Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Socialistë, nuk mjafton humori juaj për të ndryshuar Kushtetutën

Nga 27.al 0

Nga Mustafa Nano

Presidenti e ka kthyer presidencën në një zyrë me funksione të qarta në lojën politike. E ka bërë një shtojcë të opozitës. Madje, që të jemi të saktë, duhet të themi se e ka shndërruar në një zyrë qëndrore të opozitës. Gjërat më të rëndësishme të kampit opozitar ndodhin në zyrën e tij. Kjo më bën të mendoj që Ilir Meta është presidenti më i keq që kemi patur ndonjëherë. E bën vaki të jetë më i keqi edhe ndër presidentët që do të kemi, pasi nuk mund të ndodhë të kemi një president më të keq. Më keq sesa kaq nuk mund të bëhet.

Por, zyrtari më pak i përshtatshëm për të folur për këtë çështje është kryeministri Edi Rama. Ky i fundit e kritikon presidentin për shkelje të Kushtetutës, por është vetë që demonstron herë pas herë se Kushtetutën e ka bezdi, që atë e sheh si një opsion, që atë e sheh si një problem, e jo si zgjidhje, e që mendon se mund ta ndryshojë atë sa herë t’ia japë në kokë.

Para ca ditësh, në parlament, ai tha (po e përmbledh mendimin e tij): “Nuk mund të ndodhë më që presidenti të refuzojë të dekretojë ministra. Është koha që të ndërhyjmë”.

“Të ndërhyjmë” do të thotë “të ndryshojmë Kushtetutën”. Kështu lihet të kuptohet se ai që ka vullnet “të mirë apo të virgjër”, duhet të bëjë çmos t’i tregojë vendin presidentit “të lig e të poshtër”. Dhe mënyra më e mirë për t’i treguar vendin është ta heqë. Tentoi të bëjë këtë gjë. Por, nuk mundi. Tani do që t’i heqë fuqinë. Në mënyrë që kryeministri herë tjetër të jetë i lirë që të emërojë një 18-vjeçar në postin e Ministrit të Jashtëm, apo si Kaligula, të bëjë senator kalin e vet. E meqë kalë nuk ka, mund të bëjë senatorë gomerët e tij. Gomerë ka plot. Të gjithë e dimë që gomerë ka plot.

Dua të përsëris edhe njëherë: Ky president është i keq. Më i keqi që mund të bëhej. Por, ideja për ta ndryshuar Kushtetutën sa herë që një funksionar a dinjitar na duket i keq, është edhe më e keqe. Është edhe më e rrezikshme. Ideja për ta ndryshuar Kushtetutën sipas humorit të kryeministrit është më e keqe sesa çdo president i keq. Ideja që një kryeministër mund ta ndryshojë kushtetutën me po atë lehtësi që mund të heqë apo zëvendësojë një ministër, është shumë e rrezikshme.

Kjo ide bëhet më e keqe e më e rrezikshme në rrethanën politike të këtyre ditëve, kur parlamenti është ky që është. Është legjitim, të kuptohemi, por nuk ka kredencialet e duhura në publik, nuk ka autoritet.

Dhe në rrethanën, kur kemi këtë zbrazëti institucionale, ku nuk ka një Gjykatë Kushtetuese e gjykata të tjera.

Por edhe sikur kjo rrethanë të mungonte, Kushtetuta prapëseprapë nuk mund të ndryshohej, se i teket kryeministrit. Ndryshimi i Kushtetutës është një nga gjërat më të rëndësishme që mund të ndodhin në jetën politike e institucionale të një vendi, e prandaj është një gjë që ndodh rrallë, është gjëja e fundit që duhet të na shkojë në mendje. Dhe aq më pak duhet ta çojmë mendjen te ndryshimi i Kushtetutës me synimin për t’i ulur fuqinë një presidenti të keq.

Meqë ra fjala sërish, problemi në këtë vend nuk janë kompetencat e mëdha e të shumta të presidentit. Presidenti shqiptar, në fakt, nuk ka kompetenca. Është presidenti me më pak kompetenca që mund të imagjinohet. Dhe sado që t’i hiqen e kufizohen, ai prapëseprapë mund të bëhet problem nesër. Sepse një president, edhe pa kompetenca, e ka në dorë të bëjë të pabëra. Ai është kreu i shtetit. Atëherë? Do duhet sërish të ngrihemi e të kërkojmë kufizimin e mëtejshëm të komptetencave të tij? Kjo është absurde!

Socialistët nuk duhet të merren më me këtë president. Jo vetëm nuk duhet ta çojnë në mendje ndryshimin e Kushtetutës për të minimizuar rolin e tij, por edhe nuk duhet të merren më me presidentin me emrin Ilir Meta. Ky është presidenti që socialistët kanë zgjedhur. E zgjodhën me një qëllim politik: të dobësonin LSI-në, një rival të tyrin. Epo nuk mund t’i kenë të tëra. Nuk mund që të dobësojnë një rival të tyrin, e në të njëjtën kohë, të marrin një bonus: të fitojnë institucionin e Presidencës. Kështu, loja do të na ishte shumë e thjeshtë. Lojra të tilla të thjeshta, ku për çdo përfitim merret një bonus, ndodhin vetëm në regjimin e Kim Jong Un-it.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej