Nga Luljeta Progni
Lulzim Basha i ka thënë sërish jo propozimit të fundit amerikan për reformën në drejtësi. Propozimi i bërë nga ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland, u duk të ishte në favor të opozitës dhe pritej më shumë një përgjigje pozitive e Bashës për këtë ofertë të fundit të SHBA-së. Por, përgjigja ishte sërish refuzuese. Me sa duket, Basha nuk mundi të dalë mbi rrëmujën e opinioneve të ndryshme që qarkullojnë në partinë e tij apo edhe të tjera, mbi reformën në drejtësi, për t’i thënë “po” një drafti të dizenjuar, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Basha mund të ketë të drejtë në pretendimet e tij në këtë refuzim, por tashmë është fakt se me këtë qëndrim, i ka zhgënjyer amerikanët dhe ky nuk është rasti i parë.
Duket se me këtë qëndrim të fundit përballë këtij propozimi, koha e provës së integritetit për Lulzim Bashën ka mbaruar. Ai e dha qëndrimin e tij përfundimtar ndaj reformës në drejtësi. Tani janë në provë ata deputetë të opozitës që pretendojnë se kanë integritet. Mënyra se si ata do të votojnë reformën në drejtësi do të jetë një provë e madhe për ta, jo vetëm para SHBA-ve, por pikësëpari para shqiptarëve. Reforma në drejtësi është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, jo vetëm për integrimin e saj në Bashkimin Europian, por së pari për t’i hapur rrugë një pastrimi të thellë të sistemit të drejtësisë, prej nga rrjedh edhe pastrimi i sistemit politik në Shqipëri. Ky është borxhi që deputetët i kanë elektoratit të tyre dhe për këtë ata janë në provë më 21 korrik.
Me siguri që grupin parlamentar të PD-së ka deputetë me integritet, të cilët nuk i tremben kërcënimit të lidershipit të partisë se do t’u digjet mandati i deputetit, nëse ata votojnë kundër vendimit politik. Në fund të fundit përse e duan një mandat që nuk ka asnjë vlerë?
Nëse ata vendosin ta votojnë reformën në drejtësi, nuk mund të ketë asnjë opinion negativ për ta, sepse janë duke bërë detyrën për të cilën janë zgjedhur, t’i shërbejnë elektoratit të tyre.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë alibi për ata që duan të respektohet vendimi politik, sepse qëndrimi sipas këtij vendimi është tashmë i pajustifikueshëm. PD-së i janë dhënë dhjetra zgjidhje dhe sot ishte koha të kishin një “Po” për reformën në drejtësi. Varianti i SHBA-së për pastrimin e sistemit të drejtësisë dhe më pas atij të politikës mund të ketë problemet e veta, me të cilat justifikohet opozita. Por opozita dhe mazhoranca bashkë, nuk kanë më asnjë të drejtë të mbajnë peng një proces të tillë, qoftë edhe i monitoruar plotësisht nga ndërkombëtarët. Nuk kanë më asnjë të drejtë, sepse e patën mundësinë e përsëritur për 25 vite me radhë dhe jo vetëm që nuk e reformuan drejtësinë, por e përçudnuan më keq. Sot, jemi në një situatë ku sistemi i drejtësisë dhe politika bashkë, zhvasin çdo sekondë popullin e varfër e të rraskapitur.
Nuk ka më asnjë pengesë për deputetët e PD-së që ta votojnë këtë reformë në drejtësi sipas propozimeve të SHBA-së. Nga ana tjetër, një vendim i mundshëm i një numri të caktuar deputetësh nga PD-ja për ta miratuar refomën në drejtësi, nuk duket i mirëpritur për kryeministrin Rama dhe PS-në, e aq më pak për Metën dhe LSI-në. Shumica ka luajtur deri tani me qëndrimin kundër të opozitës, por kjo nuk do të thotë se kemi besuar që Rama dhe të vetët janë plotësisht të vendosur të votojnë një reformë që parashikohet të pastrojë sistemin e drejtësisë, i cili më pas kalon në sitë të gjithë sistemin politik.
Gjithsesi, Rama ka garantuar se votat e PS-së, madje të mazhorancës në tërësi do të jenë pro reformës në drejtësi. Nëse disa deputetë të opozitës do ta japin votën për reformën në drejtësi, do të qartësojnë një herë e mirë kush na qeveris e kush është alternativë përballë kësaj qeverie. Në këtë mënyrë do t’i bëjnë një shërbim të madh Shqipërisë, pa patur kompleksin e shkeljes së sovranitetit.