Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, i bën thirrje opozitës të ndalë bojkotin ndaj parlamentit: Vetting-u garanton zgjedhje të lira.
“Vetting, pastaj zgjedhjet e lira.” Kjo është logjika, përmes së cilës komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn, i kundërvihet pretendimeve të opozitës për të anashkaluar vetting-un përmes bojkotit parlamentar. Komisioneri Hahn i ka bërë thirrje PD-së të kthehet në parlament për të finalizuar procesin e vetting-ut, pasi do të jetë pastrimi i drejtësisë dhe politikës që do të garantojë edhe zgjedhjet e lira. Hahn ka deklaruar se ndjen keqardhje për bojkotin e PD-së ndaj Kuvendit, duke përsëritur thirrjen për kthim të tyre në parlament, atje ku do të vazhdojë procesi i vetting-ut e ku PD ka rol të pazëvëndësueshëm. Deklarata e Hahn intensifikon kështu qëndrimet e Brukselit ndaj protestës së opozitës dhe vendimit të tyre për bojkot ndaj Kuvendit. Për të parë nga afër situatën politike, vjen në Tiranë shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Ajo sjell për opozitën dhe mazhorancën mesazhet e komisonerit Hahn, domosdoshmërinë për bashkëpunim në funsksion të reformave.
Mesazhi i Hahn në twitter:
Shpreh keqardhjen për bojkotin parlamentar të opozitës. Debati politik duhet të ndodhë brenda dhe jo jashtë Parlamentit. Bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është i domosdoshëm për ambicien e vendit për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Në veçanti, është me rëndësi të madhe ruajtja e vazhdimësisë parlamentare në kohën e reformave mjaft thelbësore që janë në agjendën e Parlamentit, si ajo e ngritjes së organeve të vetting-ut në kuadër të reformës në drejtësi, dhe reforma elektorale, përfshi dhe rekomandimet e OSBE/ ODIHR, të cilat janë esenciale për të siguruar më pas zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto reforma janë të domosdoshme për Shqipërinë që të ecë drejt rrugës së integrimit në BE.