Shoqata “Çamëria” 30 vjeç/ Shpëtim Idrizi: #Çam Jam është thirrja e gjakut, prandaj nuk na fshijnë dot (film)

Duhet të lëçisni

Skënder Brataj zbulon shifrat pas masave kufizuese: Janë ulur shtrimet në spitale

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar se kemi një rritje të shtrimeve në spitale. Brataj shtoi se masat e marra kanë dhënë një...

Mbeten në fuqi masat anti-COVID, vijon kufizimi i lëvizjes në orën 20:00 deri në 06:00

Komiteti i Ekspertëve ka vendosur sot që të lë në fuqi masat shtrënguese në përpjekje për të kufizuar përhapjen e Covid-19. Në një deklaratë për...

Mblidhet komiteti i ekspertëve, Fico: 79% e rasteve në dy javët e fundit të moshave nga 24-54 vjeç

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico ka folur në mbledhjen e komitetit të ekspertëve për situatën e COVID-19 në vend. “Kemi qenë tejet të vëmendshëm në...

Minatori humbi jetën, arrestohet armatori i minierës në Bulqizë, procedohet brigadieri

Minatori Fiqiri Karaj humbi jetën ditën e djeshme ndërsa punonte në një nga galeritë e zonës D në një minierë të Bulqizës. Në lidhje me ngjarjen, policia...

Unë jam rritur si çam. Qysh kur kam ardhur në këtë botë isha “lindi çami”, u rrita si “çami”, vazhdoj të mbetem “çami”.

Si unë qenë “çami” ose “çamja” të afërmit e mij, miqtë apo dhe krejt të panjohur, të cilët u gjendën në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lushnje apo gjetkë, vetëm e vetëm se gjëma ua solli këtu gjyshërit, prindërit.

Nuk kishte rëndësi nëse mbiemrin e kishe “Idrizi”, “Taho”, “Mergjyshi”, “Sejko”, “Aliko”, “Demi”, “Dine”, “Hoxha” e plot e plot të tjerë, ne ishim të gjithë “çami”.

Ata që na thirrën kështu, jo përherë e kishin qëllimin e mirë, por sot duhet ta themi që na kanë bërë një nder të madh; duke na përcaktuar, në ndërgjegjen tonë krijuan një vetëdije të plotë se çfarë jemi, nga vimë dhe çfarë detyre kemi. Kjo ta bën jetën shumë më të thjeshtë, shumë më të guximshme, shumë më të qartë, sepse gjithkush nga ne e di si drita e diellit që ne kemi një porosi dhe kemi një detyrë të vetme, Çamërinë.

Pra, kushdo që të ishte sot në vendin tim duke folur për këtë 30 vjetor të Shoqatës Atdhetare Patriotike “Çamëria” e ka të qartë se unë “çami”, ajo “çamja” në radhë të parë kemi “Çamërinë”.

Kjo ka shenjuar rrugëtimin tim, kjo ka shenjuar rrugëtimin e gjithsecilit prej nesh.

Fjala vjen, para 30 vjetëve unë isha një nga ata studentët e dhjetorit, isha në protestën për të rrëzuar regjimin, komunizmin, sepse unë “çami”, si shumë shumica dërrmuese e ne “çamëve” na dënuan, na vranë dy herë. Fillimisht zervistët, më pas enveristët. Prandaj, unë e kisha vendin tek studentët dhe ethshëm u përfshiva në krijimin e asaj lëvizjeje që solli pluralizmin dhe opozitarizmin.

Por, në të njëjtën kohë, në të njëjtat ditë, po në Tiranë, po krijohej një tjetër lëvizje, e cila duhet theksuar që ishte akoma dhe më shumë opozitare, jo vetëm me qeverinë, pushtetin, regjimin, por historianët, fallsifikuesit; po krijohej Shoqëria Atdhetare Patriotike “Çamëria”. Disa burra të mençur kuptuan momentin historik, dekikën e lirisë dhe porosinë e të parëve, amanetin.

Abaz Dojaka, Hasan Minga, Sali Bollati, Petrit Demi, Ilmi Saqe, Lutfi Saqe, Petrit Kasemi, Bashkim Braho, Qani Biraçi, Nexhat Mergjushi, Ferhat Sejko, Arshi Rexho, Resul Taipi e plot e plot të tjerë krijuan organizatën e dytë opozitare në Shqipëri. Dhe natyrisht unë “çami”, ju “çamët” gjetët shtëpinë.

Shikoni gjithsecili vetveten pas 30 vjetëve që kanë shkuar. Kemi bërë gjithkush nga ne një rrugëtim të gjatë, sfilitës, shpesh të mbushur me halle e vështirësi, por në fund jemi këtu në këtë shtëpi, sepse na ka thërritur ajo fjalë që na përcaktoi fisin, krahinën, familjen. Na e thanë madje me të keq, por na bënë krenar.

Për ta kremtuar këtë ditë lëshuan një thirrje të thjeshtë sa jetët tona; “#Çam jam”. Shpërndarja e saj nuk është me mijëra, por me qindra mijëra.

“#Çam jam” e gjen tani si një thirrje kudo, ku shkruhet dhe flitet shqip.

“#Çam jam” nuk është vetëm në qytetet apo fshtrat ku jetojmë vetë, por e gjen në Kosovë, Maqedoni, Itali, Gjermani, Amerikë, gjithandej ku ka shqiptarë dhe mbi të gjitha “#Çam jam” e gjejmë në Çamëri.

Kjo është thirrja jonë e gjakut, e cila shkon shumë më larg se nevoja e ditës, shqetësimet e saj. Thirrja e gjakut neve na drejton, na fut të tërëve në të njëjtën udhë, atë të kthimit në tokat tona.

Viheni re, gjithsecili nga ne ka jetën e tij, por sido që ta sjellë ajo, nuk e shmang dot Çamërinë, Çështjen Çame, porosinë e fundit. Të gjithë asaj i kthehemi. Madje, shpesh shoh njerëz që kanë mendime të ndryshme si mund ta arrijmë qëllimin tonë të përbashkët, si mund ta zgjidhim Çështjen Çame. Ka plot që janë luftarakë, kundërshtarë të Shoqatës “Çamëria” apo PDIU-së, ndaj meje personalisht, por në fund të fundit të gjithë një hall kanë, Çamërinë.

Në këto 30 vjet unë vetë kam patur një rrugëtim të gjatë, shpesh të lodhshëm, por u ktheva aty ku më takonte, tek Çamëria. Nuk i shpëtoja dot.

Shumë shpesh ndjej peshën e rëndë të kësaj çështjeje. Ata që sot drejtojnë Shoqatën “Çamëria” apo PDIU-në në përpjekjet e tyre arrijnë fitore, nganjëherë fare të vogla, por shpesh vazhdojnë të përballen me padrejtësinë. I ngjajmë Sizifit që e ngre gurin deri në Majën e Çukës në Çamëri dhe pastaj bie poshtë për ta nisur nga e para.

Por, ky është guri ynë i shenjuar, detyra jonë, prandaj me siguri do e ngjisim këtë gur deri në majë, megjithëse kjo mund të na kushtojë frymën. Nuk është punë trimërie kjo, por është pamundësie, nuk bëjmë dot ndryshe. Çamëria është e shkruar në ADN-në tonë, ndaj asaj dhe vetëm asaj nuk i arratisemi dot.

Prandaj, na gjeni në rrugë, teksa na sulen falangat e dhunës së qeverisë dhe ne prapë çohemi.

Na gjeni në politikë, teksa mundohen të na zhdukin dhe ne prapë çohemi.

Na gjeni tek librat e shkollës, ku na heqin madje emrin “çam” dhe “Çamëri” dhe ne prapë çohemi.

Na gjeni tek zgjedhjet, kur na vjedhin votat dhe ne prapë çohemi.

Na gjeni, kur na vrasin dhe rivrasin me paktet e errëta për të shitur atdheun dhe ne prapë çohemi.

… dhe kjo histori kështu do të vazhdojë, derisa të gjejmë zgjidhje dhe prehje vetëm në tokën tonë.

Ju a përmenda vetëm pak sekonda më parë tekset e shkollave, ku po duan të heqin fjalën “çam” dhe “Çamëri”. Vetëm tradhëtarët mund t’u shkojë mendja deri këtu. Por, këta janë dritëshkurtër, sepse nuk kuptojnë thelbin. Të heqësh këtë fjalë është e njëjta gjë si të heqësh fjalën “Shqipëri”. Nuk i ndan dot. Kur thua “çam” ke thënë “shqiptar”. Kur thua “dardan” ke thënë “shqiptar”. Kur thua “Shqipëri” ke thënë “Çamëri”. Kur thua “Kosovë” ke thënë “Çamëri”. Nuk i ndan dot. Mund të bësh vizatime në harta, ndarje të përkohshme kufinjsh, mund të blesh tradhëtarë dhe t’i bësh qeveritarë, por nuk tjetërson dot, nuk shuan dot atë që vjen nga rrënjët, nga kohët e lashta, nga thirrja e të parëve.

Në vitin 1990, kur themelohej Shoqata “Çamëria” sa “mendjendritur” thonin lart e poshtë që Çështja Çame është një çështje e vdekur që i përket historisë? Për fatin e tyre të keq, kanë vdekur ata, por jo Çështja Çame.

Në vitin 1990, kur themelohej Shoqata “Çamëria” sa “mendjendritur” thonin lart e poshtë që Çështja e Kosovës ishte çështje e vdekur dhe duhej të vrisnim mendjen vetëm për ndonjë të drejtë themelore në kuadrin e Jugosllavisë. Vdiq Jugosllavia, por Dardaninë aty e keni dhe shumë shpejt do e kemi njësh me Shqipërinë.

Prandaj, “mendjendriturit” e sotëm që ulen në biseda me harta e laps në dorë dhe marrin përsipër fatet e çerek milioni shqiptarësh të Çamërisë që jetojnë këndej dhe po aq shqiptarësh të Çamërisë që jetojnë andej kufirit janë megjithë mend “idiotë të dobishëm”, por edhe “tradhëtarë të dobishëm”.

Janë të dobishëm, sepse vetëm sa ujisin të lartësohet dhe të gjejë fuqi dhe emër të lartë Çështja Çame.

“#Çam jam” po thonë sot gjithandej. Hiq emrin këta, “#Çam jam” thonë kudo. Ulu në tryeza këta dhe pinë uzo “#Çam jam” thonë prapë gjithandej. Bëjnë këta sikur nuk ia dinë emrin, sikur e kanë harruar, “#Çam jam” ia kujtojnë njëzëri të gjithë shqiptarët.

Sepse, Çamëria nuk është padrejtësi pronash ndaj një grupi njerëzish, një krahine që ti e zgjidh me një ligj kompesimi. Çamëria është çështje e identiteti kombëtar, e orientimit tënd si komb në rajon, e orientimit tënd, jo vetëm në tregun politik, por edhe në atë ekonomik.

Çamëria, Kosova e bëjnë Shqipërinë të qënësishme, e bëjnë shtet dhe komb që do s’do je i detyruar ta llogarisësh. Copëtimi e mban Shqiëprinë të varfër, vasale, të padinjitetshme.

Prandaj, nëse sot kërkon Çamërinë kërkon Shqipërinë. Prandaj, që të thuash “#Çam jam” nuk ke nevojë të jesh me domosdo çam, pasi je duke kërkuar atdheun tënd, Shqipërinë tënde, vlerën tënde të plotë si shqiptar. Pa Çamërinë je sakat, i mangët si shqiptar. Vetëm me atë je ai që mund të përballesh kokëlart me gjithëkënd, me fqinj, me partnerë, me armiq. Është biologjike për Shqipërinë të ketë të gjitha pjesët e trupit, të ketë Çamërinë, ashtu si i duhet një njeriu mushkria të marrë frymë, zemra të qarkullojë gjakun.

Prandaj “#Çam jam” nuk është vetëm e shkuara, por mbi të gjitha është e sotmja, është e ardhmja.

E djeshmja na duhet patjetër, sepse është porosia, është ADN-ja jonë e shkruar, por nuk jetohet vetëm me të shkuarën, sepse përndryshe bie në fatalitet, bie në dëshpërim. Ka patur popuj që vdiqën, sepse jetuan vetëm me të shkuarën, por ka popuj që të shkuarën nuk e harruan kurrë, ndërsa mbijetuan nëpërmjet asaj që u sillte dita dhe kështu krijuan të ardhmen.

Kështu jemi dhe ne. Të gjithë së bashku kemi arritur një fitore të madhe, kemi faktorizuar Çështjen Çame. Sot, e kemi argument politik dhe jetësor.

“#Çam jam” nuk është thirrje përçmuese, por akt patriotik. Një njeri që sot thotë “#Çam jam” është atdhetar, është patriot. Bën të njëjtin akt të lartë si në vitin 1999, kur thonim “Kosovar jam!”, ndërsa kryhej lufta për çlirimin e tokës sonë arbërore.

Por, nuk kemi si mbetemi vetëm në folklorizmin e patriotizmit, thirrjeve, këngëve dhe valleve, sepse nuk jemi naivë. Që të triumfojë një çështje kemi nevojë për ca mjete, për ca armë që na ndihmojnë ta çojmë atë përpara.

Kjo është politika. Ajo na e jep këtë mundësi. Prandaj, themeluam, ngritëm dhe e shndërruam në një parti parlamentare PDIU-në. Vetëm nëpërmjet politikës, kancelarive të saj, debatit, Kuvendit mund ta çojmë përpara Çështjen Çame.

Këtë më shumë se ne e kanë kuptuar kundërshtarët tanë. Para katër vjetësh bënë të pamundurën të na fshinin nga skena e politikës. Kryen një masakër elektorale dhe duhet ta pranojmë që dhuna shtetërore, manipulimi, represioni vuri në pikëpyetje serioze qënësinë e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Bënë gjithçka që ta fshinin fare, ta përçanin, ta shuanin. Si strategji nuk e kishin menduar cekët, por u shpëtoi një detaj.

Lëvizjen tonë politike e shpëtoi Shoqata “Çamëria”, çështja e saj, njerëzit e saj. U mblodhëm sërish rreth kësaj shtëpie dhe ajo na ngjalli. Prandaj, jam shumë i lumtur që marr pjesë në këtë 30 vjetor.

Sot, jemi të fortë, besimplotë që sërish në Kuvendin e Shqipërisë do të kemi grupin tonë parlamentar, zërin tonë, njerëzit tanë. Sjellja jonë politike e këtyre katër vjetëve, më të vështirët e ekzistencës sonë, nuk ka qenë kurrë më sjellje taktike. Ne folëm me njerëzit tanë. U përballëm me dëshirat, por dhe me kundërshtitë e tyre të forta. Mbajtëm shënim çdo fjalë.

U përballëm me pushtetin, në rrugë, sepse rrugën na lanë. Na mbytën me gaz lotsjellës, na arrestuan. Por, me këtë represion që vetëm Enveri na e bëri, na shtuan anëtarët, na shtuan votat, por mbi të gjitha ata që donin të na fshinin emrin na përcaktuan dhe rolin në skenën politike.

Na donin përballë dhe përballë po u rrimë.

Sot, na duhet që këtë mëri, këtë trysni që na vjen nga njerëzit tanë ta përkthejmë në deputetë dhe do ta bëjmë, por kujdes; nuk jemi për pazar, sepse nuk kemi asnjë arsye për të hyrë në tregun e gjësë të gjallë. Nuk përfaqësojmë as një grup njerëzish që i lidh interesi, as votat e fisit të dikujt. Ne jemi ballëhapur, sepse jemi mijëra e mijëra. Prandaj, do marrim atë që na takon, sepse qëllimi ynë nuk është as ndonjë vend pune, as ndonjë tender apo PPP.

Kush thotë “#Çam jam” nuk e ul dot veten tek nevojat ekonomike të kryetarëve-parti. PDIU është lëvizje kombëtare, Shoqata “Çamëria” është themeluese e pluralizmit në Shqipëri dhe bart me vete porosinë e të parëve.

Prandaj, ata që donin të na fshinin emrin le ta rrotullojnë ligjin elektoral si të duan. Jemi shumë-shumë që të humbim në hiçin që ata duan të krijojnë.

Natyrisht, nuk jemi megallomanë që t’i mbushim mendjen vetes se jemi forca e parë politike në vend, por as hallexhinj që të lutemi për rrogën e një deputeti.

Prandaj, do jemi në koalicion, sepse do çojmë para Çështjen Shqiptare Çame, por edhe sepse do të jemi bashkëkrijues të shumicës së nesërme dhe qeverisë së nesërme.

Nuk do të çojmë dëm kësaj here asnjë votë ngado që të vijë ajo, nga Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Lushnja, Elbasani, Lezha, Shkodra, Dibra apo Kukësi.

Kanë kaluar 30 vjet, por ja ku jemi këtu duke folur si aktorë të dorës së parë, jo si një shoqatë kulturore. Para 30 vjetëve ata burrat që përmenda më lart na rikujtuan një porosi, të cilën kemi për detyrë ta çojmë në vend, prandaj ky është premtimi i vetëm që bëj sot si politikan, si kryetar i PDIU-së, si anëtar i Shoqatës “Çamëria”, si shqiptar: Amanetin do e kryejmë!

#Çam jam!

Më shumë shkrime

E Freskët taze

Skënder Brataj zbulon shifrat pas masave kufizuese: Janë ulur shtrimet në spitale

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar se kemi një rritje të shtrimeve në spitale. Brataj shtoi se masat e marra kanë dhënë një...

Mbeten në fuqi masat anti-COVID, vijon kufizimi i lëvizjes në orën 20:00 deri në 06:00

Komiteti i Ekspertëve ka vendosur sot që të lë në fuqi masat shtrënguese në përpjekje për të kufizuar përhapjen e Covid-19. Në një deklaratë për...

Mblidhet komiteti i ekspertëve, Fico: 79% e rasteve në dy javët e fundit të moshave nga 24-54 vjeç

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico ka folur në mbledhjen e komitetit të ekspertëve për situatën e COVID-19 në vend. “Kemi qenë tejet të vëmendshëm në...

Minatori humbi jetën, arrestohet armatori i minierës në Bulqizë, procedohet brigadieri

Minatori Fiqiri Karaj humbi jetën ditën e djeshme ndërsa punonte në një nga galeritë e zonës D në një minierë të Bulqizës. Në lidhje me ngjarjen, policia...

Nis vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve në Berat

Këtë të enjte pritet që fushata e vaksinimit të fillojë dhe në Berat. Raportohet se vaksinimi do të bëhet në hollin e Pallatit të Kulturës...