Nga Alfred Peza
Kur kanë mbetur edhe pak orë për të mbyllur këtë vit kalendarik, më shumë se për të bërë bilancet e saj politike të një viti që po lemë pas, opozita po nxiton që t’i pasurojë ato. Tregues ky se është dukshëm koshiente se ka shumë defiçite që po kërkon t’i plotësojë sa e si të mundë, përpara se zhurma e fishekzjarreve që do shoqërojnë ndërrimin e moteve, do bëjnë që ato të harrohen. Paralel me këtë, po rreket që të hapë llogari të reja, për t’i bërë përkrahësit dhe mbështetësit e vet të shpresojnë, se vërtetë gjatë 2017 nuk ia arritëm qëllimit, por 2018 do jetë diçka krejt tjetër për ta.
Ndoshta është kjo arsyeja se përse orët e fundit, kemi tre zhvillime kryesore paralele, të gjitha me lëndë nga krahu opozitar: Debatin për raportin dhe aleancën e mundshme PD- LSI. Përgatitjen e opozitës për fillimin e valës së protestave kundër qeverisë Rama dhe aksionin e partive të vogla, për krijimin e një poli të ri në politikën shqiptare.
Nga ana e vet PS, nëse do zgjidhnim edhe për të tri pika kyçe, mund të veçonim: Ia arriti të fitonte e vetme drejtimin e timonit të vendit në 25 qershor; mundi ta zhbllokojë dhe ta fusi në rrugën e duhur për 2018 reformën në drejtësi; e ka rritur në maksimum mundësinë e marjes së datës për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, brenda qershorit të ardhshëm. Kaq do të mjaftonte për çdo mazhorancë, që të bëjë atë që po bën edhe kjo jona. Po e pret Vitin e Ri, dukshëm e relaksuar, por pa triumfalizëm.
Ndaj, le të fokusohemi tek tri zhvillimet brenda opozitës që shënjojnë edhe dinamikën e këtyre orëve të fundit politike.
Së pari, ka një debat rreth aleancës së mundshme mes PD e LSI, kalkulimeve rreth saj, dobisë apo përfitimeve më të mëdha për njërën apo tjetrën parti. Inicues i tij u bë fillimisht vetë kryetari demokrat, i cili e mohoi katekorikisht pasjen e një koalicioni apo aleance mes tyre. Kjo nxiti analiza, komente dhe opinione që qasen nga këndvështrime të ndryshme gjykimi dhe interesash. Të gjitha me një emërues të përbashkët: PD-së i duhet të marrë në dorë frenat e lidershipit opozitar, duke u ngritur përgjatë 2018, në lartësinë e munguar deri tani të detyrës dhe misionit. Gjitha të tjerat, janë kalkulime, të cilat do të bëhen në kohë dhe rrethana të caktuara politike.
Dilema më e madhe nuk është PD-ja në këtë histori, por LSI-ja. E cila duket se e ka shumë të vështirë për t’u orientuar në kushtet e reja politike që të krijon kalimi në opozitë, pas tetë vitesh në pushtet, herë me të djathtën e herë me të majtën që sot e ka përballë. Me siguri që 365 ditët e ardhëshme do t’i mjaftojnë për t’u kthjelluar dhe rioerientuar. Fillimisht duke u ulur me këmbë në tokë, e më pas për tu ringritur, pa mllef dhe tërsëllima.
Së dyti, çështjen e protestave të PD dhe opozitës në tërësi që marin vrull në nëntor, për të bërë provat në 18 dhjetor, e për të nisur më pas në javvën e tretë të janarit siç tha Lulzim Basha sot… sigurisht që askush nuk e merr seriozisht. As edhe vetë militantët më të zjarrtë të PD që e kanë gati profesion pjesëmarrjen në to. Për arsyen e thjeshtë, se protestat e mitingjet nuk janë thjeshtë çështje kalkulimesh kalendarike, për të shtyrë sa më shumë kohë politike, duke bërë sikur po e mban të ndezur zjarrin opozitar. Fryma e protestës ose ngjizet ose nuk ngjizet. Ajo ose ekziston, ose nuk ekziston. Pa harruar se historia e këtij çerek shekulli pluralizëm shqiptar, ka treguar se qeveritë nuk rrëzohen me protesta, por me votë.
Së treti, tentativa e disa partive të vogla politike, të majta apo të djathta, me apo pa përfaqësim në Kuvend që po tentojnë të organizohen për të krijuar një pol të ri politik gjatë vitit të ardhshëm, duket edhe si ndërmarrja më romantike e këtij muaji. Eshtë një histori që është shumë e bukur për të qenë një ditë e vërtetë, si të gjitha romancat politike në fakt. Na bëjnë që ti shohim me admirim, por duke menduar se do ketë plot të të tjerë që do i mbajnë në këmbë, kurrë nuk i kemi votuar vetë. Gjithësesi, gjithë këto vite na kanë bërë të besojmë se ky është një truall politik dhe elektoral, që nuk është treguar shumë bujar dhe klima duket se e pashëndetëshme për nisma të tilla. Por, duken shumë interesante për ta parë që të funksionojë vërtetë përgjatë 2018.
Të gjitha këto tendenca dhe grimca politike, më shumë sesa lëndë për të ngjizur zhvillime të rëndësishme, duken si një gotë aperitivi për stomakët e zbrazët të mediave, përpara fillimit të gostisë së madhe dhe reale të festës. Ndaj, le ta konsumojmë si të tillë, thjeshtë për të ngacmuar oreksin përpara pijeve më të rënda, që me siguri do të na bëjmë që ti harrojmë shpejt, edhe ëndrrat politike të dhjetorit.
https://alpenews.al/alfred-peza-protestat-dhe-aleancat-e-opozites-si-aperitiv-politik-per-2018/