Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Tulipani hollandez që trazoi qerpiç politikën e Tiranës

Nga Media 0

Nga Lorenc Vangjeli

Madeleine Van Toorenburg është një deputete hollandeze, e cila në rini duhet të ketë trazuar shumë zemra me hiret e saj. Sot, kur ajo ka pak që ka kaluar ditëlindjen e saj të 50-të, tronditi shumë zemra shqiptarësh. Van Toorenburg është një nga hartueset e mocionit që i kërkon qeverisë së saj nisjen e procedurave për rikthimin e vizave në hapësirën Shengen për shqiptarët. Arsyeja, sipas saj ishte ngritja e një barriere për të mbrojtur vendin e saj nga kriminaliteti i organizuar shqiptar.

Kjo ishte shumë më shumë se shumë e mjaftë që ndaj saj të shpërthejë histeria tipike ballkanase. Me dy mënyrat e vetme që njihen në këto vise për të shprehur ndjenjat: me dashuri dhe urrejtje. E deshën me marrëzi opozitarët që e panë atë si notere të të gjitha akuzave që i kanë drejtuar Ramës. E përçmuan me patos gjithë patriotët vendas të krahut tjetër që kujtuan në rrjete sociale e meme pafund, qasjen liberale hollandeze ndaj drogës dhe seksit.

Gabuan të dyja palët që ja bëjnë llogaritë zonjës Tooreburg me arsyetim shqiptar. Ajo është thjesht një hollandeze e mirë, pavarësisht mjetit tmerrësisht të keq, joproporcional dhe alogjik që zgjodhi për të ujitur tulipanin e saj me lotët e mundshëm të të gjithë shqiptarëve.

Vendimi hollandez është dëshmia e radhës për të kuptuar sesa të ndara janë palët në Shqipëri, që e kanë të pamundur të bëhen bashkë edhe përballë rrezikut të përbashkët.

Opozita e Bashës dhe Kryemadhit nuk e fshehu dot gëzimin e lig dhe naiv se paralajmërimet dhe akuzat e tyre për lidhje të krimit me politikën, ju doli “shahit” dhe Hollada.

Shumica tentoi ta zerojë ndikimin e këtij vendimi. Dha garanci se organi më i lartë legjislativ i Vendit të Ulët, nuk do të arrijë të kushtëzojë vizat për shqiptarët. Dhe se tiradat kundër rrezikut të krimit shqiptar, shpjegohen si pjesë e një ndeshjeje politike lokale.

Fatkeqësisht, edhe njëherë si përherë, në Tiranë nuk njihen nuancat, por vetëm bardh’ e zija, nuk njihet ekuilibri, por vetëm ekstremi, nuk njihet heshtja e reflektimit, por vetëm ulërima e reagimit patetik. Ka një të vërtetë tjetër, shumë më të ndryshme nga ajo çfarë palët në konflikt e tregtojnë si të vërtetën e tyre absolute. Çfarë ndodhi në Hollandë është një akt tmerrësisht i rëndë dhe një këmbanë alarmi për të kuptuar dhe njëherë se armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, vazhdojnë të jenë shqiptarët.

Nëse holandezët, gjermanët, francezët, italianët apo dhe grekët, do të dëgjonin Bashën, Kryemadhin apo dhe vetë Doktorin apo edhe nëse besonin opozitën e djeshme socialiste çfarë thoshte, secili nga ta, do të ndërtonte një kafaz me tela me gjemba për shqiptarët. Dhe do t’u afronte atyre një izolim shumë më të thellë se burgu fizik dhe psikologjik, real dhe moral që ju kishte ndërtuar dikur Enver Hoxha.

Nëse do të dëgjonin fjalimet e Ramës sot në pushtet apo do të besonin hosanatë folklorike të Doktorit dje, do të dyndeshin gjermanë, francezë, italianë e hollandezë, e bashkë me ta, edhe kuçi, edhe maçi, që të jetonin në Shqipërinë që Lulëzon në begati dhe begaton duke EdRamuar.

Askush nga këta dashnorë pushteti nuk dëshiron të kuptojë se nuk ju ka faj Hollanda që ata vetë janë autorë përfitues dhe viktima direkte të të njëjtit sistem që kanë shpikur për hir të pushtetit: marin me qera krimin për muajin e zgjedhjeve njëherë në katër vjet dhe i koncesionohen atij me vullnet për katër vjet të plotë.

Beteja për sigurinë në vend dhe lufta kundër krimit të organizuar shqiptar, në vend dhe në BE, nuk mund të luftohet vetëm me masa policore. Kjo është aksioma e parë që duhet zbatuar për të pasur sukses. Kërkohet një përgjigje politike sepse krimi nuk mposhtet me kallashnikovët e policisë. Në këtë luftë me shumë beteja, armiqtë e politikës, Rama, Basha, Kryemadhi dhe Berisha e Meta, duhet të kuptojnë se janë të dënuar të jenë ngushtësisht aleatë. Ndryshe do të jenë të gjithë së bashku të mposhtur nga banditizmi. Do të munden përfundimisht nga ata që e kanë nisur dikur jetën e tyre të stuhishme si shërbëtorë të politikanëve dhe sot i kanë të gjitha gjasat të sillen si padronë të politikanëve.

Madeleine apo siç lexohet në shqip, Madalena, nuk është shenjtore. Eshtë një politikane që normalisht bën hesapet e saj, ashtu siç beson dhe gjykon se duhet t’i bëjë. Ndaj kush i gëzohet apo mallkon bijën e Tulipanit, e ka gabim. Për fatin tonë të keq, ajo vetëm sa rikujtoi në Tiranë, se me krimin humbasin të gjithë.

/javanews.al/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej