Deputeti socialist Pandeli Majko ka bërë një deklaratë të pazakontë fundjavën që shkoi, duke i propozuar kongresit socialist të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Ish-kryeministri, e propozon këtë zgjidhje si nevojë në kushtet e dështimit të marrëveshjes për reformën në drejtësi. Kjo do të thotë se nuk ka një marrëveshje brenda vetë koalicionit të majtë për këtë reformë. Në se do të kishte një qëndrim të unifikuar, mazhoranca i ka votat e nevojshme për t’i bërë presion opozitës që të ulej në tryezën e bisedimeve dhe të bëhet pjesë e reformës duke marrë parasysh edhe pretendimet e tyre.
Propozimit të Majkos i është përgjigjur kryetari i LSI-së Ilir Meta, i cili i sugjeron socialistëve të jenë më optimistë për këtë refomë. Sa herë flitet për reformën në drejtësi, Ilir Meta, duket se është më i tërhequr në pozicion mbrojtës.
Për të shprehur devotshmërinë tij për të bërë shtet ligjor, Meta e sheh origjinën e problemit më shumë tek dekriminalizimi dhe reforma zgjedhore, se sa tek reforma në drejtësi. Vjeshtën e kaluar, kur po përfundonte drafti i ekspertëve për reformën në drejtësi, në kushtet kur Rama sa vinte e ashpërsonte gjuhën për reformën, Meta doli në media duke i mëshuar prioriteteve që ka dekriminalizimi, pa e përmendur reformën në drejtësi. Interesi i dy palëve nuk përputhej dhe nuk arriti të krijonte një qëndrim të vetëm të mazhorancës, ndërsa opozita mbeti pothuajse jashtë debatit.
Kryeministri Rama ka më shumë se një vit që ka përqëndruar diskursin politik tek reforma në drejtësi si nyja që zgjidh gjithçka. Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, është shfaqur më i interesuar për dekriminalizimin dhe reformën zgjedhore.
Ilir Meta është bërë objekt i drejtësisë me çështjen e hapur në ngarkim të tij për ryshfet, akuzë kjo, e mbështetur nga vetë Edi Rama rreth pesë vite më parë, kur ky i fundit ishte në opozitë, ndërsa Meta bashkëqeveriste me Berishën. Kreu i LSI-së u gjykua dhe në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë doli i pafajshëm.
Ndërsa Rama, akuzohet se në grupin e tij parlamentar ka deputetë me të shkuar kriminale. Kriminalizimi i politikës ka qënë beteja kryesore e opozitës për dy vitet e fundit. Përveç akuzës për deputetë me të shkuar kriminale, opozita ia ka dalë shpesh të faktojë raste të emërimit në funksione të lartë të administratës shtetërore, të personave me të shkuar kriminale. Janë të shumta rastet, kur kryeministri është detyruar t’i shkarkojë pak ditë pas emërimit.
Kryeministri Rama ndjehet më i ekspozuar prej ligjit të dekriminalizimit dhe është më i interesuar ta kalojë në plan të dytë, ndërsa e vlerëson si thelbësore reformën në drejtësi. Kurse Meta, me sa duket ka më pak probleme me ligjin për dekriminalizimin, pasi në grupin e tij parlamentar deri tani nuk është akuzuar ndonjë deputet apo funsksionar partie me të shkuar kriminale.
Në këtë betejë të heshtur qëndrimesh midis Ramës e Metës, opozita është shfaqur më afër Metës, pasi i ka mëshuar më së shumti debatit për ligjin e dekriminalizimit.
Sa do të avancojë politika në secilin front, qoftë tek dekriminalizimi, qoftë tek reforma në drejtësi? Pikësëpari duhet të biem dakord se të dyja çështjet janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse do të kishte reformë të thellë në drejtësi, çështja e dekriminalizimit zgjidhet automatikisht, edhe pse do t’i jepte kohë të mjaftueshme deri në zgjedhjet e ardhshme socialistëve për të përpiluar një listë të re me kandidatë për deputetë, pa i detyruar të nxjerrin nga parlamenti ndonjë nga deputetët këtë sezon. Nëse ka një sistem drejtësie të konsoliduar nuk mund të ndodhë që një person me të shkuar kriminale të mbërrijë deri në institucionet më të larta të shtetit, deri në sallën e Parlamentit si ligjvënës.
Mesa duket, ligji për dekriminalizimin dhe refoma në drejtësi do të kenë të njëjtin përfundim, siç kanë pasur edhe të tjera reforma të rëndësishme të miratuara nga palët në politikë. Nëse i referohemi historisë së 25 viteve të fundit, Shqipërisë nuk i kanë munguar ligjet për të bërë drejtësi, por i ka munguar vullneti për t’i zbatuar ato.
Janë bërë dhjetra marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, të cilat kur janë nënshkruar janë ofruar si zgjidhje vendimtare në sytë e opinionit, por në të vërtetë kanë rezultuar nul dhe pa asnjë efeket pozitiv në shoqëri. Kjo të jep të drejtë të paragjykosh, se ky do të jetë dështimi i rradhës për reformat, ku janë kapur kaq shumë krerët e politikës. Do të duhet të priten fijet e lidhjeve të politikës me krimin. Nëse kjo ndodh nuk është çudi, që e gjithë elita politike të bjerë. Por askush nuk është gati të sakrifikojë, përkundrazi duke u ndjerë e kërcënuar, kjo elitë politike, po shfaqet gjithnjë e më arrogante ndaj shqiptarëve dhe thirrjeve të ndërkombëtarëve.