Megjithëse kjo qeveri është kthyer në një minierë skandalesh, të cilat e kalojnë fantazinë e çdo të çarturi, ajo jo vetëm nuk bie, por as nuk ndryshon. E gjithë lista e gjatë e bërë publike sa nga media, sa nga opozita nuk ka prekur qoftë dhe një anëtar të kabinetit. I vetmi i sakrifikuar është një zëvendësministër Arsimi, kurse nuk tuten Damiani, Arbeni dhe jo më Edi Rama.
Kudo shahet në kor qeveria dhe Rilindja, në media, politikë, brenda jashtë opozitës, brenda jashtë Partisë Socialiste, tek berberi, në kafe, tek zonat informale, ish-pronarët, kudo. Sporti më popullor është të telendisësh qeverinë. Por, po kudo të thonë që me këta që janë në opozitë nuk ia vlen, se “qorr për qorr e kam në oborr”.
Për fat të keq, këtë psikologji popullore e di dhe qeveria që vazhdon e tund sondazhet.
Së fundmi, aksioni opozitar mori vrull, falë Unazës së Re, studentëve dhe gazetarëve guximtarë që demontuan një skemë të frikshme mashtrimi. Çfarë ndodhi? Lulzim Basha shkon mbrëmje për mbrëmje te Unaza, LSI, përveç atij diversionit dy lekësh për Erion Veliaj, përbetohet që Edi Rama të gjejë brimë e të futej, ndaj pritshmëria sikur nisi të rritej.
Një javë më parë, opozitarët u shfaqën të bindur që do digjnin mandatet. Dërguan në Kuvend një përfaqësi që u betua: “Po rrëzuat amendamentet tona, nuk kthehemi më këtu!”. Por, një javë më pas Sali Berisha, njeriu që vinte dorën në zjarr, kur thoshte: “Unë për vete nuk shkel më në atë sallë!”, del me tezën që duhet shkuar në Kuvend për studentët. Pas tij, të gjithë të tjerët me Lulin e Ervin Salianjin u vunë në rresht. Sebepi janë studentët; ata që ishin para një jave dhe pushteti as iua vari amendamenteve të opozitës “revolucionare”.
Ja ku i hodhën prapë ujë zjarrit, ja ku i dhanë sërish oksigjenin aq jetik Edi Ramës, ja ku shkuan të luajnë prapë në fushën e tij, ku dalin përherë jo të humbur, por të dërrmuar.
Prandaj, njerëzit nuk kanë besim, sepse prapë nuk ngjitën. Prapë Lulzim Basha u afroi të njëjtin model opozitar, ku ndryshimi pritet të vijë nga energjia e Fatmir Mediut, Dashit të Havasë apo Nard Ndokën me Tritan Shehun.