Debatet e Ruçit, Topit e të tjerëve në Kuvend dhe demagogjia e tyre si vazhdimësi e tradhëtisë së komunistëve.
Prej më shumë se 25 vitesh, Çështja e Çamërisë është diskutuar nëpër tribunat politike, nga të majtë e të djathtë. Të gjithë bien dakord se është një çështje që kërkon zgjidhje, por palët ndahen, pikërisht atje ku duhet të nisë angazhimi konkret për zgjidhjen e saj. Dy partitë e mëdha, PD apo PS e kanë përdorur këtë kauzë, vetëm kur iu është dashur dhe vetëm për të përfituar disa vota duke mashtruar pjestarë të komunitetit të Çamërisë në qytete të ndryshme në Shqipëri, për të shtuar ca vota e për ta lënë sërish në harresë kauzën e tyre.
Padyshim që ka patur përpjekje pozitive, qoftë të liderëve politikë në këto 27 vite, nga Berisha në mandatin e parë qeverisës 1992-1996 e deri tek Rama, i cili foli qartë dhe hapur për zgjidhjen e Çështjes së Çamërisë pak muaj më parë. Por, gjithçka ka mbetur vetëm tek propaganda dhe asnjë hap konkret nuk dimë të ketë ndodhur deri tani.
Çështja e Çamërisë, zë vend në shumë programe politike të shumicës dhe pakicës. Por, çfarë ka ndodhur me ecurinë drejt zgjidhjes të bën të besosh se partitë e mëdha në Shqipëri e kanë përdorur këtë kauzë vetëm për të përfituar elektoratin e popullsisë së Çamërisë dhe me qëllimin e caktuar për të dobësuar PDIU-në, partinë që e ka kauzën e saj kryesore zgjidhjen e Çështjes së Çamërisë.
Për të gjithë ata pjestarë të popullsisë së Çamërisë që zgjedhin t’i bashkohen dy partive të mëdha duhet pikësëpari të kuptojnë se “arsyet objektive” të këtyre dy forcave politike për të mos u angazhuar konkretisht për zgjidhjen e Çështjes së Çamërisë, janë veçse një mashtrim i madh dhe një vazhdimësi i qëndrimeve të etërve të tyre politikë, ata të komunizimit.
Nëse diktatori Enver Hoxha e shiti Çështjen e Çamërisë tek grekët, pasardhësit e tij në politikën pluraliste shqiptare më e pakta e kanë mashtruar këtë komunitet shumë të rëndësishëm që jeton në Shqipëri dhe trojet e veta i ka në territorin e Greqisë, në Çamëri. Ka patur momente të shumta të ngritjes së Çështjes së Çamërisë në institucionet e larta politike në Shqipëri. E tillë është koha, kur po bëheshin përpjekje për të miratuar një rezolutë për zgjidhjen e Çështjes Çame në mars të vitit 2004.
Debati zhvillohej pas një vizite që kryeministri të kohës, Fatos Nano pati zhvilluar në Greqi e ku ishte folur pak, shumë pak për zgjidhjen e Çështjes Çame.
Pas këtyre zhvillimeve një grup deputetësh, kryesisht të krahut të djathtë të politikës, morën përsipër kërkesën e Shoqatës “Çamëria” për të miratuar në Kuvend Rezolutën për Çështjen e Çamërisë. Por, në parlament u gjetën me dhjetra arsye “objektive” për ta mbajtur atë rezolutë të pa miratuar nëpër sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë.
Ndiqni debatin e zhvilluar në parlament në shkurt dhe mars të vitit 2004. Aty gjeni demagogjinë e PS-së dhe PD-së. Edhe atëherë demogogjia e PS-së përcillej përmes Gramoz Ruçit, si edhe sot. Ndërsa ajo e PD-së përcillej përmes kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, sot kryetar i FRD-së, pas ikjes nga Partia Demokratike.
Shkurt 2004
Gramoz Ruçi
Qëndrimin dhe vlerësimin tim unë e shpreha edhe në mbledhjen e Byrosë Parlamentare dhe do të përshëndesja të gjithë qëndrimet që mbajtën të pranishmit në mbledhjen e Byrosë së Parlamentit.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e gjykoi gjatë çështjen në mbledhjen e vet, përpara se të vinte në mbledhjen e Byrosë. Grupi ynë ka jo pak, por 16 firmëtarë të kësaj rezolute. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nuk anatemoi asnjë nga firmëtarët. Ne, qëndrimin tonë si grup parlamentar dhe qëndrimin që shprehëm sot në Byro, i mbështetur edhe nga pjesa dërrmuese e Byrosë, nuk e konsiderojmë një neglizhencë, nuk e konsiderojmë një nënvlerësim, përkundrazi e konsiderojmë vlerësim, prandaj i përgëzuam edhe firmëtarët e grupit tonë parlamentar. Ne nuk e etiketojmë atë si papërgjegjshmëri politike, përkundrazi përgjegjshmëri politike. Ne nuk e konsiderojmë atë antikombëtarizëm, përkundrazi e konsiderojmë atdhetarizëm. Ne nuk e konsiderojmë atë papjekuri, por përkundrazi pjekuri dhe maturi politike. Komisioni i Jashtëm të rimblidhet, të informohet nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë për ecurinë e rezolutës që ka miratuar ky Parlament përpara 8 muajsh, të rimarrë draftin e propozuar nga nismëtarët duke rregulluar dhe anët teknike, që të jetë në unison me rezolutën e mëparshme, dhe Parlamenti të ulet ta shqyrtojë, ta gjykojë, ta vlerësojë e ta votojë atë me unanimitet, me maturi dhe me pjekuri politike siç i ka hije një Parlamenti, për një çështje kaq të rëndësishme.
Pra, unë do të gjykoja dhe të vlerësoja që nuk kemi pse zgjatemi për këtë çështje. Ta mbyllim sot këtë çështje dhe të vazhdojmë sipas atij kalendari që përcaktuat ju në fillim të debatit.
Bamir Topi
Falemnderit, zoti Kryetar!
Të nderuar, kolegë deputetë!
Shumë të nderuar, përfaqësues të Shoqatës “Çamëria”!
Unë si përfaqësues i këtij Parlamenti, jo thjesht si kryetar i grupit parlamentar, prej kohësh kam ndjerë një preokupim të pjesës më të madhe të deputetëve, në këtë Parlament, për t’iu përgjigjur pozitivisht, por në mënyrë shumë të urtë, shumë korrekte asaj iniciative të marrë nga një grup deputetësh. Në rast se çështjet apo çështja në fjalë do të kishte qenë shumë e thjeshtë, përgjigjja do të kishte qenë e menjëhershme, Parlamenti mund të mblidhej në një seancë dhe gjithçka mund të ishte realizuar, brenda një kalendari dyjavor. Por, natyrisht, gjërat shumë të rëndësishme kërkojnë edhe zgjidhje të urta. Të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm që probleme të tilla të rëndësishme, madje shumë të rëndësishme, që kanë ndodhur në histori, kërkojnë që të analizohen me kujdes, kërkojnë që të tërheqin edhe një lloj konsensusi, sepse forcat politike në këtë parlament, siç e tha edhe zoti Mediu, kanë një diapazon shumë të gjerë, që vjen nga e majta deri në të djathtë. Pra, ka një konfiguracion me një spektër disi të gjerë për Parlamentin Shqiptar. Nga kjo pikëpamje, ne kemi punuar në mënyrë evolutive, gjatë gjithë kësaj kohe, për të përshtatur qëndrimet, në mënyrë që Parlamenti Shqiptar të vinte me një zgjidhje konsensuale. Kjo ka ardhur nëpërmjet takimeve të drejtpërdrejta, bilaterale, multilaterale me përfaqësues të Shoqatës Çamëria, duke marrë në sfond atë të drejtë historike. Kjo ishte arsyeja që të gjithë ne, së bashku, e shtymë problemin e votimit dhe ia lamë këtë kompetencë Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, ku të gjitha grupet parlamentare, kanë përfaqësuesit e tyre. Madje sot në mbledhjen e Byrosë Parlamentare, ramë dakord të gjithë, që kjo projektrezolutë të kalojë me konsensus në Parlament. Komente të tepërta nuk dëshiroj të bëj, sepse e kemi thënë fjalën për këtë çështje, nëpërmjet përfaqësuesve tanë dhe e thamë edhe sot, në mënyrë institucionale, në mbledhjen e Byrosë Parlamentare.
15 mars 2004
Ilir Zela
Faleminderit, zoti Kryetar!
Në vijim të detyrës së ngarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë – për të dëgjuar ministrin e Jashtëm, zotin Islami, në lidhje me hapat e ndërmarrë në zbatim të rezolutës së miratuar nga Kuvendi, në datë 16 qershor, për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, si edhe detyrës për të hartuar një projektrezolutë mbi këtë informacion e njëkohësisht mbi propozimin e një grupi deputetësh, të disa forcave politike, për një rezolutë të re – Komisioni i Politikës së Jashtme ka zhvilluar disa mbledhje. Kemi dëgjuar ministrin Islami, që ka raportuar në komision për këtë çështje, i cili i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve, pavarësisht nëse ndonjë nga kolegët është i kënaqur ose i pakënaqur nga përgjigjet e tij. Njëkohësisht, Komisioni ka bërë një diskutim në parim, në lidhje me përmbajtjen e projektrezolutës së re, e cila duhet të miratohet nga Kuvendi, dhe, për arsye objektive, nuk kemi arritur ende të përfundojmë një tekst që t’ia paraqitim Kuvendit për shqyrtim e miratim. Unë dua t’ju informoj se kemi bërë hapa përpara në hartimin e saj dhe kam besim që, nëse Kuvendi do e çmojë të arsyeshme, me punën që do të bëjmë edhe nesër, me bashkëpunimin e të gjithë deputetëve, të të gjithë krahëve politikë dhe atyre të projektrezolutës në fjalë, ne do të arrijmë që të përafrojmë një tekst, i cili do të ketë mbështetjen e të gjithë deputetëve, grupeve parlamentare dhe vetë nismëtarëve, për ta paraqitur për shqyrtim në Kuvend në seancën më të afërt.
Deklarata e Nanos në parlament pas vizitës së tij në Greqi në maj të vitit 2004
Fatos Nano
Siç u shpreha edhe para shtypit, unë dhe Kryeministri Karamanlis, shqyrtuam me vëmendjen e duhur dhe shprehëm vullnetin e përbashkët politik, për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura nga e shkuara historike. Në rastin konkret edhe çështjen e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi dhe të shtetasve grek në Shqipëri. Kjo nuk u bë me retorika boshe pseudo nacionaliste si në të kaluarën. Siç ramë dakord gjatë bisedimeve, vendosëm për të filluar sakaq punën në nivel ekspertësh, për implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga traktati i miqësisë, sigurisht dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona, në mënyrë të veçantë nga neni 15 i këtij traktati, i nënshkruar në vitin 1996 i ratifikuar nga parlamentet përkatëse një vit më vonë. Pothuaj se gjithçka u zgjidh me prekje të shkopit magjik. Më lejoni t’ju sjell në vëmendjen e sklerotizuar se për të herë të parë në historinë e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë, pala greke nuk e injoron këtë problem kaq të ndjeshëm dhe pranon të ulet në tryezën e bisedimeve për ta zgjidhur përfundimisht atë, sipas principeve demokratike dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Përfitoj nga rasti, të shpreh vlerësimin tim për Kryeministrin Karamanlis, për kurajën, kthjelltësinë dhe vizionin prej burri shteti, që pranoi të fuste në ujin e zier këtë çështje aq fort të përfolur dhe të manipuluar nga mentalitete anatomike.