Nga Frrok Çupi
Në vjeshtë i afrohet Presidencës, stinën tjetër bën sikur ka politikë “aktive” në duar, në verën e nxehtë të zhurmës mbi krimin i largohet klimës së presidencës…
Kohët e fundit janë shtuar shumë zërat se Ilir Meta “mund të jetë President i Republikës”. Sot është kryetar i Kuvendit, do me thënë, zëvendës i Presidentit në një Republikë Parlamentare, ku sipas Kushtetutës, nuk ka zëvendës-president. Ai është gjithashtu, edhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ose prej vitesh “king maker” në qeverisjen e Shqipërisë. Pas çdo rezultati në fushatat zgjedhore Meta shikon nga anon balanca dhe hyn në koalicion me pjesën më afër pushtetit.
Ideja për fronin e Presidentit të Republikës vjen e shkon në shijet e Metës. Mund ta krahasosh si një “mot të paqëndrueshëm”.
Cila është “stina” që e afron dhe cila është ajo që e largon Metën nga ambicia e madhe?
1.
Stina e tanishme, kur po e kërkon, ose edhe po e zgjon vetë zhurmën për postin e Presidentit, është stina kur e ndjen veten të harruar ose të rënë në “knock out”. Pas zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë në Dibër ky ndjehet i rrëzuar nga aleati-armik, Rama (kryeministër). Ky i hodhi dorezën Metës, i tha se “vjedh vota edhe pa ty”, “fitoj edhe pa ty”. Lojën e blerjes së votës e nisi Meta, por tani me sa duket Rama i dëshmoi se “ia kaloi edhe në këtë fushë”. Në qoftë se në vitin 2017 Meta nuk blen vota, është “i vdekur” politikisht. Këtë e ndjen që tani, njësoj si njeriu me reumatizëm që ndjen prishjen e motit kohë më parë.
Por goditjen më të fortë në Dibër, Ilir Meta e mori me “martesën” mes Ramës dhe Idrizit të PDIU. Tani ndodhet në momentin që nuk i vlen forca e 20 deputetëve që ka në LSI, pavarësisht nëse ishin të blerë apo të votuar. Madje, ndjen edhe një frikë, frikën se ata që bleu lehtë edhe mund të shiten lehtë. Por sidoqoftë, kryeministri Rama tani mund të qeverisë edhe pa Metën. Domethënë mund të mbajë qeverinë më këmbë, pa për të qeverisur sipas konceptit klasik, këta nuk kanë qeverisut asnjë ditë qëkurse fituan zgjedhjet.
Në këtë “mot” të pasigurt, Metës i duhet të karikohet me adrenalinë pushteti dhe të lëshojë antenat si “President”. Me këtë mënyrë mbledh forcat e LSI dhe iu dëshmon se “është akoma i fortë”, nga ana tjetër i lëshon “brezin Edi Ramës”, i cili po i rri mbi kokë teksa ky ndodhet në tapet. Edhe Edi Rama ka dëshirë që Meta të aspirojë për President, sepse e mban nën kontroll dhe nën lëmoshë edhe për pak kohë. Para dy ditësh përdori ministrin e jashtëm që të thotë në një televizion periferik se “Meta është njësh për President” dhe Meta u gëzua.
2.
Stina që sapo kaloi, kur Meta përdori “personalitetet” e Partisë së tij që të lëshonin idetë sikur “Meta është në politikë aktive” dhe nuk i duhet Presidenca tani për tani. Këta janë deputetë të rinj ose edhe vetë sekretari i përgjithshëm i LSI, këta që thanë kështu. Kjo është stina kur Meta ndjehet mirë. Pushtetin e ka të fortë, Ramën e ka zënë diku me kokë te dera dhe ndërkohë ka kryer ndonjë vizitë në Shtetet e Bashkuara. Por ka qenë edhe stina e plazheve të rinisë katundare të LSI në Jalë, kur sapo ka dëgjuar këngë labe kushtuar “kryetarit Meta”.
Në këto momente Ilir Meta i afrohet glorifikimit, në një entuziazëm thuajse bolshevik. I duket fushë me lule dhe i bëhet se sapo mbushi 21 vjeç; nga 21 vjeç i duhen 23 për t’u bërë 45. Domethënë në hapësirë nuk ka njeri tjetër dhe ky pret që pas 18 vjetësh të bëhet president, “tani jam akoma aktiv”.
Në disa raste mediat dhe bisedat në coffeshop e kanë treguar Metën si padron të Ramës. Të paktën kështu është shfaqur Rama, i kërrusur dhe me kokë të bërë si tub sobe, në momente kur del nga zyrat e Metës. Mirëpo Rama bëhet më i rrezikshëm kur është para sfidës dhe kur është para marrjes së dozës.
3.
Stina e tretë kur Meta e kërkon postin e Presidentit është stina e “dimrit”, kur ariut i duhet të futet në strofkë. Ka disa moment, kur Meta piketohet si i inkriminuari më i madh, kur akuzohet për “vrasje deputetësh”, për “vrasje me pagesë”, dhe kur Amerika i “mbyll dyert”. E keni vënë re? Bash në këto momente Ilir Meta ngre antenat për t’u bërë President i Republikës. As do t’ia dijë fare se Presidenti i Republikës është gjallë e shëndosh e mirë, madje i duhen në post edhe aq muaj sa ç’i duhet Kuvendit për t’u rinovuar.
“Presidenti”, në këtë rast, shërben për mrekulli për t’u mbrojtur nga ndonjë arrestim i mundshëm, siç përflitet poshtë e lart nga mediat apo edhe nga politika. Ai ka mësuar se kryeministri Rama, nëpër kulisa thotë se “do ta burgos Metën menjëherë mbas zgjedhjeve”, do me thënë, në momentin kur nuk i duhet për në koalicion. Kjo është stina e “strofkës”.
Sado që të ndryshojë politika, një gjë është e paqëndrueshme: Moti alternativ i Metës.
/veritas.com.al/