Nga Ag Apolloni
Filozofi i lashtë grek, Empedokli, katër elementet më të rëndësishme për jetë i konsideronte: tokën, ajrin, ujin dhe zjarrin. Në Kosovë, toka është helmuar gjatë luftës, ajri është helmuar pas luftës. Ky helmim nuk paraqet shqetësim për Qeverinë tonë, sepse, tek e fundit, kanë mbetur edhe dy elemente të pahelmuara. Mund të provojmë të jetojmë në ujë, por edhe ujin e kemi të ndotur. Megjithatë, ka shpresë: zjarrin e kemi të sigurtë! E, ai vend, ku vetëm zjarrin e kemi të sigurtë, ne e quajmë Kosovë, kurse të tjerët e quajnë ferr.