Nga Alfred Peza
Kam qenë reporter i ri i kronikës pranë gazetës “Koha Jonë” në dhjetorin e 22 viteve më parë, kur mu ngarkua të mbuloja ngjarjen ndoshta më të rëndësishme të atij viti: Ceremoninë e varrimit të nënës së Kryetarit të Partisë Socialiste të asaj kohe, Fatos Nano. Rëndësia rritej për arsyen e thjeshtë, se shefi i opozitës prej afër dy vitesh e gjysëm ishte arrestuar dhe vuante dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës. Deri në momentin e fundit, kishte njoftime kontradiktore nëse Presidenti i gjithëpushtetshëm i asaj kohe Sali Berisha, do e miratonte lirinë e tij disa orëshe për t’i dhënë lamturmirën njeriut më të shtrenjtë.
Një video pak më shumë se dy minutëshe e agjensisë amerikane të lajmeve “Associated Press”, qarkulloi për herë të parë në pranverë të këtij viti nëpër mediat tona, duke shuar kuriozitete që nuk kishin patur kurrë mundësi që ta shihnin atëherë. Radio Televizioni Shqiptar si e vetmja media elektronike që ekzistonte, ishte shtetërore dhe kontrollohej plotësisht nga pushteti dhe qeveria e PD, që e kishte shpallur armik liderin e opozitës, Nano.
Ishin dy ngjarje të pavarura nga njëra-tjetra të ndodhura sot me fokus shumë të madh mediatik e publik, ato që ma rikthyen plotësisht në vëmendje atë ngjarje të 15 dhjetorit të 1995. Ku pas ceremonisë me pjesëmarrjen e rreth 5 000 vetave, u takova për herë të parë me Fatos Nonon në drekën mortore atje ku sot është ministria e Drejtësisë, përmes batutash për librin “Burgu” të Georges Simenonit dhe aftësive të një të dënuari si ai, që në mungesë të fotove e daljeve televizive, kishte krijuar nëpërmjet përfytyrimit, identikitin e një gazetari nga shkrimet që lexonte në gazeta. Pranë i qëndronte pa iu ndarë asnjë çast Paulin Sterkaj, shefi i forcave speciale që quheshin “Brisku”, pa e ditur se ironia e fatit e donte që shumë vite më vonë, të treve të na bashkonte salla e Kuvendit dhe sigla e PS.
Këtë të dielë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që drejtohet nga një ish deputet i PS, i dha leje për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të atit, Samuel Ndokës, nipit të ish deputetit tjetër socialist Arben Ndoka. Babai i tij Aleksandri siç është raportuar gjerësisht në media, u vra pranë banesës në mesnatën e së premtes duke u gdhirë e shtuna, nga breshëri armësh automatike. Ndërsa Samueli vetë u arrestua dy muaj më parë në Tiranë, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje. Kamerat televizive dhe aparatet fotografike e fiksuan atë gjatë momenteve të pjesëmarrjes në ceremoninë mortore, pamje që u transmetuan gjerësisht në media.
Ndërkohë që në Tiranë, në studion e emisionit të Ardit Gjebresë në Televizionin “Klan”, tek rubrika “Shihemi në gjyq” e Eni Çobanit ishte e ftuar LIVE, Edmira Xhaferraj. Nëna e dy fëmijëve, vuan dënimin nën akuzën e bashkëpunimit për vrasjen e bashkëshortit të saj, në burgun e grave me numër 325, tek zona e “Ali Demit” në Tiranë. Kishte kërkuar takim me të atin siç u tha, për tu kujdesur për fëmijët, me të cilët kishte plot 4 vjet që kishte ndërprerë kontaktet.
Duke krahasuar “lehtësinë e papërballueshme” me anë të së cilës sot një i burgosur arrin jo vetëm që të marrë pjesë në ceremoninë e dhimbshme të humbjes së prindit, (sipas rregullave, sigurisht) por edhe të dalë në një spektakël televiziv live (ky nuk është rasti i parë, përkundrazi), me atë të lejes 17 orëshe të liderit të opozitës së asaj kohe Fatos Nano, kupton më mirë se nëpërmjet çdo krahasimi tjetër, ndryshimin e Shqipërisë së këtyre 22 viteve.
Për atë leje atëherë, u tha se u angazhuan deri ambasadorët e shteteve më të fuqishme perendimore në Tiranë. Ndërsa në terren forcat speciale, shërbimi sekret (bisedat brenda shtëpisë u botuan në gazetën e pushtetit), Policia, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, etj. Fatos Nano tha përpara arkëmortit me anë të një megafoni, se “dua të falenderoj autoritetet që më dhanë mundësinë t’i japë lamtumirën e fundit, bashkë me njerëzit e mi më të afërt, nënës sime. I falenderoj sepse do të përgëzoja faktin se ata e njohin armëpushimin. Para vdekjes, edhe hasmit ulin armët. Do të doja ta bënin këtë, edhe përballë të gjallëve”.
Kanë rrjedhur shumë ujëra nga ajo kohë. Si Nano ashtu edhe Berisha nuk janë më as shefat e mazhorancës e opozitës dhe as armiqtë për vdekje, si dikur. Bashkë me pozicionet e tyre, nuk e di nëse vendi ka ndryshuar aq shumë vërtetë, sa armët të jenë ulur përfundimisht edhe për të gjallët, përgjithmonë në Shqipëri.