Nga Ermal Mulosmani
Disa ditë më parë, një të dielë në orën 17.30, pak minuta pas mbarimit të orëve kryeministrore të liridaljes, katër policë rrahën një djalosh as 15 vjeçar, pse kishte kapërcyer orarin e lejuar nga FB kryeministror. Dikush e filmoi aksionin e policisë dhe njerëzit panë policët e shtetit sesi lëshoheshin ndaj fëmijës së gjorë si ndaj kapobandave vrasës. Fëmija nuk kundërshtonte, ai përpiqej të mbrohej pa e kuptuar se pse duhej të rrihej. Këtë në fakt nuk e kuptonte askush. Mirëpo pas kësaj u kujtuam që një ditë më parë ishte shkarkuar shefi i komisariatit për liberalizim të lëvizjeve nga Liqeni. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhej të merrte masa të forta që të dekurajonte çdo person që guxonte të shkelte rregullat. Ky ishte urdhri nga lart, nga Shefi i Madh. Shefi i ri i Komisariatit e kishte përcjellë te policët dhe ja ku jemi!
Falë Zotit ato pamje u filmuan nga kalimtarë të rastit dhe njerëzit u skandalizuan. Pse duhej rrahur 15 vjeçari, kur dukej qartazi që nuk kundërshton? Ku mbaron e drejta e policit dhe fillon e drejta e qytetarit, qoftë ai edhe shkelës? Çfarë rreziku paraqiste një 15 vjeçar i frikësuar dhe paqësor ndaj 4 policëve të armatosur? A mundet të shoqërohej në komisariat pa dhunë? Çfarë ndodh në komisariatet e policisë ku kamerat mungojnë kur një dhunë e tillë ndodh ditën për diell? Lidhur me këtë ngjarje skandaloze, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë iu kërkuan sqarime edhe në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. E këtu, për të zbuluar gjithë injorancën, vuajerizmin, pse jo edhe racizmin ndaj shtetasve të vet, Drejtori në fjalë u tregon deputetëve një video. “Për të kuptuar se çfarë familje vjen ky fëmijë dua t’u tregoj një video”
Kjo ngjarje ka qenë ndoshta më skandalozja, më e komentuara, më e shpërndara dhe që ka pasur solidaritetin më të madh ndonjëherë në kundërshtimin publik të sjelljes së një zyrtari shtetëror. Mund të kenë qenë me mijëra shpërndarje, komente indinjuese, sharëse, apeluese për shkarkim. Një njeri i tillë që i klasifikon njerëzit sipas biografisë familjare, si në kohën e Enver Hoxhës, nuk mund të ishte kurrsesi Drejtori i sotëm i Policisë së Shtetit. Dhuna ndaj 15 vjeçarit doli në plan të dytë në raport me xhevahiret që lëshoi Drejtori i madh i policisë.
Ditët kaluan, heshtja u bë mullar nga pushteti dhe Kryeministri, fjalët tona erdhën duke firuar e, siç e kemi zakon po bëheshim gati ta arkivonim si mijëra abuzime të tilla që duke u përsëritur pafund humbin vlerën njëra tjetrës. Derisa erdhi një shkrim absurd, një avokati e Drejtorit, një sulm ndaj Partisë Demokratike meqë kishte hapur gojë dhe e kishte denoncuar rastin e Ardi Veliut!
Avokati ishte i mirënjohuri Carlo Bollino.
Carlo ka si udhërrëfyes në diskursin e tij dy strategji komunikimi. E para, është argumenti “ad hominem” ose shqip ulja e diskutimit në nivele emocionale dhe ikja nga logjika, diskutimi për nivelin e argumentuesit e jo të argumentit. Me fjalë të tjera, kur e akuzon Carlo-n për diçka ai nuk merret me akuzën, por me ty si akuzues. Strategjia e dytë dhe më e keqja sipas meje është relativizimi. Pra, sa herë bën diçka keq krahu që Carlos i dhëmb, menjëherë ai të sulet “Ata tjerët kanë bërë më keq!”. Është e pamundur që Carlo të dënojë një ndodhi të pushtetit të Edi Ramës pa i shtuar një “por”.
Carlo e nis shkrimin e tij pikërisht me një dënim të vogël të gjestit të drejtorit racist. E quan “gafë” të rëndomtë (në mendje duket se ka një lapsus) dhe sipas Carlo-s gafa qëndron në “verifikimin paraprak” të videos. Pra, ajo që dënon gazetari në shkrim është pavërtetësia e videos dhe jo fakti që dhuna ndaj djalit nuk duhet të ketë asnjë lidhje me nënën “pistolere”. Sepse (kjo nënkuptohet) nëse videoja do të ishte nga jeta reale dhe nëna e djalit mund të ishte kriminale, atëherë po, mundej që videoja të tregohej. Gjithë vërejtja e Carlo-s ishte kjo pakujdesi e drejtorit. Për më tej, gazetari shprehej i mahnitur për gjestin “e përulësisë dhe të kërkuarit falje” , një gjest (Carlo e quan gjest) i paprecedent në Shqipëri. Me kaq duhej mbyllur rasti sipas Carlo-s.
Po sikur mamaja e tij të ishte një vrasëse vërtetë dhe Drejtori i Policisë të kishte videon e vrasjeve të saj, a duhej t’a bënte publike me qëllim diskretitimin familjar të 15 vjeçarit? Si mendon Carlo? Çfarë faji ka një 15 vjeçar për skedën kriminale (supozuese) të së ëmës/atit dhe çfarë lidhje ka publikimi i videove të prindërve në justifikimin e dhunës ndaj bijve të tyre? Jetojmë në shtetin e luftës së klasave të Enver Hoxhës apo në demokracinë e vlerave të lirive dhe të drejtave të njeriut? Si mundet një gazetar të përligjë një gjest racist, klasor, publik të një Drejtori Policie deri në atë masë sa ta gjykojë “mjaftueshëm” një falje publike (që në fakt nuk ishte as falje publike por justifikim publik)?
Këto gjëra në fakt pak i interesojnë Carlos, ai mezi pret të mbarojë paragrafin “e sikletshëm” ku duhet të thotë ndonjë fjalë të keqe për pushtetin e të vërsulet pastaj Partisë Demokratike duke filluar me lidhëzën: “Por”…
Amerikanët thonë: “Anything said before the word “but” dosent count”. Pra asnjë fjalë e thënë përpara fjalës “Por” nuk merret në konsideratë. Dhe kanë të drejtë.
Gjithë qëllimi ishte të dilte këtu.
Shkulmi i Carlo-s ndaj Partisë Demokratike është absolutisht i njëjtë me videon e publikuar nga Ardi Veliu. Sipas Carlos, një Parti që ka pasë Drejtor Policie Agim Shehun (24 vite më parë), Drejtor SHIK-u Bashkim Gazidede-n dhe funksionarë si Arben Sefgjini nuk duhet të flasë. Logjika është njësoj: Ardi thoshte “ E shihni nënën se si i përdor armët ashtu do jetë edhe i biri”. “PD-ja e sotme e ka pasë “nënën” të dhunshme, pistolere prandaj bija e saj nuk duhet të flasë” – thotë Carlo. E njëjta logjikë si Veliu.
Kur do të vijë një ditë që Carlo të shkruajë një kritikë ndaj Qeverisë pa paragrafin që fillon me “Por”? Edhe sa kohë do i duhet Partisë Demokratike që të mos japë llogari për veprimet e para 24 viteve?
Po një shkrim për përgjegjësinë e policisë në rastin e përdhunimit të 15 vjeçares do e bëjë Carlo? Dy vjet e paska ditur një lagje e tërë ndodhinë e policia nuk paska ditur gjë? Po për “vrasjet mafioze në zona të quajtura jashtë kontrollit të policisë” kur do të shkruajë? Apo edhe për këto e ka fajin PD-ja?