Nga Kujtim Xhaja
Ata janë të rinj, energjik dhe punëtorë. Kanë lënë vendet e tyre të lindjes, janë shkëputur nga normat, traditat e vendit fqinj, Italisë dhe dita-ditës po bëhen pjesë e një realiteti të ri: atij shqiptar.
Sot do t’iu flas për tre djelmosha të rinj, Për Andrean, Luixhin dhe Xhanlukën. Të tre këta djem kanë të përbashkët shtetin e tyre të lindjes dhe sektorin ku punojnë.
Historia e tyre është pak a shumë e ngjashme, madje t’i shohësh me vëmëndje, duket sikur ngjajnë edhe me njëri-tjetrin…
Shkoj t’i takoj në pushimin ndërmjet orëve. Vendi i takimit është një kafene në zonën e ish-Bllokut, afër punës së tyre. Duket se ky mjedis bashkëkohor dhe “trendy” i tërheq edhe ata tejmase.
Të rehatuar me nga nje “capucino alla italiana”, por të mësuar tashmë me zakonin e kafesë me orë të zgjatur, tipik shqiptar, i gjej aty.
I pari është Andrea, 24-vjecari siçilian, të cilin nuk është shumë e vështirë ta dallosh me theksin e tij, ndryshe nga të tjerë.
Kur e pyeta Andrean se nga vinte, ai më përgjigjet me një ton të lartë dhe pohues: “Da Sicilia!”
Vura buzën në gaz…
Më tregoi se të dy vendet, Tirana dhe Siçilia kanë shumë gjëra të përbashkëta.
“Janë relativisht dy vende, të cilat vuajnë pasojat e vështira të korrupsionit, krimit, mafies dhe pandëshkueshmërisë. Këtu jam si në shtëpinë time!”, më thotë dhe nënqesh me vete.
Luixhi, tre vjet më i madh se Andrea, vjen nga një provincë e Italisë, e quajtur Mirabella Eclano, e cila mbase jo fort e dëgjuar për veshët tanë, por me një bukuri që s’ka të sharë. Ai është student i një universiteti privat në Tiranë, në degën e Mjekësisë. Si pjesë e një fondacioni Italian, universiteti në fjalë, ka një numër të madh të rinjsh dhe të rejash italiane, të cilat vijnë këtu për të studiuar.
“Të njëjtin universitet e kemi edhe në Itali, por këtu tarifat janë më të ulta dhe kostoja e jetesës më e lirë. Në auditor shumica janë italianë. Edhe leksionet zhvillohen në gjuhën tonë. Më duket sikur jam në vendin tim”, më tregon edhe ai dhe qesh.
Djali i tretë qëndron më i heshtur. Ai është Xhanluka, 25-vjeçari, i cili vjen nga kryeqyteti i parë i Italisë, qëndra e tretë ekonomike e vendit dhe i treti më i madh nga sipërfaqja, Torino. Ai ka përfunduar shkollën e mesme dhe prej dy vitesh jeton në Tiranë.
Të tre këta djem të rinj punojnë në sektorin e Call-Center-it. Ata janë operatorë të shërbimeve të kompanive italiane në vendin tonë. Ky sektor është i vetmi, i cili ka parë rritje vitet e fundit në Shqipëri. Mjedisi ynë ka tërhequr një sërë kompanish italiane të transferojnë aktivitetin e tyre drejt nesh. Këto sipërmarrje janë renditur si punëdhënësi i tretë më i madh në vend, të cilat angazhojnë në punë rreth tre mijë vetë. Pagat relativisht të mira, zotërimi i gjuhës , kanë tërhequr mjaft të rinj italianë të bëhen pjesë e tyre.
“Italia ende nuk e ka marrë veten nga kriza ekonomike që ka prekur atë dhe shumë vende europiane. Një i ri, i sapodiplomuar përballet me një rrogë qesharake dhe të papërfillshme në tregun e punës atje. Puna në Call Center në Shqipëri është pak e lodhshme dhe shpesh stresuese, por të jep një rrogë të kënaqshme, me të cilën ne mbulojmë gjithë shpenzimet tona. Ajo të jep mundësinë të punosh edhe part-time”, më thotë Luixhi, studenti i mjekësisë, i cili punon part-time në këtë sektor.
“Edhe në Itali ekziston ky sektor, por andej, kostot e jetesës janë më të larta, kompanive iu intereson të transferojnë zyrat e tyre në Shqipëri për arsye të pagesës së ulët të fuqisë punëtore”, sqaron Xhanluka.
Biseda nuk ka nevojë për përkthyes, të gjithë flasim dhe e kuptojmë njëri- tjetrin.
Djemtë më tregojnë se kanë marrë nga një apartament me qera në zona periferike të Tiranës, aty ku banesat kushtojnë më pak. Tashmë Tirana është bërë qyteti i tyre…
I pyes me kurreshtje se si i ka pritur ky qytet…
Luixhi më tregon përshtypjet e tij të para me qytetin dhe njerëzit:
“Para pesë vitesh erdha nga një provincë e vogël e Italisë, sic është Mirabella Eclano. Isha një djalë i ndrojtur mes një kryeqyteti shqiptar, por e pata shumë të thjeshtë të ambientohesha. Këtu, pjesa më e madhe e vendeve, bar-eve, restoranteve mbajnë emrat e qyteteve tanë. Shpesh bëj shaka me miqtë emi: Takohemi tek kafe “Roma”, bëjmë një xhiro nga “piazza”, hamë një picë tek “Zio Pepe” dhe së fundmi një ëmbëlsirë tëk “Chocolatini Italiani”. Jam në Shqipëri apo në Itali?!, pyes veten me dyshim”, qesh ai.
Pyes Xhanlukën për njerëzit, femrat, ushqimin shqiptar…
Ai hidhet me vrull dhe me gjestikulacionin e theksuar, tipik Italian më thotë: “Femrat shqiptare janë më të bukura se ato italiane… (qesh) Njerëzit këtu janë shumë të dashur, kuptohemi shumë mirë. Shumica e tyre flasin italisht, madje e kanë atë, si gjyhën e tyre të dytë”.
Mbase ata s’e dinë, nuk u ka treguar njeri për dashurinë e madhe që kemi ne si vend për Italinë dhe italianët. Mos të përmendim historitë e antenave, që i rrotullonim fshehtas nga stacionet italiane për të dëgjuar të famshmin koncert të Sanremos, apo për fëmijërinë tonë të “Italia Uno”, “Canale 5”, ku shihnim përditë kartonat e animuar. Madje, ishin këto filma, të cilët na mësuan të kuptonim dhe të flisnim rrjedhshëm në italisht.
Italia ish për shqiptarët si ëndërra amerikane. Sa e sa përpjekje dhe kalvarë të gjatë mundimesh për t’u bërë pjesë e bordit të anijes së eksodit te viteve 90’.
Sot, duket sikur kohërat kanë ndryshuar, realitetet janë kthyer katërcipërisht, barrierat kanë rënë.
Të rinjtë italianë po lënë vendet e tyre të lindjes dhe po shohin me leverdi të ngrenë bizneset e tyre , të studiojnë, të jetojnë madje edhe të martohen në Shqipëri…