Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Top Channel dhe racizmi me “intelektualët kukësianë”

Nga Media 0

Në portalin Gazeta Shqip, një botim i Top Media Group (grupi mediatik që zotëron edhe Top Channel midis të tjerave), dje më zuri sytë një shkrim me një gjuhë denigruese që në thelb tallej me “intelektualizmin kukësian” dhe këngëshkruesin Andi Bejtja….

Kjo më bëri të reflektoj pak në një kohë tjetër…

Nga Ermal Mulosmani

Në Korrik të vitit 2001,  një dritare magjike për sytë e mësuar historikisht për të mezidalluar imazhe përmes mjegullës televizive, u shfaq papritur në televizorët tanë. Nuk ishte Rai as Mediaset-i, ishte një klonim i tyre në realitetin tonë.

Një cilësi figure e shkëlqyer, skenografi të kuruara deri në detaje, ndriçim artistik, grafika marramendëse, figura të reja televizive, ritëm montazhi, programacion plot sqimë… Televizioni që na ndriti shtëpitë kishte edhe emrin jashtë skemës.

Quhej Top Channel!

Të mësuar me mediat tradicionale që transmetonin thuajse pa doganë artistike, ardhja e Topit në realitetin tonë mediatik ishte një padrejtësi e skajshme. Një nivel i tillë teknologjik, një dinamikë e tillë vrastare dhe programacion agresiv e ngriti stekën e konkurimit në lartësi të papërballueshme.

Uau!, ia bëmë të gjithë. Nga erdhi kjo trandje që na mahniti kaq shumë?!

Të vërtetat përziheshin me legjendat, thuhej se ndonjëherë dekore të tëra hidheshin në plehra pasi nuk arrinin të merrnin pëlqimin e Shefit.

Shpejt u bë i njohur që prapa gjithë këtyre ideve dhe parave të hedhura ishte një 32 vjeçar me origjinë nga Kukësi, një vullkan energjish që edhe ritmin e të jetuarit e të folurit e kishte me të njëjtën valë si të punuarin.

Kështu erdhi në realitetin tonë të varfër me para e ide Tani i Topit. Pa dyshim ai ishte lokomotiva e trenit modern shqiptar, ai ishte ikona teknologjike, vitrina e pasur e një vendi të varfër.

Ndër njerëzit kryesorë, të njohur, afër Tanit të Topit të asaj kohe spikaste Andi Bejtja, Drejtori i parë i Informacionit të Top Channel, bashkëthemelues.

*********

Mirëpo këto gjëra i dinë të gjithë. Koha ecën dhe Tani tashmë është pjesë e historisë. Pas shumë peripecish për trashëgiminë e pronës (një skandal më vete ky, kur miqtë e tij më të afërt,  në mënyrë të paskrupullt, nuk pranuan t’i kalojnë aksionet fiktive tek trashëgimtarët e ligjshëm të Tanit), më në fund gjërat shkuan në shtratin e vet.

**********

Topi  erdhi në epokën pas Tanit. Ishte e pamundur të ruhej ai ritëm i çmendur i kohës së parë, megjithatë, Topi nuk u dorëzua krejt. Të paktën deri në një farë periudhe e mbajti pozitën lider në treg. Mirëpo profesionalizmi ka kosto, mbështetja politike e pushtetit duhej për të amortizuar kostot e larta të produksioneve, sponsorizuesit dhe reklamuesit gjithmonë e më shumë po i ndanin fondet e veta në shumë media të tjera.

Mbijetesa dukej e vështirë ndaj u bë një zgjedhje  interesante!

*********

Ben Blushi, armiku më i madh politik i Edi Ramës, ia arriti të bëjë nul 20 mijë vota pro tij që sapo ia kishte marrë opozitës. Retorika e majtë për një politikë të barabartë (akronimi LIBRA ishte pikërisht një lojë fjalësh- lista e barabartë) ku do favorizoheshin të varfrit e të taksoheshin të pasurit, ishte në kundërshtim të politikave të djathta të Rilindjes së Edi Ramës dhe synonte të devijonte ato vota që mund të shkonin te opozita.

Në fund të kësaj loje, Ben Blushi doli me pozitën më pak të pritshme nga publiku, atë të Drejtorit të Përgjithshëm të Top Channel!

Në pamje të parë dukej një zgjidhje profesioniste. Blushi njihej si një gazetar i shkëlqyer, një njeri i botës së medias dhe politikës, një menaxher dhe kryeredaktor i njohur. Nga humbja e zgjedhjeve deri në zgjedhjen e Blushit kishin kaluar 6-7 muaj.

20 mijë votuesit e duartrokitën (votuesi-votues, ç’të bëjë i ngrati)…

*********

E tepërt të thuash se si u kthye linja politike e Top Channel. Dikur kam pasë një shkrim për këtë gjë.

Ekrani i shenjtë i Top Channel u kthye në një përforcues të ERTV, një servil i niveleve ekstreme nga ata të kohës së parë të PD-së. Po sjell në kujtesë këtu vetëm një skeç të Portokallisë së para 10 ditëve për të kuptuar atë që po them. Këtë tekst pocaqi do e refuzonte edhe Endri Fuga:

Krahas me servilizmin politik për të kapë vëmendjen dhe llokmat e Kryeministrit, u zhvillua edhe një luftë banale me presione ndaj biznesit. Sponsori kryesor i programit “Portokalli” një ditë u tërhoq nga bashkëpunimi. Tërheqja e tij u shoqërua me një masakër televizive me kronika, shkrime e emisione investiguese. Të gjithë e kuptonin që kjo ishte një gjueti shtrigash (paçka se kompania e meritonte të sulmohej) Por duhej ta kishte bërë këtë punë në Shtator, kur merrte para e jo në Shkurt kur u ndërpre ndihma.

Palët nisin t’i nxjerrin bojën njëri tjetrit por po i bënin një të mirë të madhe publikut. Adhuruesit e dikurshëm të Top Channel po shihnin sesi u degdis ekrani i adhuruar në një “llaxore” që lëshon sharje sa majtas-djathtas. Për çdo ditë gazetarët e ngratë të Topit detyroheshin të bënin kronika linçuese për gjyqtarët që kishin në dorë fatin e aksionerëve të Top Medias.

Mirëpo, thënë të drejtën, askujt nuk po i vinte keq as për gjyqtarët e korruptuar e as për kompaninë mafioze; ata i meritonin sulmet dhe i kishin kapacitetet të mbroheshin. Keq po na vinte vetëm për katandisjen e Topit të Tanit në top gjuajtës të Vjollcës dhe Blushit dhe jot ë interesave të publikut.

*********

Po mos të ishte shkrimi i djeshëm as nuk do ulesha fare.

Dje pashë që Top Medias po tallet me “intelektualët kukësiane” dhe Andi Bejtjen. Bash me themeluesit e saj. Një gjuhë raciste, përçmuese, denigruese vihej re në togfjalëshin “Intelektuali kukësian”. Ishte një urrejtje e ulët, e zezë, një gjuhë linçuese, e denjë për një llaxore mediatike. I drejtohej sa personit konkret aq edhe themeluesit të Top Medias, Tanit të Topit. Fjala “kukësian” (duhet kuksian) nuk është shkruar gabim padashje, ajo është një përqeshje me gjithë atë zonë. Sepse autori i atij togfjalëshi të zi, neveritës, është një racist, një ndarës i intelektualizmit sipas zonave, për atë intelektuali është përkatësi ekskluzive e Elbasanit apo Korçës por kurrsesi e Kukësit.

Kukësi ka veç “intelektualë kukësianë”, një specie e veçantë e intelektualizmit, një nënintelektual. A thua se intelektuali është një bimë tropikale që nuk mund të gjendet në pol të veriut!

A thua si u ndien pronarët e Top Channel nga përqeshja e “kukësianëve”?

Po AMA a e vërejti këtë denigrim mbi baza krahinore, këtë racizëm të Gazetës Shqip?

Urrejtja e Top-it të sotëm ndaj “kukësianëve” dhe emrit të Andi Bejtes nuk është rastësore. Ajo është një lapsus frojdian që nxjerr në pah mllefin për krahasimin e tmerrshëm të Top-it të djeshëm me atë të sotëm. /Gazeta Express

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej