Deputetja demokrate, Majlinda Bregu, i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nisë me urgjencë një hetim terësor për vrasjen e Liljana Rukaj në Fier.
Teksa i referohet edhe deklaratës së ditës së sotme të ministrit Tahiri se Policia ka bërë strehimin e saj në banesën e të vëllait të saj dhe ka kërkuar menjëherë pranë Gjykatës Fier lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, Bregu thotë: Gjykata pretendon se ka lëshuar urdhër mbrojtje. Policia se nuk e ka marrë. Pushteti Vendor nuk di gjë. Nëse urdhri i mbrojtjes nuk është përcjellë nga gjykata në polici, apo është përcjellë po atje s’ka mbërritur kurrë, unë nuk e di. Di se kushdo qoftë që nuk e ka zbatuar ligjin ose më keq e ka trajtuar këtë rast si një ndër rastet epidemike të dhunës në familje, sot duhet ndëshkuar po si bashkëshorti vrasës.
Gjithashtu, deputetja kërkon nga Presidenti Nishani që në cilësinë e Kryetarit të KLD-së të nisë inspektimin tematik të rastit në Fier dhe për të gjitha rastet e vendimeve të dhunës në familje.