Nga Ermal Mulosmani
Sot, për herë të parë Kryeministri Rama dha disa shpjegime për rishikimin e kontratës koncesionare të Aeroportit të Rinasit në favor të kompanisë blerëse “Kastrati”.
Kryeministri së pari bëri të ditur lumturinë e tij për “çlirimin” e aeroportit nga ish-pronarët kinezë dhe kalimin e tij në duart e shqiptarëve a thua investitorët kinezë që riskuan paratë e tyre në Shqipëri ishin pushtues dhe jo partnerë strategjikë që e blenë Aeroportin në kohën e Qeverisë Rama.
Më tej, Kryeministri tregoi për sharjet dhe mallkimet e pafundme që ai vetë ka marrë nga shqiptarët për çmimet e larta të biletave që e kthyen Aeroportin e Tiranës në aeroportin më të shtrenjtë të Evropës. Dhe ky “i shkreti” që nuk ua shpjegonte do që këtë e ka në dorë kinezi…
Kjo retorikë raciste mund të kursehej. Kinezi e ka blerë të drejtën e koncesionit nga kompania gjermane, e cila, nga ana e saj e kishte marrë nga Qeveria socialiste e Fatos Nanos. Ata nuk kanë vjedhur asgjë, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të bërë biznes në një vend demokratik, kanë zbatuar Kushtetutën dhe ligjet e atij vendi dhe sidomos kontartën me Qeverinë Shqiptare. Nëse do i kishte kaluar këto kufinj biznesmeni kinez do futej në burg ose do çohej në gjyq.
Më në fund “vuajtjeve personale të Kryeminsitrit” u erdhi fundi! Tani ulja e taksave aeroportuale do të kthejë edhe çmimet e biletave në normalitet.
Dhe jo vetëm kaq. Kryeminsitri shpjegoi që Aeroporti do të kthehet në kantier investimesh të reja që përfshijnë Terminalin e ri që do të fillojë menjëherë dhe pista e re (zgjatja e saj për tu përshtatur edhe për fluturime transoqeanike).
”Efektet do të jenë zinxhir. Është aeroporti me çmimin më katastrofik të jet fuel-it në Evropë. Do të ulen të gjitha dhe faktikisht, parashikueshmëria mbi bazën e marrëveshjes së re është që të gjithë, edhe ju, edhe vetë ata që e kundërshtojnë kot këtë gjë, do kenë udhëtime 25% më të lira. Nuk janë pak. Janë kthim në normë dhe konkurueshmëria e aeroportit.”
Pra, Kryeminsitri u mor shumë me shpjegimin e anëve të mira, dobive që sjell rishikimi i kontratës, jo vetëm për lavdëruesit por edhe për sharësit e saj dhe vendin në përgjithësi. Ajo që Kryeministri nuk u pyet dhe nuk bëri koment janë dy dilema që kanë pasur kritikët e kësaj marrëveshjeje.
1. Shtesa e kontratës me gjermanët e Prillit 2016
Qeveria e Shqipërisë i kërkoi pronarëve të atëhershëm të koncesionit (kompanisë gjermane) heqjen e kushtit të ekskluzivitetit.
Sipas kontratës së parë mes Qeverisë shqiptare të Fatos Nanos dhe gjermanëve të TIA-s, TIA e ndalonte Qeverinë të jepte leje operimi për aeroporte të tjera në Shqipëri!!!!
Kontrata skandaloze krijonte situatë monopol dhe Kryeministri u detyrua të negociojë me TIA-n “për të marrë licensë” operimi për Aeroportin e Rinasit!
Imagjinoni çfarë situate absurde, koncesionari i jep leje qeverisë në këmbim të 2 viteve shtesë në kontratën ekzituese. Me normën vjetore që kishte Aeroporti në atë kohë, dy vjet shtesë i thonë mbi 20 milionë euro kapital. Kompania ia jep lejen Qeverisë ? (praktikisht ajo leje as nuk u shfrytëzua fare deri më sot, pasi Aeroporti i Kukësit nuk ka filluar operimin) dhe e shet koncesionin tek kompania kineze për 90 milionë euro!
Pyetja që lind vetvetiu këtu është: Pse u shtuan dy vite në kontratë gjermanëve, kur Aeroporti i Kukësit nuk operon? A duhej të bëhej kjo shtesë në prag të operimit të këtij aeroporti dhe jo 5 vjet përpara? A i dëmtoi financiarisht rëndë interesat e shtetit shqiptar (mbi 20 milionë euro) ajo kontratë? A përfituan gjermanët nga kjo shtesë në shitjen që bënë kinezëve, vetëm 6 muaj më vonë, për 90 milionë Euro?
2. Pse nuk u tenderua dhënia e koncesionit
Megjithë rishikimin e vitit 2016 (shtesën dyvjeçare) të bërë nga Qeveria Rama, pas 6 vitesh Aeroporti i Tiranës do t’i kthehej si pronë shtetit shqiptar. Biznesi i Aeroportit ka qenë ndër më fitmprurësit në Shqipëri me norma mjaft të larta fitimi që kapin shifra mbi 10 milionë euro në vit. Aq të larta janë normat e fitimit sa kompania “Kastrati” e blen aeroportin për 71 milionë euro duke e ditur se do ta mbajë vetëm 6 vjet e 4 muaj (afati i kontratës me kinezin). Vetëm për të nxjerrë investimin e vet ka planifikuar fitime të rendit 12 milionë/vit. Megjithatë të gjithëve u bëri përshtypje: “Si ka mundësi që të paguajë 71 milionë për 75 muaj? I binte të paguante pothuaj një milion në muaj.
Mirëpo janari na i davariti të gjitha dyshimet. Kastrati do të fitojë edhe 13 vjet të tjera shtesë me kushtin që të ulë çmimet dhe të bëjë investime të mëdha.
A ka të drejtë Qeveria Shqiptare të japë pa tender një pronë të saj (matematikisht Qeveria është pronare e 16/22 e vlerës së Aeroportit) që kushton mbi 70 milionë euro? Si bëhen negociatat? Pse 13 dhe jo 20 apo 11 vjet? Kush garanton që negociuesit mbajnë anën e koncesionarit në këmbim të përfitimeve personale?
Këto ishin paqartësitë që kishin interes të pyetej Kryeministri. Së pari, pse e rishikove kontratën në 2016-ën duke ia shtuar vlerën e kapitalit kompanisë gjermane dhe e dyta, pse nuk e tenderove të drejtën koncesionare për vijimin e kontratës pas vitit 2027? Procedurat nuk janë pika e fortë e Kryeministrit, por janë ligje themelore në demokraci. Barazia përpara ligjit dhe trajtimi jopreferencial i subjekteve është a-ja e demokracisë. Pasuria publike nuk është pronë private.