Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Pse ashpërsohet gjuha e ambasadorëve të SHBA në fund-mandat?

Nga Media 0

Nga Ben Andoni

Të gjithë zyrtarët diplomatikë amerikanë që caktohen në Shqipëri, ashtu si kolegët e tyre të vendeve të tjera, afërmendsh bëjnë trajnim për vendin e ri të shërbimit ku do shërbejnë. Ndryshe nga diplomacia e re shqiptare (e përcaktojmë e re), sepse Shqipëria në zakonin e zakonshëm të saj e hedh poshtë trashëgiminë e shkuar, diplomatët amerikanë në të gjithë rastet kanë qenë të mirë-informuar për vendin tonë.

Madje, emërimi i zotit Donald Lu në Tiranë, shënoi një rritje cilësore të këtij pozicionimi sepse ky diplomat është edhe njohës i mirë i gjuhës shqipe, që presupozon indirekt se është i mirënjohur edhe me stereotipin antropologjik shqiptar. Megjithatë, edhe ai, njësoj si kolegët e tij paraardhës sipas një kurbe gati të ngjashme, në fund mandat shpalos një qëndrim tejet të ashpër ndaj Shqipërisë.

Që Shqipëria e ka të dukshme problematikën me politikanët e saj, kjo sot, nuk përbën çudi. Çudi përbën qëndrimi amerikan dhe ashpërsimi i zërit, përmes diplomatëve të saj sidomos në momentet e fundit të mandatit të tyre. Për ata që e kanë harruar, një nga diplomatët shqiptarë, që SHBA me shumë shpirtmadhësi e mbajti, kur vendi ynë u okupua prej Italisë, Faik Konica, i krijoi një epitaf të gjallë vendit më 11 nëntor 1924 në gazetën “Dielli”: U ngjall nga idealistët/ U ruajt nga rastësia/ U vra nga politikanët.

Të pakët janë ata që nuk e dinë dhe më të pakët ata që nuk e ndjejnë këtë fabul. Por, e habitshme është sesi diplomatët amerikanë mbështesin në pjesën më të madhe politikanët shqiptarë, gjatë pjesës më të madhe të kohës në mandatet e tyre për të shpërthyer vetëm në fund. Kujtojmë Gërdecin dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, kujtojmë etiketimin e Berishës si “burrë shteti” pas ngjarjeve të 2011, kujtojmë investimin e madh të diplomatit të radhës për reformën së tanishme për Drejtësinë etj.

A e njohin vallë si duhet diplomatët Shqipërinë dhe arealin shqiptar? Pa asnjë mëdyshje që e njohin, falë strukturave që kanë dhe seriozitetin e diplomacisë së tyre. Vetë Amerika ka vite që është e ndërgjegjshme për krimin shqiptar.  Aqsa stereotipi shqiptar i kriminelit ka zëvendësuar atë të italianit dhe ato të kriminelëve vendas në kinematografinë hollivudiane. Vite më parë, Kris Sueker, atëherë Asistent Drejtori i ri i FBI për Hetimet Kriminale dha një alarm për krimin e organizuar shqiptar. Referuar televizionit CNN (viti 2004), pas goditjes së atyre viteve ndaj familjeve mafioze, shqiptarët kërcënonin zëvendësimin e plotë të “La Cosa Nostra”, si kryemafioze e SHBA-së. Ai madje precizonte se ky formacion duke vepruar në Nju Jork dhe qytetet lindore të SHBA-së, kjo e ashtuquajtur “Mafia e re” konsiderohej më pak e sofistikuar, por ishte shumë më e dhunshme se mafia ruse “dhe se përfaqësonte një sfidë madhore për agjentët federalë, si rrjedhojë e dhunës dhe brutalitetit të tyre”, – referonin kolegët e tjerë.

Të llogarisësh sesa është sofistikuar dhe premisat që krimi ka marrë në Shqipëri më 2017, me zotësinë për ta mbërthyer krejt politikën e anasjelltas, sepse jo rrallë faktet kanë treguar se politika i paraprin krimit, por edhe ndikimin në Ballkan e më tutje të krimit të organizuar, alarmi i diplomatëve amerikan e bën thjesht krimin e sotëm ushqim për scoop-in. Ndërkohë që Shqipëria ka nevojë të alarmohet sistematikisht prej diplomatëve, kurse politikanëve shqiptarë, që e përdorin këtë mbështetje pa asnjë kusht të SHBA-së dhe aleatëve të tjerë perëndimorë u duhet treguar udha e vërtetë.

Mu ajo që e gjejnë të mbyllur njerëzit e thjeshtë dhe që në dëshpërimin absolut, shpesh shprehen: Do të ankohemi te ambasadori amerikan! Por ky i fundit, ashtu si ia do tagri i tregon dyert e shtetit shqiptar, ato që i qëndrojnë të mbyllura individit shqiptar, sepse ka të çelur vetëm natyrën e hapur, atje ku e pret varfëria e natyrshme organike.

Këtë e shohin mirë diplomatët amerikanë, por fatkeqësisht, megjithë kontributet e mëdha, e shpalosin në fund, për ta trandur qeverinë. E ndodh që ambasadori ikën dhe pas tij vjen kolegu, që kohët e para i çon në mësimin e arealit shqiptar dhe përpjekjen për ta shtyrë me optimizëm me qeveritarët shqiptarë, kurse procesi i demokratizimit, që ka kohë që mezi ecën për shqiptarët, të zvarritet e të zvarritet pafund.

/Javanews/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej