Nga Alma Nikolli
Sa zbres në oborr në të çarat e betonit shoh dhjetëra milingona që ia kanë nisur punës. Transportojnë ushqim milimetrik për sytë e mi, ama gjigand për përmasat e tyre. E kjo ndodh prej se kur isha fëmijë, e kaloja me orë të tëra duke i vëzhguar nën rrezet e diellit pranveror. Pak më tutje, mbi trëndafila e zambakë, grerëzat a bletët po bëjnë “normat” e veta. Në rrugë një komshije po “ujit” pjesën e saj të rrugës, por edhe më tutje. Pluhuri i Tiranës do ujitur që të mos mbijë!
Rrugët gumëzhijnë nga gra që vrapojnë për të shkuar në fabrika, zyra, lokale, a shkolla. Më parë kanë lënë gati çdo punë në shtëpi, kanë veshur vogëlushët dhe po i çojnë për dore në kopësht. Atje i pret një teta edukatore që po ashtu ka bërë disa punë të tjera para se të nisë kujdesin për ta. Sigurisht që për fat, në rrugë vëren edhe shumë burra, që duket se janë më pak ngaqë shkojnë më individualisht drejt punës së tyre.
Ecën dhe pak e ja ku shikon disa djem të rinj, të pa pajisur me maska që boshatisin koshat e mbeturinave që lagjia të mos ketë alibi për të ndotur jashtë tyre mbasdite. Ata nuk kanë turp që po punojnë siç bëjnë jo pak herë moshatarët e tyre, thjesht ndonjëherë ndihen keq vetëm se njerëzit zënë me duar hundët kur kalojnë para mbeturinave të tyre, që këta djem po “trazojnë”. “Zonjë më fal që po të marr mbeturinat”, duket sikur u lexohet në sy.
Më tutje, fatorino prej ndoshta edhe disa orësh në punë nuk ta kthen kusurin gabimisht asnjëherë nga përgjumja. Është aty duke punuar, duke u shtyrë bashkarisht me gjithë turmën mëngjesore që vrapon për të punuar.
Më ka rastisur shpesh që para se të zbresin nga autobusi dhe të nisin vrapimin me qesen e bukës mbështjellur në gazetë, gra e burra të debatojnë me shoferin e autobusit për shpejtësinë e ngadaltë me të cilën ecën. “O po nxito se u bëmë vonë për në punë”. Edhe ai duke punuar është, ka një urdhër që ia dikton shpeshtësinë e shpejtësinë.
E kështu me radhë po të mos më duhej edhe mua të shikoja punët e mia, do të vëreja shitëse që po sistemojnë arkat me mollë, vajza e djem që marrin frymë thellë dhe futen në Call Center-a, militantë të “njomë” që drejtojnë pak jakën e këmishës a zgjasin minifundin që të futen përtueshëm në zyrën që për atë ditë ka 5 projektide të shkruara në letër.
E të tjerë, shumë të tjerë.
Në këtë vend punohet, se jetohet. Punohet në heshtje, mjerim dhe nënshtrim. Një rrogë e vonuar apo jo, një fizik i fortë që nuk ka leje të sëmuret, goja e mbyllur…dhe një ditë përkujtimore si 1 Maji. Por në këtë vend të gjithë quhen dembelë sepse paratë i fitojnë ata që nuk bëjnë asgjë.