Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kryetari Shpëtim Idrizi i e zbriti sërish partinë e tij në sheshin e politikës aktive, duke folur hapur për procesin e manipuluar të vjedhjes së zgjedhjeve të një viti më parë, duke zbuluar një agjendë greke pas dëshirës së ethshme që PDIU mos të kishte ligjvënës çamë në Kuvend. Ai thotë që pa deputetët çamë nëpër këmbë po kalohen marrëveshjet e turpshme të detit, varrezave boshe, politikat shoviniste të toponimeve, plazmimi i plotë i projektit të Megalo Idesë. Ai thotë se për të mbajtur pushtetin tradhëtarët e kombit po lëshojnë shqiptarinë.
Më poshtë fjala e plotë e Shpëtim Idrizit në Këshillin Kombëtar të PDIU-së.
https://www.facebook.com/pdiu.al/videos/1894495647256822/
Të dashur vëllezër dhe motra,
Një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë, Migjeni tek “Të birtë e shekullit të ri” shkruan: “…të jem’ nji thumb i ngulun nder trutë e njerëzis”.
Ja, kur ritakohemi sërish në Këshillin Kombëtar të PDIU-së dhe më kujtohet pikërisht ky varg, sa për t’u thënë keqdashësve, mjeshtrave të intrigës, frymëzuesve që tentuan të na zhduknin politikisht dhe jo vetëm, se ja ku na kanë si një thumb i ngulun në trurin e tyre të sëmurë.
Kështu do të na kenë sa herë që ata mendojnë se fitojnë, sa herë që mendojnë se nëpërmjet kulisës do ia dalin të zhdukin këtë aspiratë kombëtare që quhet Çamëri!
Këtu do të na kenë si thumb i ngulun në trurin e tyre pervers, sa herë që do të mendojnë se do të zhdukin vullnetin politik të një partie kombëtare si PDIU.
Sido që të numërojnë votat, sido që të bëjnë llogaritë e mandateve tona, nuk shbëjnë dot një fakt të thjeshtë që gati 80 mijë shqiptarë votuan PDIU-në nga veriu në jug, pa kurrfarë dallimi krahinor, toskë e gegë, kristjanë dhe myslimanë.
Këtu do të na kenë si thumb të ngulun në trurin e tyre marrok sa herë mendojnë që do të shpërbëjnë një organizim politik si PDIU apo Shoqatën “Çamëria”.
Le të çojnë emisarë, apo të shpërndajnë viruse si krimba toke, por nuk e prishin dot gjithë këtë lëvizje, sepse kjo nuk është partia e dikujt, por është Partia e një kauze që kërkon drejtësi.
Ata me marrëveshje, Kod a presion mund të vjedhin mandatin e Shpëtim Idrizit, Takut, Mesilës a Nustretit, por ti nuk vjedh dot historinë tonë, misionin, arsyen përse Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është në politikë.
Nuk e vjedh dot Çamërinë, sado që të flasësh për të!
Nuk e vjedh dot shqiptarinë, sado të përbetohesh për të!
Të dashur motra dhe vëllezër,
Pas një viti që u krye ai turp që guxuan t’i quajnë zgjedhje, pasojat e të cilës e mungesën e një vizioni në ekonomi apo sherin politik për kanabizimin e shoqërisë, po i vuajmë përditë, unë jam i bindur se kemi patur të bëjmë me një strategji të mirëfilltë për të lënë Çamërinë pa përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë. E fundit, ajo që ndodhi me farsën për Aqif Rakipin.
Kjo, jo vetëm për ta patur të gjithë tepsinë për vete, por kjo startegji na u bë e qartë, kur Çështja Çame, nuk u përfshi më në programin e kësaj qeverie me timon e tepsi e arrogancë në dorë.
Sot, është më e kulluar se kurrë që, ligjvënësit çamë në Parlament, veç do prishnin punë. Si mund të punonin të qetë me neve nëpër këmbë, kur këta kanë bërë të pabëra që nuk guxonin as vetë grekofonët t’i mendonin në marrëveshjet me Greqinë, kur e gjithë agjenda greke dhe 6 pikat e famshme të Micotaqisit, pothuase janë bërë realitet, kurse ne kemi në dorë vetëm vulën apostolike e premtimet për heqjen e Ligjit të Luftës…
Ka qenë një strategji e qartë që mos të kishte përfaqësim të Çamërisë në këtë Kuvend, madje kërkesë e prerë e “vëllezërve” grekë të miqve të rinj të valleve, sepse vetëm kështu mund të kalonin:
– Ligjin per toponimet, ku pleqtë tanë 75-85 vjeç të ishin të detyruar të ndryshonin vendlindjet e tyre në pasaportat shqiptare, sepse grekët kërkonin të zhduknin identitetin çam, madje duke kërkuar të zhduknin dhe emrin e Çamërisë.
– Ligji për minoritetet, ku Shqipëria na doli vend multientnik me nëntë pakica kombëtare , e zonat minoritare të vendosura që në kohën e mbretit Zog në Finiq e Dropull të ishin koncept hoxhist.
– Varrezat e ushtarëve grekë që e kanë bërë Këlcyrën qilizëm dhe po mbledhin kockat e të parëve tanë duke na i quajtur Jani e Mihal.
– Marrëveshjen e detit që na e kanë sjellë kufirin deri tek bregu i dytë. A e dëgjuat gëzimin e Panos Kammenos që shpalli se po zgjerojmë ujërat territoriale? A e patë se si fryhen gjelat e Greqisë tani, që po përpiqen të marrin gjithë atë pasuri si mbi, ashtu dhe nën ujë. A po ndjehet kush? Nuk pipëtin asnjë, as Kryeministri, as Presidenti, as ministri i Jashtëm Dhimitër Bushati, askush. Madje, as këta të opozitës nuk hapin gojën. Askush.
Po mirë, po ju pyes unë juve çfarë fituan këta nga gjithë kjo tollovi që kanë krijuar?
E hoqën gjë Ligjin e Luftës?
Jo! Jo! Dhe jo!
Vetë Cipras dhe Kocias kanë deklaruar se formalisht jemi në luftë me Shqipërinë. Ne i lëmë të ngrenë varreza të ushtarëve grekë, ndërsa këta thonë që jemi në luftë me Shqipërinë. Atëherë mos nuk duhen mbyllur këto varreza, sepse meqë lufta vazhdon ka për të patur të tjerë të kufoma, të tjerë të vrarë.
Po për kërkesën e Shoqatës “Çamëria” për ngritjen e Varrezave në Çamëri dhe të një përmendoreje për partizanët çam të Ellasit? Asgjë, se mirë për grekun të vdekurit tanë s’janë njësoj, por dhe për palën tonë nuk vlekan njësoj.
Po për kërkesën tonë të përsëritur që shqiptarët e Çamërisë dhe arvanitasit që jetojnë në trojet e tyre në Greqi të marin statusit e Minoritetit Etnik Shqiptar? Këtë status e kanë patur qysh në vitin 1927. Po për hapjen e shkollave shqipe? Mos më thoni se nuk e dini apo s’i mbani mend, se i takoni çdo verë, kur shkoni me pushime në Volë, Pargë, Artë, e më deklaronit sa vend i bukur është e të gjithë flisnin shqip.
Kurse për Çështjen Çame tashmë lehtësisht e me bezdi sa herë ju pyesin deklaroni që e përdorëm për të ngritur temperaturën me Greqinë. Ç’deklaratë mendjelehtë nga dikush që mendon se ka fatet e Çamërisë në dorë dhe të vendit?!
Pastaj e harruan fare, ose më saktë ju deshën pesë vjet kësaj qeverie që të thoshte që Çështja Çame është çështje e të drejtave të njeriut, por grekët nuk e e pranojnë?! Kaq!!
Asnjë angazhim konkret, asnjë konsultë, asnjë përpjekje, qoftë dhe e vogël me fakte a dokumenta historikë për idiotësitë që përdoren si argument politik nga ata që janë ende në luftë me ne.
Gati-gati sa nuk thonë që mos e përmend Çamërinë, se na mërzitet greku, pasi na e merr për pretendim territorial.
O tempora, o mores!
Këta po na marrin territore, po na marrin detin, pasurinë miliarda dollarëshe të naftës që gjendet në pjesën tonë, ne kemi hall mos na mërzitet Kocias që e kishte xhaxhain, njeriun e Gestapos!
Me këtë farë politike vasale karshi Greqisë, ne sot nuk kemi këllqe as të mbrojmë dinjitetin tonë, jo më të na shkojë në mendje ndonjë pretendim territorial.
Prandaj, duke synuar eleminimin e plotë të faktorit politik të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet u gënjeu mendja se do i kishin duart e lira të gjenin shesh e të bënin përshesh.
Padyshim më lehtë e kanë patur, kanë shirë në lëmë sa kanë dashur, por në të njëjtën kohë kanë rendur me vrap, kanë fuguar si të lojtur drejt një fundi që do të jetë turpi i tyre politik, por kurrë turpi ynë kombëtar!
Prandaj, jemi këtu në këtë Këshill Kombëtar si thumb i ngulun në trurin e tyre të vockël sa një kokërr misri.
Ne e dinim që Greqia do bënte gjithçka për të na lënë jashtë Parlamentit që ta kishin më të lehtë për të plazmuar projektin e tyre famëkeq të Megalo Idesë dhe Vorio – Epirit, por nuk mund ta besonim dot kurrë që do të kishte bir shqiptari, që të mos linte gjë pa bërë që ta kryente më së miri këtë punë të ulët, të turpshme, këtë krim ndaj shqiptarisë.
Përse sot grekët, as nuk pranojnë të flasin për Çështjen Çame, të paktën aq sa u fol në vitin 1984, apo më mirë akoma sa në vitin 1993, kur në tryezë bisedohej për pronat dhe për varrezat e shqiptarëve në Çamëri.
Mjaftojnë të hapim memuaret e takimeve Sereqi – Papulias ose Meksi – Micotaqis.
Lëre pastaj po të konsultohen me korifenjtë e diplomacisë së Mbretit Zog, si Rauf Fico e Mehdi Frashëri. Ose, meqë e mbajnë veten për të majtë, të shohin se çfarë bëri i majti, imzot Fan Noli në Lidhjen e Kombeve për Çamërinë.
Çështja Çame zgjidhet me seriozitet, kur të ketë liderë të vërtetë që njohin historinë e tokës së tyre.
Jo si këta që na kanë rënë në derë, të cilët pas tre vjetësh sokëllimash të patriotëve shqiptarë e morën vesh çfarë përmase kishte Çështja Çame. Madje, e dinin një grumbull katundesh andej nga jugu, prandaj e kam thënë dhe më parë që më është dashur t’i mësojë historinë e Çamërisë.
Në fakt, për Çështjen Çame nuk mjafton vetëm foklori, se falë Zotit “Tumankuqen” e kanë mësuar të gjithë, por duhet patjetër që këta diplomatët e sotëm të mavijosur të nisin të kërkojnë dokumentat e gjyqit farsë të Janinës.
Greku duhet të shohë që me mbështetjen e qeverisë shqiptare çohet në Strasburg çështja e pronave të shqiptarëve të Çamërisë. Pala jonë në gjyq duhet të mbrohet Avokati i Popullit, sepse si dhe e kanë pranuar vetë është çështje e të drejtave të njeriut.
Paralelisht me këtë duhet të nisin lobimin në të gjitha kancelaritë, ku shkojnë lypin për faqen e tyre të zezë.
Është detyrë kushtetuese e kësaj qeverie dhe e të gjitha qeverive shqiptare që do të vijnë pas që të bëjnë lobim të vërtetë për Çamërinë në Bruksel, në Shtetet e Bashkuara.
Dikush këtu mund të thotë se ku do të gjenden paratë për këtë gjë, përderisa edhe partia që përfaqëson e vetme Çështjen Çame po e sulmojnë nga të gjitha anët, në mënyrë që ta vdesin…
Jua them unë se ku gjenden fondet.
Lekët që shoku Rama dhe zoti Basha i harxhuan për foto me Donald Trump apo lobim patriak që t’i marrë me sy të mirë Amerika, nuk janë pak për të bërë lobim në Shtetet e Bashkuara për Çamërinë.
Nuk janë pak ato para për të rrëfyer në Kongresin dhe Senatin amerikan këtë tragjedi, ku të vdekurit dhe të gjallët janë ende në dënim shembullor edhe pas 70 e ca vjetësh.
Nëse do të kishin dy fije ndërgjegje kombëtare do ia kishin treguar botës këtë padrejtësi të madhe historike.
Por, nuk e bëjnë, sepse janë dritëshkurtër, janë frikacakë.
Dinë të ngrefen vetëm këtu, në këtë vend të mbaruar nga varfëria e mungesa e shpresës, si gjeli majë plehut.
Por, ja ku u themi që neve nuk na mundi dot Zerva dhe Enveri e jo më pinjollët e tij dhe fantazmat e hashashit!
Megjithatë është e trishtueshme të shohësh se si po reagojnë shqiptarët ndaj kësaj gjëme që i ka zënë.
Prej kësaj politike që lëshon vetëm duhma hashashi,e që po mblidhet një grusht nga reforma në drejtësi – shqiptarët e kanë mendjen të gjithë për t’ia mbathur.
Në këto pesë vjet janë larguar nga kjo tokë 400 mijë njerëz.
Një përzënie të kësaj natyre, me këtë lloj përmase të frikshme nuk na e kanë bërë as pushtuesit, por po e bën kjo politikë e mbrapshtë, që po e detyron popullin e vetë të ikë nga sytë këmbët.
Ata që kanë mbetur, që ende nuk e kanë gjetur shtegun e shpëtimit, ose presin të plotësojnë masivisht llotaritë amerikane, kanadeze, neozelandeze, ose janë zhytur në gangrenën e kumarit, bastoreve, llotove, të cilat janë kthyer në kancerin e xhepit dhe shëndetit mendor.
Unë e di që përballë varfërisë, ikjes masive nga ky vend, mungesës së shpresës, një ekonomie pa asnjë strategji zhvillimi e prespektive, me të cilën nuk konkurojmë asnjë, as në rajon, është e vështirë të flasësh për Çështjen Çame apo strategji kombëtare zhvillimi që kalon nga Komunuelthi ekonomik i shqiptarëve.
Por, pa dinjitet e identitet kombëtar nuk mund të ketë qytetar që reagon, qytetar që kërkon llogari, kurse pandëshkueshmëria bëhet normë e fiton qytetarin si ves.
Tani pyetja është se çfarë duhet të bëjmë ne? Të rrimë e të qajmë për këtë të keqe që na zuri?
Jo! Përgjigjia është fare e thjeshtë: Ne duhet të ringrihemi!
Çamët, Çështja Çame nuk lindën, as u lartësuan vetëm në Parlament.
Ne jemi një fis ilirësh që kemi parë dhe hequr shumë.
Kujtoni etërit tanë që na rritën mes vuajtjes dhe diskriminimit dhe kurrë nuk e ulën kokën.
Prandaj, neve thjeshtë sa duhet të vazhdojmë udhën tonë që na e kanë shenjuar të parët.
Ne forcën nuk e kemi tek vrima e tepsisë, por tek arsyeja dhe qëllimi pse jemi bashkë.
Duhet të vëmë në vend dinjitetin e drejtësinë!
Për çfarë drejtesie na flasin këta sot, teksa fëmijët e dikurshëm kërthinj, sot pleq nuk shohin dot akoma shtëpitë e tyre, ku për herë të parë u vrau dielli syrin!
Prandaj, ne duhet të ringrihemi që të vazhdojmë rrugën tonë më fortë, më të qartë për hijenat e politike shqiptare që pasi e sollën këtë popull rrotull për 27 vjet në raskapitje e varfëri, s’kanë as turp, as nder e as dinjitet.
Nuk është aspak e largët dita që tymi i hashashit do daravitet dhe do të jetë po ky popull që duket kaq i lodhur sot, që do ta çojë për skrap tepsinë e pushtetit okult, i cili merr pushtet dhe lëshon shtet.
Kodi zgjedhor u jep këtyre fuqi, ku fituesi ushqehet me pushtet e pastaj këtë pushtet e kthen në tendera, licenca, vende pune, para, me të cilat blen vota dhe qeverinë.
Sot, Shqipëria duket si një vend pa shpresë, ku ca pushtetarë e një dorë oligarkësh i kanë të gjitha e nuk nginjen dot, kurse të varfërit janë falenderues që janë gjallë.
Por, një ditë shqiptarët do e kuptojnë që kanë lëshuar nga dinjiteti e integriteti i tyre kombëtar.
E keqja është se Atdheu nuk negociohet, por ruhet me dinjitet dhe ja kemi amanet fëmijëve si na e kanë lënë prindërit neve.
Si ka mundësi që 76 mijë votat e PDIU-së, të barabarta për shtatë deputetë, sot nuk egzistojnë të përkthyera në mandate, madje ka ca farë politikanësh që krekosen me to çdo ditë në televizor.
Jo, ne duhet të ringrihemi, edhe sepse e dimë që rruga jonë gjithmonë ka qenë e mundimshme.
Kemi 70 e kusur vjet që nuk na zënë këmbët dhe, kështu që ne duhet të vazhdojmë më fortë, më ashpër betejën tonë.
Askush nuk na ka falur kurrë, qoftë dhe një gotë ujë, ndaj të jemi të ndërgjegjshëm që ashtu si ia dolëm deri më sot, do t’ia dalim dhe nesër.
Ne që e bëmë një herë e bejmë prapë… ja ku jemi të gjithë ne…
E ju e dini që ajo që s’të vret të bën më të fortë!
Sigurisht, duke analizuar dhe nxënë nga gabimet e defektet tona, por në të njëjtën kohë duke fituar vetëdijen se nuk kemi përballë vetëm një vend si Greqia, por dhe sojin e squllur e të shitur përballë Athinës dhe “garipa” të mëdhenj, kur janë në Tiranë.
Tani dëshiroj të ndalem pak tek paçavurja e fundit zgjedhore që u krye në këtë vend.
PDIU mori në total në rang vendi më shumë vota se kurrë më parë në historinë e saj, duke u konsoliduar si një ndër katër forcat e vetme me prezencë kombëtare.
PDIU mori më shumë vota se asnjëherë tjetër në Tiranë.
Jam i bindur që po të numëroheshin votat me zemër të pastër, ne do të kishim jo një, por dy mandate të sigurta në Tiranë.
Në kuti janë, por mesazhi ishte që mos të lejohej në Tiranë asnjë ligjvënës çam, e aq më shumë kryetari i tyre. E në favor të kujt shkuan votat e 12470 shqiptarëve që nuk janë statistikë, po vullnete njerëzish, kur mandati fundit në Tiranë shkoi për Partinë Socialiste me 11 mijë vota?
PDIU do të kishte më shumë mandate se çdo herë tjetër, nëse nuk do të ishte marrëveshja e jashtëligjshme bipartiake për ndalimin e koalicioneve.
PDIU do të kishte sot në parlament shtatë deputetë, nëse do të përkthehej në mandate numri i votave që ne morëm kudo nga veriu në jug.
PDIU do të ishte sot vendimtare në përcaktimin e shumicave, nëse do të zbatohej Kodi Zgjedhor, por kjo nuk ndodhi, sepse u luajt një farsë që sot ka vënë në rrezik demokracinë, ekuilibrat e shtetit që si kurrë më parë ndodhet sot në zgrip.
Mbetja jashtë parlamentit e drejtuesve politikë të PDIU vjen si pasojë e faktorëve të jashtëm, të cilat i përmenda dhe më parë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka patur gabime ndër nesh në organizimin e brendshëm.
Për këtë duhet të nisim ringritjen e strukturave tona, zgjedhjet në të gjitha nivelet e PDIU-së nga kryetari e më poshtë për ta bërë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet më të madhe sesa realisht është.
Por, në proces zgjedhor dhe ristrukturimi duhet të hyjë dhe Shoqata “Çamëria”.
Realiteti i ri parlamentar vërtetoi një herë e përgjithmonë se PDIU është garancia kombëtare në Kuvend.
Mungesa jonë në këtë institucion të lartë ka bërë që jo vetëm qeveria, por as opozita të mos artikulojnë më Çështjen Çame, duke e “harruar” atë brenda ditës.
Tani prej mungesës sonë as që e përmend kush bashkimin ekonomik dhe kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kjo fakton, që deri më dje e bënin, për shkak të fuqisë specifike që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet kishte në Kuvend.
Prandaj, kjo është një arsye më shumë që ta risjellim peshën tonë specifike më lart se sa kanë qenë dhe të bindim shqiptarët që vetëm përmes një PDIU-je të fortë do të ketë artikulim të qartë dhe të pastër të Çështjes Çame dhe Çështjes Kombëtare, jo vetëm nga ne, por nga e gjithë klasa politike.
Thënë ndryshe, duke mbështetur PDIU-në, mbështetet artikulimi i Çështjes Çame dhe Çështjes Kombëtare nga të gjithë deputetët e parlamentit.
Qasja ideore për të kaluar këtë ngërç është që të tregohemi më të fortë se kurrë më parë. Le ta nisim me Javën Çame!
E kemi quajtur këtë javë: Çamëria nuk harron!
E ne s’do të harrojmë kurrë as tragjedinë, as padrejtësinë, por s’do të harrojmë kurrë dhe miqtë e armiqtë e Çamërisë, kushdo qofshin ata brenda politikës shqiptare.
Ne do të rivendosim në qendër të agjendës politike kombëtare Çështjen Çame dhe bashkimin kombëtar.
Kush ka menduar se këto çështje u shuan, duhet të kuptojnë se kjo sjellje e jona reflektuese gjatë këtij viti ishte zgjedhja jonë për t’i lënë një herë të lirë që të tregonin se sa e ndjejnë me të vërtetë dhe sa do t’i çojnë përpara këto punë të mëdha pa praninë tonë.
Por, kjo nuk do të thotë se çështjet tona a ne vetë u shuam.
Dhe këtë do ta faktojmë në vetëm pak muaj.
Kështu, do të bindim çdo shqiptar, se ata kanë një alternativë të sinqertë në dispozicion. Që nuk ajo bën politikë me çështjet kombëtare, por bën politikë për çështjet kombëtare dhe kjo është Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet!
Nëse kjo qasje nuk kuptohet me të mirë, e kemi alternativën në dorë: PDIU do të kthehet të bashkëpunojë, vetëm me ato forca politike që garantojnë zgjidhjen e Çështjes Çame, e kanë një program pragmatist për Çështjen Kombëtare.
Zgjedhjet vendore janë afër. Ja sa shpejt iku një vit dhe verën tjetër jemi në zgjedhjet lokale. Afro 80 mijë votat tona janë faktor në aq shumë bashki, saqë nuk e mendoni.
PDIU duhet të rinisë organizimin për t’u shtrirë në çdo fshat të vendit dhe jo vetëm në zonat urbane, siç është bërë kryesisht deri sot.
Duhet të ngrihen seksione dhe të gjenden individë që do të na mbështesin në çdo vendbanim të vendit.
Duhet të thithen drejt nesh të gjithë të pakënaqurit e kësaj klase politike, sidomos personat që nuk janë të shantazhueshëm nëpërmjet vendeve të punës.
E di që dhe ato pak të punësuar që identifikohen si të PDIU-së po hiqen nga puna çdo ditë, por ju e dini mirë që për 8 vjet ne kemi qenë pothuasje jashtë pushtetit, megjithëse kemi mbështetur çdo reformë të rëndësishme në këtë vend si Reforma në Drejtësi apo ajo territoriale.
Unë ju ftoj sot të gjithëve dhe atyre që janë “pingosur”, e deri tani kanë qenë vetëm sehirxhinj e na gjykojnë me të drejtë e pa të drejtë nga jashtë: të kuptojmë dhe besojmë fort që forca jonë qëndron tek ajo, për të cilën jemi në këtë sallë e na mbështetën 80 mijë shqiptarë:
Drejtësi për Çamërinë e amanetin e të parëve dhe Bashkim Kombëtar!