Kryeministri Rama ka akuzuar Partinë Demokratike se po pengon reformën në drejtësi, duke sulmuar, sipas tij edhe ambasadorin amerikan. Në fjalën e tij në seancën e sotme plenare Rama është shprehur se sistemi i drejtësisë në vend është një kazan i madh mbeturinash, korrupsioni, krimi dhe mafie.
“Një referendum do të ishte i sinqertë nga PD nëse do të ishte një referendum për të përzënë Ambasadën Amerikane nga Shqipëria. Megjithatë, kjo është diçka që zëmra mund t’jua dojë por gjunjët nuk jua mbajnë. Kazani më i madh i mbeturinave, korrupsionit, krimit dhe mafias është sistemi i drejtësisë.
Dhe sot jemi këtu një ditë pasi PD i ka shpallur luftë reformës në drejtësi dhe ka marrë haptazi anën e kazanit. Dje, pasi erdhi këtu më 21 korrik dhe votoi me pahir reformën kushtetuese, depozitoi në gjykatë rrëzimin e vetting-ut, sistemit që do të pastrojë kazanin e sistemit të drejtësisë nga plehrat.
Sot axhenda e Kuvendit është vazhdimi i kësaj reforme, do apo nuk do PD, voton apo nuk voton PD.
Dihet botërisht që fati i reformës, por edhe i procesit historik për hapjen e negociatave me BE lidhet me 7 ligjet. Njëri ligj, më kryesorin, e çuan dje në Gjykatën Kushtetuese, në aleancë të hapur me korrupsionin, krimin dhe mafian që mban peng drejtësinë.
Ligjet e tjera që reflektojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe hapin rrugën e zbatimit të normave të reja kushtetuese i ka ndarë si me lugë, ku thonë këtë mund ta hamë, këtë nuk duam ta prekim me dorë.
Jeni një qënie që tmerrohet nga fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi. Ta pengojmë me çdo kusht, edhe duke sulmuar edhe ambasadorin e SHBA.”