëndësishëm. Ata janë pjesë e karvanit.
Edhe Ben Blushi?
Natyrisht që edhe ai pjesë e karvanit tonë është.
Po kush është atëherë pjesë e qenve?
Ata që i lehin karvanit.
Po është goxha lajm që ata janë pjesë e karvanit…
Pse kush i ka trajtuar ndonjëherë ndryshe?! Dhe do të isha shumë i çuditur që dikujt t’i ishte dukur vetja me palën lehëse. Ajo që unë them është që patjetër që në PS ka njerëz që mendojnë ndryshe dhe shumë mirë që mendojnë ndryshe.
Si të duket zgjedhja e Thaçit si president i Kosovës?
Kam shumë besim tek Thaçi, kam besim se do të jetë një President siç i duhet Kosovës. E kam shprehur besimin tim.
Po për opozitën në Kosovë si mendoni se po sillen?
Nuk jam shprehur kurrë për këtë çështje. Nuk kam komentuar kurrë këtë çështje nga distanca. Ia kam thënë nga afër atyre që më kanë kërkuar opinion. Unë besoj që është një demokraci shumë e re ajo e Kosovës, por që këto momente do t’i kalojë dhe do ta rrisin dhe atë vetë.
Keni një koment për Zajednicën?
Dua të them që nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut dhe integrimit europian. Vetëm kështu mund të zhvillohet Kosova. Ajo duhet të promovojë shembullin e të kundërtës të asaj që pritet prej saj për shkak të asaj që ajo ka vuajtur në kurriz. Gjithëpërfshirja, dialogu edhe me Serbinë është pjesë e këtij integrimi. Palët duhet të mbajnë me dinjitet pozicionet e tyre.
Jua sugjeruan këtë shkrimin e fundit të Lubonjës “Ta shporrim Edi Ramën”?
E kam lexuar para 10 vitesh atë shkrim, nuk kam pse ta lexoj më. Edhe me Lubonjën jam i bindur që ditën që nuk do të kem asnjë pushtet do të kemi një fazë të tretë të miqësisë sonë.
Pse shqiptarërt e kanë kaq vështirë që të bëjnë shtet, si këtu, ashtu dhe në Kosovë dhe në Maqedoni?
Kush tha që nuk po bëjmë shtet, do ta bëjmë gur pas guri derisa të bëhet mur. Sot për shembull nuk thuhet më se përse nuk paguhen dritat dhe kjo në një vend ku për 20 vjet janë humbur dhe 60 vite investime në shëndetësi. Nëse këtë që kemi bërë ne do ta kishin bërë të tjerët para nesh situata nuk do të ishte kjo që është sot.
Ju keni qenë refugjat, si ka mundësi që keni thënë të mbyllen kufinjtë për refugjatët?
Unë kam qenë kohë më parë në takimet për këtë temë dhe e kam thënë që atëherë duhet një plan europian. Shqipëria duhet të marrë pjesën që i takon, por çdo vend duhet ta marrë pjësën që i takon. Por edhe Serbia dhe Maqedonia, morën shumë më tepër sesa iu takonte. Ne nuk po mbyllim kufirin, por po kërkojmë planin euriopian. Nuk delirojmë duke deklaruar se do të bëjmë më shumë sesa mundemi. Ne i kemi bërë një propozim shumë konkret tryezës. Nuk mundet dot që t’i lihet Greqisë kjo barrë. Duhet që Europa të ndërtojë zonat pritëse, të ndërtojë zonat e mirëseardhjes në Europë. Duhet të administrohen nga Europa dhe të bëhet një rregjistrim më i organizuar i emigrantëve. U ndërtuan kampe aty ku nuk duheshin. Ajo që më shumë e motivon një refugjat që ikën nga lufta është frika e së nesërmës. Refugjatët nuk duan të qëndrojnë nëpër kampe, sepse nuk kanë siguri. Duan të mbërrijnë në Gjermani. Ka një pjesë të vendeve të BE-së që nuk duan t’ia dijnë për këtë krizë. Duket e pabesueshme që BE po funksionon si një klub egoistësh, ku egoja kombëtare e njërit apo tjetrit vë në pikëpyetje se përse janë së bashku.
Mos jeni gjë euroskeptik këto kohë?
Jo nuk jam fare euroskeptik. Unë kam qenë jam dhe do të mbetem gjithmonë pjesë e asaj shkolle që mendon se Europa sot nuk funksionon siç duhet jo se projekti është i gabuar, por se është i papërfunduar. Na duhet një Bashkim Europian shumë më i integruar, na duhen Shtetet e Bashkuara të Europës.
Pas emisionit ikën sërish në punë?
Jo, do të shkoj në shtëpi. Kam pjesën më të bukur të ditës në këtë orë.
Zaho nuk besoj se të pret zgjuar?
Jo natyrisht, por ai më bën zgjimin.
Do e pagëzosh Zahon?
Do e vendosë vetë ai.
Vazhdon të pikturosh?
Pa ndërprerje.
Por, duart i ke të pastra, pa pikë boje…
Epo, dhe i laj ndonjëherë.
Pse nuk çel një ekspozitë në Shqipëri?
Ekspozitat nuk i çel unë. Ata janë marrë në dorë nga galeristë. Për shembull tani punimet e mia janë në bienalen e Marakeshit, kanë qenë në Panairin e Gjermanisë.
Po lexon ndonjë libër këto kohë?
Po lexoj një libër të Jonathan Powell, “Terroristët në tryezë”.
Po punon me përkthimin e Vorpsit?
Jo, nuk e kam të mundur.
Do të shkosh në Francë të shohësh ndonjë ndeshje të Kombëtares?
Do të shoh ndeshjen e parë.
Shënim: Biseda e plotë gjendet në këtë link: https://www.youtube.com/channel/UCrRCrkHHw_ubixRQcXczcfw