Byroja Kombëtare e Hetimit, ky institucion i ri për shtetin shqiptar, duket se do të ketë si mision parësor hetimin e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes. Ndërkohë, përballë llogaritjeve për të dëmtuar sa më pak forcën e tyre politike, liderët e partive i janë rokthyer propagandës, duke u shfaqur para opinionit publik si të gatshëm për ta miratuar atë sa më shpejt.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket më i nixtuari në këtë garë propagande. Basha sfidoi kundërshtarin e tij politik, kryeministrin Rama duke i kërkuar që ligji të hyjë në axhendën e Kuvendit sa më shpejt, madje që javën e kaluar. Por nxitimi i zotit Basha u përplas pak ditë më parë me rastin e arrestimit të ish-ministrit Spiro Ksera në kohën e qeverisjes së PD-së dhe serioziteti i qëndrimit të tij u vu në diskutim.
Fill pak orë pas arrestimit Partia Demokratike u distancua zyrtarisht nga ish-ministri i qeverisë Berisha dhe deklaroi se nuk do të bëhej pengesë për hetimin e tij, e po ashtu edhe për të gjithë rastet e tjera që kanë të bëjë me korrupsionin, duke e konsideruar luftën kundër korrupsionit jetike për të ardhmen e vendit.
Por vetëm një ditë më pas, PD e ndryshoi tërësisht qëndrimin e saj. Fillimisht ish-kryetari i kësaj partie Sali Berisha e cilësoi si politik arrestimin e ministrit të tij dhe pak orë më pas, kryetari aktual, Lulzim Basha, mblodhi forumet dhe unifikoi qëndrimin e PD-së me deklaratën e Berishës. Unifikimi i qëndrimit u pasua edhe me deklaratat e deputetëve të PD-së, si ajo e Gert Bogdanit një ditë më pas.
Me këtë vendim politik, Lulzim Basha mori në mbrojtje një ish-ministër të qeverisjes së PD-së, të akuzuar për korrupsion, duke e cënuar integritetin e tij dhe të Partisë Demokratike. Beteja propagandistike për miratimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit tashmë duket e pakuptimtë. Nga ana tjetër , Basha e ka vënë partinë më të madhe opozitare në dispozicion të një ish-ministri të akuzuar për korrupsion, i cili erdhi në radhët e qeverisë së PD-së si produkt i makinacioneve të ish-kryeministrit Berisha për të ruajtur ekulibrat në qeverinë e tij, kuptophet, në funksion të zgjatjes së pushtetit.
A është kjo një arsye e fortë, që demokratët të sakrifikohen për një ish-ministër që vjen nga radhët e OMONIA-s dhe pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Spiro Ksera, ishte prefekt i Gjirokastrës si pjesë e marrëveshjes së PD-së me PBDNJ. Kur PBDNJ e Vangjel Dules u largua nga koalcioni me Berishën, Ksera refuzoi ta ndjekë pas Dulen, por vendosi të ndjekë pas pushtetin dhe bashkë me disa anëtarë të PBDNJ-së qëndroi në koalicion me Berishën. Për këtë arsye, Berisha e kandidoi në Gjirokastër të dytin në listë ku dhe fitoi mandatin e deputetit në zgjedhjet e vitit 2009. Më pas Berisha e shpërbleu duke e emëruar Ministër të Mirëqënies Socilale.
Pra nuk ekziston ndonjë lidhje politike mes Partisë Demokratike dhe Spiro Kserës. Për cilën arsye duhet që sot demokratët të mbrojnë këtë ish-ministër të akuzuar për korrupsion në këmbim të tërheqjes nga lufta kundër zyrtarëve të korruptuar?
Sigurisht që përgjegjësia kryesore bie mbi kryetarin aktual të PD-së Lulzim Basha, jo vetëm sepse u detyrua të pranojë vendimin e Berishës, por tregoi se misionin për të çliruar institucionet shtetërore nga zyrtarët e korruptuar, mund ta këmbejë për pazare politike.