Ajo që pritej këto kohë, ose të paktën kështu është artikuluar në media nga analistë e politikanë, ishte blerja e votave nga mazhoranca në radhët e opozitës për të votuar Reformën në Drejtësi. Duket se e kundërta po ndodh. Nga radhët e shumicës kanë nisur të dalin zëra kundër reformës. Rreth qëndrimit të Berishës për Reformën në Drejtësi po afrohen deputetë të LSI-së.
Duke shfrytëzuar mbrojtjen e sovranitetit, ish-kryeministri ka deklaruar se nuk është dakord me një reformë në drejtësi që krijon institucione, të cilat administrohen nga të huajt. “Të huajt ta vëzhgojnë, po plotësisht dakord. Nuk kam asnjë kundërshtim, por ky do të jetë proces shqiptar”, tha Berisha dy ditë më parë. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe deputetja Jozefoina Topalli, ndërsa këtij qëndrimi i është bashkuar së fundmi edhe deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu.
Përmes një mesazhi në twitter, Spahiu thekson se nuk është i gatshëm të votojë ngritjen e një institucioni të ri në kuadër të reformës në drejtësi që do të mbikëqyret nga ndërkombëtarët.
“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE. Por, nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?!”, shkruan në twitter deputeti i LSI-së, Spahiu.
Më shumë se sa një qëndrim parimor që lidhet me mbrojtjen e sovranitetit, duket të jetë një qëndrim që i lidh dy partitë mes tyre. Dihet tashmë qëndrimi i PS-së dhe kryeministrit Rama për reformën në drejtësi, ashtu siç dihet edhe qëndrimi i opozitës dhe kryetarit të saj Lulzim Basha apo ish-kryetarit Sali Berisha. Ai që dukej pak i mjergullt ishte qëndrimi i LSI-së. Kryetari i kësaj partie dhe drejtues të tjerë të saj, nuk janë shprehur asnjëherë kundër reformës në drejtësi, por paralelisht me këtë e kanë pasur si qëndrim të pandryshuar edhe atë të konsesusit të opozitës. LSI ka deklaruar herë pas here se reforma në drejtësi do të miratohet vetëm me konsensusin e opozitës. Zhvillimet e fundit duket se po e shterrojnë edhe këtë qëndrim, pasi opozita, siç theksoi ambasada amerikane, nuk u duk të ishte fleksibile në qëndrimin e saj për t’iu afruar konsensusit. Në të vërtetë kryeministri Edi Rama nuk u investua për të afruar opozitën drejt konsensusit, sepse e përdori reformën në drejtësi si kërcënim për kundërshtarët e tij jo vetëm në opozitë, por edhe në mazhorancë. Ndoshta është pikërisht ky kërcënim që ka lënë LSI-në të paqartë në qëndrimin e saj për reformën në drejtësi. Vota kundër kësaj reforme e njërit prej deputetëve të LSI-së është mjaft domethënëse. Deri më 21 korrik, kur dhe pritet të votohet në Kuvend reforma në drejtësi, ndoshta do të ketë të tjerë deputetë të LSI-së që shqetësohen për sovranitetitn e vendit, ose për ndonjë tjetër çështje që prek reforma në drejtësi.