Conference League/ Administratori i sigurisë së finales: Do vijnë oficerë nga Rotterdami dhe Roma

0
83

Roma dhe Feyenoord luajnë më 25 maj ora 21:00 finalen e Conference League në stadiumin “Air Albania”, Tiranë. Ky kompeticion është zhvilluar për herë të parë këtë sezon. Ndeshja ka marrë vëmendje të madhe, veçanërisht sepse organizohet në Shqipëri. Administratori i BBC Security, Naim Dani është prononcuar në emisionin “SportZone” në MCN TV.

Ai zbuloi punën kolosale që po bëhet për të kaluar çdo gjë mirë. Më tej ai tregoi se do ketë një takim nesër me oficerë nga Rotterdam dhe Roma, ku do njihen për tifozët respektivë. Më poshtë mund të lexoni fjalën e Naim Danit në televizion.

“Puna është jashtëzakonisht e madhe. Puna organizative ka filluar që në shtator, me trajnime, nën vëzhgimin e UEFA-s. Vlerësimi ka qenë tepër i specifikuar. Janë marrë të gjitha masat, që çdo gjë të jetë sipas urdhrave dhe kërkesave të UEFA-s. Eksperienca na ka bërë të ndryshojmë shumë nga puna jonë.

Puna do të fillojë nga 13 maji. Do marrim disa elementë të rëndësishëm nga UEFA. Që nesër do merret në dorëzim zyra e UEFA-s. Do merret pallati i kongresit. Do merret në dorëzim dhoma e transmetimit. Këto do jenë në dorëzim deri një ditë pas ndeshjes.

Ne kishim përvojë, nuk ishim jashtë loje. Unë kam eksperienca ndërkombëtare. Kemi bërë udhëtime pune me FSHF, por edhe me ekipin e Skënderbeut. Në këtë event kanë dalë shumë anekse të reja, që jemi të detyruar t’i mbulojmë.

Unë ta garantoj, që ethet e kësaj ndeshje, janë të mua dhe te stafi im. Ne jemi një degë e FSHF, për organizimin e kësaj ndeshje. Këtu është ndryshe nga ndeshja me Poloninë. Nga ana jonë, nuk do të lejohet asgjë në stadium, as ujë, as ushqim asgjë, nuk lejohen çelësat. Nuk do bëjmë asgjë më shumë se çfarë bëhet në stadiumet e huaja.

Ndryshe nga tifozët shqiptarë, me të huajt duhet të sillesh me më shumë kulturë. Nesër kam takimin e fundit me përgjegjësit e mi.

Nesër është një takim, me të gjithë aktorët pjesëmarrës, do jenë prezentë edhe policët nga Feyenoord, por edhe nga Roma.

Puna ime me Policinë e Shtetit është te hyrja e tifozëve në stadium. Hyrja do të fillojë në orën 18:00.

Nga përgjegjësia, kam 4 muaj që më del ndeshja në ëndërr”, u shpreh ai.