Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tivat, komentoi edhe protestat kundër projektit të diskutuar në Zvërnec.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Rama tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e të njëjtës tryezë, por secila prej tyre duhet të mbajë përgjegjësitë e veta.
“Duhet të jemi të gjithë në tryezën e rrumbullakët si sot, por secili duhet të bëjë detyrën e tij”, u shpreh ai.
Më pas, kryeministri u ndal te kundërshtimet që kanë shoqëruar projektin në Zvërnec. Sipas Ramës, protestat nuk lidhen me shqetësime mjedisore, por përbëjnë pjesë të një veprimtarie që ai e cilësoi si “luftë hibride”, duke theksuar se pas tyre fshihen iraninët.
“Atje nuk është çështje mjedisore, është lufte hibride. Pas protestës janë iranianët, që kanë qenë edhe herë të tjera të përfshirë në sulme”, shtoi ai.
Rama kundërshtoi gjithashtu pretendimet e ngritura mbi përmbajtjen e projektit, duke deklaruar se ai nuk përputhet me atë që është paraqitur publikisht. Sipas tij, në qarkullim janë shpërndarë materiale të rreme që kanë krijuar perceptime të gabuara për investimin.
“Projekti në Zvërnec nuk është ai që është folur. Keni parë video false nga Tirana… S’ka asgjë për të diskutuar, sepse s’ka asnjë projekt të miratuar. Së pari duhet të kemi një projekt, ta diskutojmë dhe miratojmë. Por s’mund të diskutojmë një projekt. Faktet kanë gjithnjë rëndësi. S’ka arsye për t’u shqetësuar sa kohë që s’ka projekt. Arkitektët duan të bëjnë diçka unike dhe një dhuratë të mrekullueshme për Shqipërinë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, për sa kohë nuk ekziston një projekt i miratuar, nuk ka bazë për debat mbi çështjen.
Gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar pesë protesta radhazi kundër projektit, ndërsa për sot është paralajmëruar protesta e gjashtë. Protestuesit kundërshtojnë ndërtimin e kompleksit turistik në zonën e Zvërnecit dhe kërkojnë anulimin e çdo nisme që sipas tyre, cenon ekosistemin e Lagunës së Nartës dhe territorin përreth.
Krahas kundërshtimit të projektit, protestuesit kanë artikuluar edhe kërkesa politike, ku më e forta mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.










