Deklasimi, është një tipar që e ka shoqëruar Partinë Sociaiste qysh në themelimin e saj në vitin 1941 e deri më sot.
Ka ndryshuar vetëm mënyra se si aplikohet, por jo thelbi i saj. Në diktaturën komuniste kjo parti e kishte praktikë të saj-bazë deklasimin e armikut të brendshëm dhe të jashtëm.
Kështu funksionoi Enver Hoxha për mbi 45 vjet. Asgjë nuk ka ndryshuar sot në PS. Deklasimi është praktika më e përdorur nga Edi Rama, por në kushtet e pluralizimit politik.
Debati i nxitur nga Ben Blushi për mungesën e demokracisë në Parti, për shkelje të rregullave statutore, për keq-qeverisje, për kapje të partisë nga njerëz që s’kanë kurrfarë lidhje me PS-në, për kriminalizim të kësaj partie e të tjera, por tentohet të shitet nga Edi Rama si një shpikje e armikut të brendshëm të PS-së.
Deputetë e ministra janë lëshuar në sulm kundër Ben Blushit. Por, ata nuk sulmojnë një tjetër kandidat që është shfaqur në garën për kryetar të PS-së, Eduard Ndocajn, apo si quhet ndryshe deputeti kaubojs i Edi Ramës.
Eduard Ndocaj ka deklaruar ambicien e tij për kryetar të PS-së, të njëjtën gjë ka deklaruar edhe Ben Blushi. Me sa duket, Rama po përpiqet t’i vendosë në të njëtën pozitë për ta bërë këtë mision të pamundur të Blushit, si një garë qesharake. Ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që Eduard Ndocaj të ketë vendosur të deklarojë kandidimin, pikërisht i nxitur nga Edi Rama.
Në këtë mënyrë, ai tenton që në sytë e socialistëve, ta barazojë Ben Blushin me deputetin kaubojs.
Ben Blushi si do të dontë ta paraqiste Rama
Për Edi Ramën, Ben Blushi është një serhirxhi që di vetëm të flasë e të kritikojë. Ben Blushi për të nuk është një rival dhe jo për shkak se nuk e ka kaluar “vijën e kuqe” të shkeljeve të rregullave të partisë, por për shkak se nuk e ka peshën politike sipas tij.
Ben Blushi është populist sipas Ramës dhe nuk e thotë ai por e gjtihë lukunia e njerëzve që i janë lëshuar kundër Ben Blushit, si: Erion Braçe, Taulant Balla, Arben Ahmetaj, Olta Xhaçka, Gramoz Ruçi, Saimir Tahiri por edhe “beu i Jugut”.
Për Edi Ramën, Ben Blushi është “armiku i brendshëm”, sepse këtë e ka thënë përmes Koço Kokëdhimës. Në fjalimin e tij para socialistëve të Jugut, një javë më parë, Kokëdhima tha se duhet të jemi vigjilent ndaj kundërshtarëve të jashtëm, por edhe atyre të brendshëm që nuk e duan të mirën e Partisë Socilaiste.
Për Gramnoz Ruçin, Ben Blushi: “nuk ka plotësuar ende formularin e ri të anëtarësimit të partisë”. Por nuk ka një përgjigje për akuzat, se në PS ka vdekur liria e demokracia, e as për akuzat e argumentuara se Rilindja nuk ekzistoi kurrë.
Por çfarë përfaqëson Ben Blushi për anëtarësinë e PS dhe më gjërë
Ben Blushi, është një ndër drejtuesit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste në 15 vitet e fundit. Ka qënë rival dhe mbështetës i Edi Ramës në momente të ndryshme.
Guxon gjtihmonë të thotë atë çfarë nuk shkon në parti, duke ndërmarrë deri edhe akuza shumë të ashpra ndaj qeverisjes së saj. Për socilaistët Ben Blushi është drejtuesi i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS në vitin 2009, ku iu bashkuan edhe katër deputetë të cilët sot nuk janë më në PS dhe që për hir të së vërtetës Blushi i la në mes të rrugës.
Po çfarë përfaqëson Eduard Ndocaj për Edi Ramën?!
Një deputet i Partisë Socialiste, për të cilin nuk ka thënë as më të voglën kritikë. Për Taulant Ballën, Arben Ahmetajn, Gramoz Ruçin, Olta Xhaçkën, Erjon Braçen, Saimir Tahirin, Eduard Ndocaj është një deputet i PS-së dhe kandidat i vetëshpallur për kryetar partie. Asnjë kritikë nuk e kanë artikuluar ndaj tij. Në fund të fundit, Eduard Ndocaj ka shpallur kandidaturën për kryetar të PS-së dhe po kërkon të njëjtën gjë si Ben Blushi.
Kush është Eduard Ndocaj për elektoratin e PS-së dhe më gjerë?!
Një deputet që erdhi në Kuvendin e Shqipërisë, përmes listës më problematike të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, sa i përket kriminalizimit të politikës.
Dy muaj më parë, Eduard Ndocaj, erdhi në grupin parlamentar socialist, si e vetmja mundësi për PS-në në Lezhë pas Armando Prengës, i akuzuar nga PS për të shkuarën e tij kriminale, i arrestuar për tentativë për vrasje. Eduard Ndocaj vjen si mundësi e vetme për PS-në, pas dorëheqjes së Arben Ndokës prej mandatit të deputetit, pasi u akuzua nga opozita për të shkuarën e tij kriminale. Për socialistët, Eduard Ndocaj është deputeti që akuzoi publikisht kryetarin e PS-së, Edi Rama se kishte paguar një drekë për të, me shumën 8 mijë euro dhe se kishte dhënë 500 mijë euro donacion për PS-në.
Për socialistët, Eduard Ndocaj është deputeti kaubojs, i cili është bërë shpesh subjekt humori për rrjetet sociale, studiot televizive e faqet e gazetave.
A do t’ja dalë Edi Rama ta barazvlerësojë kandidimin e Ben Blushit me atë të Eduard Ndocajt?!
Përmes deklasimit ndoshta po. Kjo do të ndodhë, nëse Gramoz Ruçi do të vazhdojë t’i trembet Edi Ramës e Koço Kokëdhimës.
Por nuk janë të gjithë njësoj. Mimoza Hafizi, deputete e Shkodrës, ka dalë sot hapur. Ajo i bashkohet Blushit për një Parti tjetër Socialiste, të drejtuar bazuar në statutin e partisë m,bi vlerat që kjo parti ka mundur të akumolojë këto 25 vjet.
Është e pamundur që PS-ja të mos ketë të tjera raste si Mimoza Hafizi. Ndoshta ajo guxoi se është e lirë dhe se Rama nuk e ka një dosje për të, ndoshta se ajo nuk ka shfaqur ambicie për tendera e konçesione.. ndoshta se ajo nuk ka frikë nga deklasimi. Fundja frika nga deklasimi nuk mund ta çojë PS-në deri në atë ditë sa vetëm një deputete grua, të guxojë t’i thotë “Jo” autoritarizimit në PS.
Ben Blushi ka vënë në provë militancën e gjerë të së majtës, nëse do t’i nënshtrohen vullnetit të “beut të Jugut” ashtu siç ata vetë e quajtën, apo do të triumfojë vullneti i lirë i socialistëve të ndershëm.