Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Pse shqiptarët kandidojnë për forcat ekstremiste

Nga Media 0

Nga Gentian Alimadhi

Zgjedhjet administrative e europiane që mbahen në 26 maj në Itali kanë një veçanti për Shqiptarët e Italisë. Si asnjëherë më parë ata janë pjesëmarrës aktivë duke u angazhuar në vetë të parë në politikë duke hedhur kandidaturë. Janë mbi 100 kandidatët që kanë origjinë shqiptare (gjeni listën e plotë në këtë faqe të Albania News), nga Jugu në Veri të Italisë, në çdo kah politik. Shumica janë në lista qytetare në mbështetje të kandidatëve për kryebashkiakë, por ka nga ata që kandidojnë edhe me parti të mëdha, nga Forza Italia te PD, nga Movimento 5 Stelle te Lega, Fratelli d’Italia apo edhe CasaPound.
Ja ç’na thotë rreth kësaj pjesëmarrjeje të komunitetit avokati Gentian Alimadhi, ish kandidat në primariet e qendrës së majtë për kryebashkiakun e Parmës në 2017-tën. 

Ç’do të thotë për ju kandidimi i dhjetëra e dhjetëra shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme administrative italiane?

Kandidimi i mbi 100 qytetarëve italianë me origjinë shqiptare është shprehje e qartë e një integrimi spontan dhe të pashmangshëm të këtij komuniteti. Pas pothuajse 30 vjet emigracion shqiptar në Itali, është mëse e natyrshme që një komunitet kaq dinamik dhe me aftësi përshtatjeje si ai shqiptar të “pretendonte” të ishte pjesë aktive e jetës politike të këtij vëndi që, sidoqoftë, është i më pështatshëm për ne sesa shumë vende anglosaksone. 

Si e shpjegoni impenjimin e disa shqiptarëve me forca si Lega apo CasaPound?

Ky fenomen nuk më duket aspak befasues dhe është temë delikate dhe komplekse por mund të jap disa nga arsyet që mendoj.
Së pari, që t’i themi gjërat troç, ne shqiptarët nuk njihemi për kozmopolita apo globalista të shquar dhe kjo edhe për faktin e thjeshtë se vijmë nga një vend i vogël ku çka na kanë injektuar në gen për 50 vjet ishte “jemi i vetmi model i lumturisë sociale në botë dhe armiqtë ziliqarë që na rrethojnë, duan të na pushtojnë apo mundohen të na kopjojnë”. Në mos i kemi besuar shumë idesë se ishim “më të mirët”, mendoj se propaganda e atëhershme arriti të na bindte se ata që na rrethonin ishin “të këqinjtë”. Pra, kultivimi i manisë së persekutimit dhe mosbesimit tek tjetri na largoi dhe vazhdon të na largojë nga kontakti me atë që është ndryshe nga ne. Shohim një paralelizëm të hollë midis propagandës së Shqipërisë së atëhershme me atë të tanishmen në Itali ku, në këtë moment, ai që është ‘ndryshe’ nga ne, është i keqi i turnit që na servir propaganda dhe me të cilin nuk na lidh asgjë, pra është afrikani që arrin me gomone dhe na rrezikon të na ndoti rrugët tona “të pastra”.  Lufta e klasës bëri të vetën duke prodhuar efektin që konstatojmë sot, pra të shprehurit tek shqiptarët të njëfarë racizmi indirekt por edhe prodhimin e ekselencave individuale në pamundësi për të krijuar rrjet.
Për t’u kthyer tek pyetja, do të shtoja, së dyti, që një nga arsyet mund të jetë edhe fakti që kandidimet e shqiptarëve me forca të djathta ekstremiste mund të jenë të kushtëzuara gjithmonë nga e kaluara e historisë tonë ose më mirë nga konfuzioni që shumë shqiptarë bëjnë midis së djathtës apo të majtës italiane me ato përkatëse shqiptare. Unë mund të deklarohem antikomunist por nuk do të thotë që po mbështeta nje forcë të majtë italiane dola gënjeshtar i vetes apo i origjinës. Unë personalisht nuk mund të përzgjedh ata që thonë “hidhini në det” sepse në këtë rast do të mohoja vetveten meqë edhe unë kam ardhur nga deti. Pra, shumë shqiptarë i trëmben rreshtimit me forcat e majta italiane sepse i identifikojnë me komunizmin e Enver Hoxhës që nuk e ka shokun në glob. E kam thënë edhe në kontekste të tjera dhe e përsëris: nuk ka asgjë të ngjashme (për fat të mirë) midis të majtës italiane me ish komunizmin shqiptar dhe aq më tepër nuk ka asgjë të ngjashme (sepse mund të jetë shumë herë më e djathtë në sensin riformist të fjalës) me pseudo të majtat apo pseudo të djathtat e Shqipërisë aktuale.
Një arsye tjetër pse shqiptarët shkojnë psh me Legën është sepse atyre u pëlqejnë gjithmonë leaderët e fortë dhe karizmatikë, dhe në këtë moment Salvini është leaderi politik më i suksesshëm. Po njësoj ndodhi vite më parë kur shqiptarët simpatizonin në masë për Berlusconin. Nëse do të shikonim nga krahu i majtë, përveç Renzit, në 30 vjetët  e fundit nuk mbajmë mend të ketë pasur personazhe karizmatikë dhe me popullaritet.
Së fundmi, nëse duam të shohim edhe anën më pozitive të këtyre kandidimeve përkrah forcave të djathta, mund të them që ato janë shprehje e përkryer e integrimit dhe më tej, e kultivimit të sensit të përkatësisë dhe të një identiteti të ri kombëtar të këtyre të rinjve kandidatë. Ky fenomen mund të prodhojë pa krijuar paragjykime që identiteti i ri i adoptuar nga këta kandidatë të hyjë në kontrast dhe ta neutralizojë identitetin e origjinës, pra atë shqiptar. Natyrisht, nga gjithë ky interpretim do përjashtoja, si të pakonceptueshme, kandidime me forca apo lëvizje si Casapound. 

Kandidimi i shumë grave mund të shihet edhe si një emancipim, si një rritje e rolit të gruas në shoqëri?

Pjesëmarrja e shumë grave me origjinë shqiptare në këto zgjedhje, është motiv krenarie për ne shqiptarët dhe i trëgojmë vetes dhe të tjerëve që nuk jemi pjellë e një shoqërie patriarkale apo maskiliste. I njëjti fenomen ndodhi edhe me të sapokrijuarën shoqatë dhe avokatëve italianë me origjinë shqiptare AAI ku mbi 75% e pjesëmarrësve përbëhet nga gjinia femërore, ndër të cilat disa janë edhe kandidate në zgjedhjet për të cilat po flasim.
Personalisht jam i bindur që gratë kanë një marsh më shumë se meshkujt sepse dinë të spikasin në karriera të ndryshme duke pasur një peshë që burrat nuk mund të suportojnë, fëmijët dhe shtëpinë në përgjithësi. 

A mund të jetë kjo pjekuri e komunitetit tonë këtu një sinjal edhe për politikën shqiptare që duhet të marrë më shumë në konsideratë diasporën duke e përfshirë atë në mënyrë aktive edhe në politikë e jo vetëm për zhvillimin ekonomik të vendit?

Kjo pyetje kërkon një intervistë më vete, por mund të them që politika shqiptare nuk më duket akoma e gatshme të dalë nga izolimi mental i përkufizuar në territorin e Republikës. Në italisht do të thosha “se la cantano e se la suonano tra di loro”, ndërkohë që shqiptarët në emigrim mundohen të arrijnë në nivele të larta të politikës.
Mbase kjo sjellje indiferente e politikës shqiptare ndodh për paaftësi të lindur për të kaluar kufirin imagjinar, ose është një zgjedhje të vetëdijëshme dhe dinake e politikës për mos ia hapur debatet e shterpëta dhe problemet pa probleme një platejeje më të gjerë dhe me një masë kritike më të shëndoshë. Diaspora shqiptare (nqse do ishte e drejtë të quhej kështu nga ana semantike) duhet të ketë të qartë që duhet t’i dalë zot aksioneve të veta. Në qoftë se  në axhendën e saj ka projektuar aksione për zhvillimin e shtetit amë, kjo nuk mund të arrihet duke humbur kohë dhe duke pritur miratimet nga burokracia e Tiranës. 

Ndër dhjetëra kandidaturat, padyshim spikat ajo e Geri Ballos, e para shqiptare që kandidon për Parlamentin Evropian.

Mendoj që kandidatura e Geri Ballos, përveç se origjinalitetit dhe krenarisë që na ofron ne shqiptarëve të Ialisë, shpreh mbi të gjitha një rritje të nivelit politiko-demokratik të kominitetit por edhe një sensibilitet kundrejt temave që nuk duhen anashkaluar në këtë moment delikat të historisë së Europës. Duke parë krizën që ka pushtuar istitucionet europiane, mbase pikërisht njerëz të përgatitur dhe me origjinë jo-Schengen si Geri Ballo, që Europën e kanë zgjedhur dhe jo i ka gjetur Ajo, mund ta shpëtojnë kontinentin tonë nga ata që duan ta kthejnë në të shkuarën jo të largët.
Geri Ballo do të ishte vlerë e shtuar mbi të gjitha për vetë Parlametin europian, për efekt edhe për Jugun e Italisë, zonë në të cilin po kandidon.

A nuk jeni e mendimit që Ballo bashkë me kandidatët e tjerë Eda Gemi në Greqi, Amet Gjanaj në Belgjikë e Adnan Dibrani në Suedi mund të jenë vërtet një vlerë e shtuar, jo vetëm për vendet për të cilat kandidojnë por edhe në të mirë të integrimit të plotë të Shqipërisë në BE? 

Përsa i përket integrimit të Shqipërisë në standartet europiane, roli i Gerit do të ishte akoma më domethënës edhe pse rezultati final do kërkonte mbi të gjitha një angazhim konkret nga vetë Tirana e cila duket se nuk ka dëshirë të bëjë detyrat e shtëpisë as për të kaluar klasën.

Qeveria shqiptare ka një detyrim moral ndaj atyre që me guxim marrin pjesë në këto zgjedhje evropiane, të angazhohet seriozisht në mbështetjen e tyre sepse integrimi i disporës është çelësi i integrimit në Europë të vetë Shqipërisë.  

U uroj suksese të gjithë kandidatëve kudo që ndodhen dhe me këdo forcë përfaqësohen!

/Shqiptari i Italisë/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej