Ekonomia shqiptare në vitin 2018 i ngjan një molle të kuqe, që nga jashtë duket e bukur, por nga brenda krimbat po e bëjnë punën e tyre. Themi e bukur nga jashtë, pasi ndërtimi, fillimi i projekteve kapitale“OneBillion” dhe shërbimet e nxitura nga turizmi, së bashku me punimet që do tëvijojnë për projektin e gazsjellësit TAP, pritet që tënxisin rritjen edhe këtë vit, ashtu siç ndodhi nëvitin 2017.Turizmi do të nxisë tregtinë dhe konsumin. Eksportet pritet që të vazhdojnë rritjen me të njëjtat ritme si në 2017-n, të udhëhequra sërish nga tekstilet dhe materialet e ndërtimit e metalet. Edhe lajmet nga fqinjët janë pozitive, të paktën në 2018-n, Greqia pritet të rritet me 2.3%, sipas OECD dhe Italia me 1.5%, për t’u ngadalësuar një vit më pas.
Themi e kalbur nga brenda, pasi orientimi i dukshëm i kapitaleve në ndërtim, ndërsa gjallëron punësimin dhe zinxhirin e bizneseve që e mbështesin në afatin e shkurtër, nuk sjell rritje produktiviteti dhe nuk ndihmon zhvillimin afatgjatë. Përkundrazi, rendja drejt kullave rrezikon të krijojë një flluskë të madhe. Edhe investimi në turizmin e luksit është një thikë me dy presa, pasi nuk i përgjigjet kërkesës reale. Industria përpunuese, nga ana tjetër,është në prag mbijetese dhe hapja e tregjeve me rajonin pritet t’i japë goditjen finale. Konsumi mbetet anemik dhe rritet me ritme më të ulëta se ekonomia. Biznese të mëdha po mbyllen, të tjera janë në shitje.
Projekti “One Billion” ka rrezik të kthehet në një kosto të madhe që do ta paguajmë të gjithë në vitet në vijim. Eksportet vijojnë të jenë të mbështetura te kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe shitja e burimeve natyrore.
Molla do të vijojë të shkëlqejë edhe këtë vit, por sfida e vërtetë fillon në 2019-n, kur projektet e TAP dhe Devollit të kenë përfunduar tërësisht dhe ndërtimi të ketë filluar shfryrjen. Jo më kot, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur së fundmi parashikimet për rritjen ekonomike në vitin 2018 (nga 4.1% në 3.7%) si dhe pritshmëritë për kërkesën e brendshme dhe investimet bruto, në një sinjal se në afatin e mesëm, vendi do të ketë të vështirë të gjenerojë burime të reja të rritjes, pas përfundimit të projekteve të mëdha.
FMN është e shqetësuar gjithashtu për një “shthurje” fiskale të qeverisë, pas planeve të saj të mëdha për projektet e Partneritetit Publik-Privat. “Rreziqet më të mëdha për ekonominë janë një devijim i politikave qeveritare nga rruga e tyre aktuale, veçanërisht nga trajektorja fiskale dhe premtimet kryesore të reformës”, ka pohuar për “Monitor” përfaqësuesi i Përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Shqipëri, JensReinke.
http://www.monitor.al/ekonomia-shqiptare-mes-dy-ekstremeve-ne-2018-n/