Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Përse Albin Kurti duhet të shkojë sërish në zgjedhje

Nga 27.al 0

Nga Nertil Agalliu
Pavarësisht se Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje kanë fituar zgjedhjet e fundit në Kosovë, ai nuk mund të qeverisë dot si kryeministër dhe arsyet duket se tashmë janë të shumta.
Le t’i marrim me radhë:
Së pari
Kanë kaluar plot tre muaj që nga zgjedhjet model të zhvilluara në Kosovë, ku exit poll-et nxorën fituesin dhe nuk vonoi shumë dhe Vetëvendosja u konfirmua si partia fituese, pavarësisht se nuk fitoi e vetme, kjo edhe për shkak të sistemit të polarizuar politik në Kosovë.
Edhe pse kishte një paramarrëveshje publike, por të panënshkruar në letër se fituesi qoftë edhe me një deputet më shumë kishte të drejtën e emërimit të kryeministrit, Lëvizja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje nuk kanë arritur të pajtohen më atë marrëveshje gojore të nënshkruar mes tyre.
Padyshim që, humbësi më i madh i zgjedhjeve në Kosovë nuk është PDK-ja, as Haradinaj dhe as Vetëvendosje, por LDK-ja, e cila nuk ka arritur kurrë këto vitet e fundit që pas ndarjes nga jeta të liderit histori të saj, Ibrahim Rugova, të fitojë një palë zgjedhje të përgjithshme.
Kujtojmë këtu zgjedhjet e kaluara që janë fituar nga PDK-ja, apo edhe koalicionin që kjo parti ka bërë me PDK-në, por jo si parti e parë, por thjesht për të qenë në qeveri.
LDK-ja, këto vitet e fundit ka një rënie të madhe, nga një parti e forcës së parë që qeveriste vendin tashmë është kthyer në një violinë e dytë që shërben veçse për të formuar qeveri, por asgjë më tepër se kaq.
Edhe në rastin aktual, Isa Mustafa dhe LDK-ja, e kanë më se të qartë se qytetarët e Kosovës edhe këtë herë nuk i kanë votuar ata për të qeverisur, por për të formuar qeverinë.
Së dyti
Isa Mustafa e di fare mirë se kjo është mundësia e tij e fundit për të drejtuar LDK-në, dhe të bëhet ndoshta Kryeministër apo President, edhe pse ai nuk u votua vetë si kryeministër, por nominoi Vjosa Osmanin, ai po vazhdon të jetë njeriu kryesor që si një politikan i vjetër dhe i rregjur nga dështimi i koalicionit të parë me PDK-në e Thaçit, ku edhe pse u bë kryeministër nuk mundi dot të ishte një i tillë. Koalicioni i kaluar qeverisës PDK-LDK, nuk solli asnjë rritje të Partisë së Rugovës, por sërish e la LDK-në, në vijën e dytë, dhe pikërisht ajo marrëveshje e detyruar e ka bindur lidershipin e LDK-së, të mendohet dy herë nëse do të qeverisë sërish në koalicion, por këtë herë më Kurtin kryeministër.

Së treti
LDK-ja po përfiton nga situata dhe po mundohet ta hedhë fajin të Vetëvendosje, për marrëveshjen e munguar, e cila me shumë gjasa nuk ka për të ndodhur. Isa Mustafa, i cili tashmë ka humbur edhe postin e kryetarit të Kuvendit të zgjedhur nga Vetëvendosje, e dha sinjalin në Parlament duke i dhënë votat, por jo marrëveshjen kjo nënkupton fare qartë, se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisjes dhe do të qëndrojë në opozitë, duke pritur momentin për të dobësuar Albin Kurtin. Mustafa me këtë lëvizje nuk kërkon të marrë përgjegjësi dhe frika e një suksesi të Kurtit, si Kryeministër, e dobëson padyshim atë si parti politike dhe humbet kështu edhe rolin e një partie opozitare.
Së katërti
Vajtja e Kurtit në zyrën e Thaçit ishte thjeshtë një takim për arkiv apo ushqim mediatik. Katër minutat në zyrën e Kreut të Shtetit ishin kot, sa për foto dhe lajm dite, pasi si kreu i Vetëvendosjes, Kurti, duhet të kishte paraqitur qeverinë dhe jo takimin dhe Thaçi kurrsesi nuk ja lejon kushtetua e Republikës të shprehet se i ka dhënë Kurtit 48 orë kohë për të formuar qeverinë, pasi kushtetua e Kosovës e paraqet qartë që i mandatuari nga Presidenti ka 15 ditë kohë për të dërguar në zyrën e kreut të shtetit formimin për dekretimin e qeverisë..
Së pesti
Edhe pse nën rrogoz “partitë e Luftës”: PDK-ja, AAK-ja, Nisma, por edhe LDK-ja, për arsyet e veta që përmenda më lart nuk e duan formimin e qeverisë së re, ato duan të shkojnë në zgjedhje, dhe për këtë janë gati që nesër, por vetë nuk duan që para publikut dhe popullit të Kosovës të dalin hapur sikur janë ata që e duan këtë prishje të formimit të qeverisë së re dhe po luftojnë me të gjitha mënyra që fajin t’ia kalojnë Albin Kurtit.
Së gjashti
Albin Kurti duhet t’i bëjë mirë llogaritë, dhe për të qenë kryeministër i Republikës së Kosovës ai duhet të zbresë me këmbë në tokë. Nuk duhet të shpallë emra ministrash në facebook dhe as të deklarohet si Kryeministër, por duhet t’u flasë hapur qytetarëve të tij dhe t’u tregojë se pamundësia për të formuar qeverinë nuk qëndron në zyrën e tij, por diku tjetër, prandaj sot më shumë se kurrë, Kurti nuk duhet të mendojë aspak për të shkuar sërish në zyrën e Thaçit, apo të kërkojë një takim me LDK-në, ai duhet të dalë para qytetarëve dhe t’u kërkojë qytetarëve të Kosovës t’u drejtohen sërish kutive të votimit, pasi pamundësia për të qeverisur tashmë është evidente, edhe nëse e marrim të mirëqena deklaratat e Isa Mustafës dhe Haradinajt se ata do të japin votat në Kuvend për qeverinë Kurti por s’do të qeverisin me të nuk janë gjë tjetër veçse një tallje për popullin e Kosovës.
Prandaj, Albin Kurti duhet të dijë mirë se shëtitja zyrë më zyrë jo për faj të tij, nuk ka më kuptim dhe ai duhet të deklarohet se populli duhet të zgjedhë sërish. Kostot e zgjedhjeve të reja duhet t’i mbajë çdo qytetar i Kosovës, i cili njëherë e mirë duhet të vendosë se kë do të votojë masivisht, pasi në trojet tona shqiptarë të gjithë duan të jenë të parë.

/Gazeta “Koha Jonë”/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej