Për herë të parë në Kosovë, Presidenti i Malit të Zi më 18 maj takon Osmanin dhe Kurtin

0
67
Gjukanovic
Gjukanovic

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, do të qëndrojë në Kosovë për një vizitë zyrtare dy ditore më 18 dhe 19 maj, vizitë kjo e para e tij në Kosovë si president i Malit të Zi. Gjukanoviç gjatë ditës së parë të vizitës në Kosovë, më 18 maj, do të takohet me të tre liderët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani, kreun e ekzekutivit Albin Kurtin dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca. Vetë Gjukanoviç kishte folur në muajin mars për vizitën që planifikonte ta realizojë në Kosovë.

“Unë deri më tani s’kam qenë për vizitë zyrtare në Kosovë. I gëzohem kësaj vizite. Dua që në këtë mënyrë të kontribuojmë në mirëkuptimin tonë ndërshtetëror” – ishte shprehur Gjukanoviç .

Ai kishte thënë se përmes rritjes së mirëkuptimit ndërshtetëror do të rritet edhe cilësia e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit, gjë që do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit dhe stabilitetit të rajonit dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Kur ishte pyetur për raportet me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, Gjukanoviq kishte thënë se ato janë jashtëzakonisht të mira.

“Marrëdhënia është e mirë, shumë e mirë. Kudo që jemi takuar, dhe kemi biseduar në shumë vende, do të thoja se kjo është një marrëdhenie shembullore”, kishte thënë Gjukanoviç.

Se do ta vizitojë Kosovën në të ardhmen ka deklaruar edhe kryeministri Dritan Abazoviç.

“Absolutisht jam i gatshëm dhe me kënaqësi të madhe. E shoh si mungesë dhe faji është te unë pasi kanë ekzistuar edhe thirrjet, por ashtu ka qenë dinamika e punës në qeverinë e kaluar që nuk është realizuar vizita ime zyrtare. Tash si kryeministër do të vij me kënaqësi të madhe”, ka deklaruar Abazoviç.