Pas takimit me kancelaren Angela Merkel në Berlin në intervistë për DW kryeministri i Shqipërisë rithekson se nuk ka hapje negociatash nga ana e BE-së nëse nuk kalon Vettingu, ligj ky që po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuse, i ankimuar nga Partia Demokratike. Rama foli edhe për raportet Gjermani-Shqipëri dhe marrëdhëniet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
DW: Z. kryeministër sot është dita dita e flamurit, dhe ju qendroni në Gjermani, çfarë do të thotë kjo?
Edi Rama: Kemi ardhur sot për këtë takim me kancelaren në kuadër të një bashkëpunimi, që në këto vite është bërë shumë i veçantë. Dhe në këtë ditë kaq të shënuar për ne patëm rastin që gëzimin ta ndanim edhe me kancelaren.
DW: Ju patët një bisedë tête-à-tête me kancelaren, cili është rezultati i këtij takimi?
Edi Rama: Kemi biseduar si gjithmonë shumë hapur, shumë miqësisht. Kancelarja ka treguar edhe një herë mbështetejen e saj dhe miqësinë e saj për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Natyrisht duke iu përmbajtur së bashku edhe faktit, se procesi i integrimit europian nuk është një proces, që ne na e ka imponuar Berlini apo Parisi, apo Brukseli, por është një proces që ne na e imponojnë qoftë etërit themelues, që krijuan shtetin shqiptar 104 vjet më parë, qoftë fëmijët tanë, që meritojnë të jetojnë në një Shqipëri të paqme, të sigurtë dhe të mirëqenë brenda familjes europiane.
DW: Por z. Kryeministër a është arritur diçka konkretisht lidhur me procesin e fillimit të bisedimeve me BE-në, që shpresohej të niste në dhjetor? Ndërkohë që javën e kaluar, sikurse jeni në dijeni, deputeti gjerman Gunther Krichbaum, kritikoi Shqipërinë duke theksuar kushtet konkrete t? paplot?suara nga ana e Shqip?ris? p?r hapjen e negociatave me BE-n?.
Edi Rama: Eshtë e natyrshme që të ketë deputetë, që kanë pikëpamjet e tyre në parlamentet e ndryshme të vendeve të BE-së. Eshtë një debat, që zhvillohet qëkurse zhvillohet procesi i zgjerimit. E kjo nuk është aspak çudi. Por dhjetori nuk ka të bëjë fare me Bundestagun gjerman, dhjetori ka lidhje me qendrimin e qeverisë gjermane dhe të qeverive të tjera për rekomandimin e Komisionit Europian. Me kancelaren kemi diskutuar gjerësisht për këtë. Ashtu siç besoj, që edhe prononcimi i kancelares, edhe pse ajo nuk është shprehur hapur, ka qenë mjaft i qartë dhe qartësisht i lexueshëm për këdo që do ta lexojë. Ajo ka përshëndetur arritjet, reformat e rëndësishme, që kemi ndërmarrë, gjë që e ka përsëritur edhe gjatë bisedës. Dhe padyshim që është bazuar kryekëput në raportin e progresit të Komisionit Europian gjatë prononcimit të saj.
DW: Pra e keni marrë prej saj dritën e gjelbër, pavarësisht nga pesë apo shtatë pikat e pazgjidhura?
Edi Rama: Këtu nuk flitet për pesë apo shtatë pika që duhen zgjidhur. Këtu bëhet fjalë për pesë prioritete, që janë kritere dhe nuk janë kushte. Këto pesë prioritete do ta shoqërojnë Shqipërinë në të gjithë procesin deri në ditën e anëtarësimit. Ato pesë prioritete vlejnë edhe për shumë vende anëtare, në kuptimin e mirë të fjalës. Kështu që s’bëhet fjalë për kushtëzime. Nga ana tjetër unë nuk mund të them, se çfarë kemi biseduar me kancelaren, pasi ka qenë një bisedë, që si të thuash i takon dhomës, ku është zhvilluar. Por në dhjetor ne presim, që Gjermania ta mbështesë Shqipërinë siç ka bërë gjithmonë dhe sikurse jam i bindur do të bëjë gjithmonë.
DW: Pra do të thotë kjo dritë e gjelbër?
Edi Rama: Dritën e gjelbër e jep Këshilli Europian, kështu duhet të presim këshillin dhe të presim, se si këshilli do ta lexojë dhe pastaj si do të reagojë pas leximit të rekomandimit të Komisionit. Sidoqoftë duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë, ajo që për ne ka qenë e qartë qysh në ditën e parë, se ne nuk mund të çelim zyrtarisht negociatat dhe nuk ka në fakt as kuptim,që ta kërkojmë një gjë të tillë, në qoftë se nuk fillojmë të zbatojmë ligjin e vettingut të prokurorëve dhe të gjykatësve. Ky është kushti i vetëm për Shqipërinë. Ne natyrisht ndërkohë ne do të vazhdojmë të bëjmë progres në të pesë fushat, që lidhen me pesë prioritetet. Siç edhe e theksova, kjo do të na shoqërojë jo vetëm deri kur të antarësohemi, por edhe pasi të jemi anëtarësuar, sepse në fund të fundit ato pesë prioritete janë edhe pesë shtyllat, në të cilat mbahet vet struktura e një shteti europian.
DW: Për zhvillimin në këto pesë shtylla a keni marrë mbështetje nga Gjermania, e cila gjithmonë ka qenë aktive në të gjitha reformat e Shqipërisë?
Edi Rama: Gjermania na ka mbështetur shumë fuqishëm në reformën në drejtësi dhe do të vazhdojë të na mbështesë, ashtu sikurse kancelarja ka bërë të ditur edhe publikisht, që do të vazhdojë të na mbështesë fuqimisht edhe më tutje, qeveria e saj dhe shteti gjerman me të gjithë instrumentet që ka në dispozicion. Për këtë ne jemi shumë mirënjohës dhe kjo mbështetje edhe na ka afruar edhe më shumë me Gjermaninë, që është bërë pika jonë kryesore e referimit në këto vitet e fundit.
DW: Le të ndalemi pak tani në politikën e jashtme. Ju jeni një ndër politikanët që u shprehët shumë shpejt për Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale në SHBA. Tani që Trump fitoi, çfarë prisni ju nga administrata e re e SHBA-së në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri?
Edi Rama: Unë nuk jam shprehur në fakt për Hillary Clintonin, sepse nuk kam dalë të bëj fushatë për të edhe pse nuk është sekret, që për gjithçka që ka bërë ajo dhe presidenti Clinton për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët, ka qenë e natyrshme që të kemi një preferencë të pakushtëzuar ndaj saj. Ndërkohë që sa i përkët kandidatit dhe tani më presidentit të zgjedhur të SHBA-së, kam pasur opinionin tim kur jam pyetur, por kjo i përket së shkuarës. Sot ai është presidenti i zgjedhur i SHBA-së. SHBA-ja është një aleate strategjike e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e Shqipërisë. Pra s’ka asnjë problem.
DW: Ju keni marrëdh?nie shumë të mira me homologun serb Alaxander Vuçiç. Por nga jashtë duket se në marrëdhëniet bilaterale kur ju afroheni me Serbin? zem?rohet Kosova dhe kur ju angazhoheni p?r Kosov?n zem?rohet Serbia. Si mund të dilni nga kjo dilemë, ose si e shihni rolin tuaj në këtë raport triangular?
Edi Rama: Ju siguroj, që portalet nuk janë pasqyrë besnike e realitetit, përkundrazi janë një pasqyrë ku duhet parë me shumë kujdes, sepse mund të marrësh një pamje shumë të deformuar të realitetit. Nuk ka asnjë problem në këtë marrëdhënie, që ju e quani triangulare. Përkundrazi besoj, që kemi një bashkëpunim dhe një mirëkuptim fantastik me presidentin, me kryeministrin dhe me institucionet e Kosovës. Në kuadër të këtij bashkëpunimi e mirëkuptimi sigurisht që ne bisedojmë e koordinojmë edhe përqasjen tonë ndaj Serbisë apo ndaj kujtdo qoftë në momente të caktuara kur kjo është e nevojshme.
DW: Gjermania, veçanërisht kancelarja gjermane, Angela Merkel, është angazhuar shumë për marrëdhëniet ndër Ballkanike në Ballkanin Perëndimor, e unë jam e bindur, që sot është biseduar edhe për normalizimin e marrëdhënieve në rajon. Me sa duket ajo ka shumë shpresë, që ju jeni një nga faktorët kyç sa i përket normalizimit në Ballkanin Perëndimor. Cilat janë hapat e ardhshme për t’i afruar më shumë vendet brenda rajonit, por edhe rajonin në tërësi në procesin me Bashkimin Europian?
Edi Rama: Ne jemi në një proces të ri, i cili është bërë i mundur falë mbështetjes vizionare të kancelares. Dhe tani sigurisht hap pas hapi ne bëjmë progres të vazhdueshëm në këtë aspekt. Kjo pavarësisht, se jo çdo hap është i lehtë dhe jo në çdo moment merremi vesh për gjithçka edhe pse ka gjëra me të cilat nuk jemi fare dakord. Siç është faktikisht çështja e Kosovës, kur vjen puna për marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Por sidoqoftë kemi hyrë në një epokë të re në rajon.
DW: Më 8 dhjetor themelohet RYCO në Tiranë, rrjeti rinor i Ballkanit, që me sa duket është projekti i parë konkret në këtë proces rajonal. Si kontribuon Shqipëria në këtë qendër dhe çfarë prisni ju nga hapja e saj?
Edi Rama: Në fakt nuk është projekti i parë, sepse ndërkohë po zbatohen edhe projekte të tjera. Kemi edhe Fondin e Ballkanit Perëndimor. Por është edhe ky një projekt i rëndësishëm, jo vetëm simbolikisht, por edhe praktikisht i bazuar në modelin frymëzues franko-gjerman. Edhe në këtë rast mbështetja e Francës dhe e Gjermanisë, por posaçërisht e Gjermanisë, ka qenë e pakursyer.
DW: Maqedonia ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe situata në këtë vend është mjaft e tensionuar. Si mendoni ju se mund të dalë ky vend nga ky konflikt i brendshëm?
Edi Rama: Ne jemi shumë të interesuar për stabilitetin dhe për progresin sa më të madh dhe sa më të qendrueshëm të Maqedonisë. Ky stabilitet është kyç për rajonin, është kyç për Shqipërinë, sepse ne kemi edhe një interes të veçantë për shkak të popullit shqiptar, që jeton në Maqedoni. E ndjekim me interes këtë proces, shpresojmë që të jetë fundi i një ngërçi të madh dhe fillimi i një kapitulli të ri për fqinjët tanë. Padyshim urojmë dhe shpresojmë që të vazhdohet në rrugën e jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe liritë e të drejtat e shqiptarëve të jenë çdo ditë e më solide brenda kuadrit të kushtetues të Maqedonisë.
DW: Së fundi ju keni hapur një nga çështjet tabu, apo një temë delikate: çështjen çame. Sipas jush në ç’mënyrë duhet zgjidhur ky problem historik mes Shqipërisë, çamëve dhe Greqisë?
Edi Rama: Kemi të bëjmë me një çështje që lidhet me një pjesë të popullsisë shqiptare, e cila ka nevojë që të jetë njësoj e trajtuar si gjithë pjesa tjetër e popullsisë shqiptare në raport me shtetin grek. Kjo pjesë e popullsisë ka nevojë ta ketë të siguruar lirinë e lëvizjes në Greqi. Kjo pjesë e popullsisë ndihet me të drejtë e diskriminuar për shkak të një inercie, që sipas nesh duhet të mbarojë. Ne besojmë shumë që kjo nuk është një çështje që duhet t’i turbullojë marrëdhëniet me Greqinë, por kjo është një çështje që duhet të forcojë më tutje fqinjësinë e mirë me popullin grek, me shtetin grek. Sepse jemi fqinjë dhe jemi të dënuar të jetojmë së bashku, ashtu siç jemi të imponuar nga historia që të marrim shembull nga të gjitha ato raste, kur grekët dhe shqiptarët janë sjellë si vëllezër dhe jo si armiq me njeri-tjetrin. Raste të tilla ka plot.
DW: A keni nisur ndërkohë një proces për ta zgjidhur konkretisht këtë çështje me homologun tuaj grek?
Edi Rama: Ne vazhdojmë të diskutojmë. Sigurisht nuk është e lehtë, por ne nuk mund ta konceptojmë dot se si në Europën e shekullit të 21-të, në vitin 2016 të ketë gazetarë, është një rast konkret me gazetarin Marin Memaj, që vetëm se ka shkuar një herë në Greqi dhe ka bërë një kronikë nga zona ku dikur kanë jetuar shqiptarët në Çamëri, është shpallur persona non grata dhe e ka të ndaluar prej katër vjetësh të shkeli në një vend, që është anëtar i BE-së, që është një vend fqinj dhe një vend ku kanë gjetur strehë qindra mijëra shqiptarë dhe ku shqiptarët janë ndihmuar nga populli i atij vendi në një kohë shumë të vështirë. Por po ashtu njerëzit e atij vendi janë ndihmuar nga populli ynë në kohëra të tjera shumë të vështira. Më duken gjëra që nuk janë të mundura të ndodhin në këtë shekull që jetojmë. E për më tepër më duken gjëra, zgjidhja e të cilave do t’i jepte një vrull të ri kësaj fqinjësie, që ne e konsiderojmë strategjike dhe që e konsiderojmë në interes të plot dhe reciprok të të gjitha palëve mes palëve.
DW: Së fundi a ka ndonjë risi nga takimi i sotëm me kancelaren, p.sh. a do ta vizitojë ajo Shqipërinë apo ka ndonjë risi tjetër nga ky takim?
Edi Rama: Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e këtyre 25 vjetëve që të ketë tre takime zyrtare në tre vjet mes kancelarit gjerman dhe kryeministrit të Shqipërisë. E kjo ka ndodhur në këto tre vjet. Unë i jam shumë mirënjohës kancelares, sepse na ka dhënë mundësinë që ta forcojmë këtë partneritet me Gjermaninë dhe njëkohësisht, siç e kam siguruar edhe publikisht sot, por edhe personalisht, këtë mbështetje të madhe unë e konsideroj një përgjegjësi të madhe. Pasi kjo është një miqësi shumë speciale dhe ne kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë luajalë në raport me miqtë dhe partnerët që i duan të mirën Shqipërisë dhe që kanë bërë kaq shumë për Shqipërinë.
Intervistën e zhvilloi Adelheid Feilcke, drejtuese e seksionit Europa në Deutsche Welle