Nga Lutfi Dervishi
Shqipëria nuk luan në Botërorin Rusia 2018, por kjo nuk ka penguar pothuaj të gjithë televizionet në Shqipëri, kombëtare dhe lokale të bëjnë emisione sportive! Përjashtim këtu bën vetëm ERTV. Ndeshjet transmetohen vetëm në RTSH, por nuk guxon të hapësh ekranin se të gjithë televizionet informative bëjnë programe kushtuar Botërorit. Formatet janë copy -paste.
Nuk e di kush e pati idenë gjeniale se një emision sportiv është i sukseshëm, nëse merr një “vajzë pak budallaçkë, pak bjonde dhe pak të veshur dhe e përdor si objekt tallje, balancoje me një djalë/burrë që flet budallallëqe me zë të lartë (mund ta lësh dhe pa mikrofon), hidhi pak kripë duke marrë një politikan në studio që shfaqet me një pamje më të menduar dhe më të vuajtur se të Sokratit, futi një moderator që i ka në majë të gjuhës shakatë pa kripë, qesh, kur duhet të qash dhe ngrysu, kur duhet të qeshësh, vijo me pyetje të hatshme të tipit: Si mendon ti? Si t’u duk? Si thua? Po ti për kë vë bast? Regjia më ndihmo pak se e harrova këtë…. Dhe ja ku bë emisioni sportiv! Ideatori i këtij formati duhet ta patentojë skemën dhe të kërkojë para për çdo program të “ri” sportiv që do të shfaqet në të ardhmen.
Ka vende si Kroacia, kombëtarja e së cilës është në Botëror dhe ka një program sportiv! Por, Shqipëria është edhe këtu rast “sui generis”.
Një pyetje pa lidhje? Çfarë kuptimi ka të ftosh analistë sportivë që para ndeshjes japin argumente, pse do të fitojë Spanja dhe pas ndeshjes të japin argumente plot pasion, se pse nuk fitoi Spanja?! Dhe në fund të thonë: e parashikova të vështirë këtë ndeshje dhe kështu doli!
Shvjeku diku thotë: o Zot, mirë që u çmendën, po pse të gjithë në një ditë?”.
Megjithatë ngushëllimi është se 1 ditë nga Botërori kaloi dhe kemi edhe 29 ditë. Ana pozitive është se kemi 29 programe sportive. Shikim të këndshëm!