Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Ka dritë në fund të tunelit

Nga 27.al 0

Nga Niko Peleshi

Detyra e ditës në këtë periudhë pandemie është respektimi i masave parandaluese për të frenuar sa më shumë shpejtësinë e përhapjes së virusit duke e mbajtur numrin e të prekurve që kanë nevojë për trajtim spitalor brenda kapaciteteve të menaxhimit të sistemit tonë të shëndetit publik. Kjo është kryefjala dhe kryeshqetësimi jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i gjithë botës përfshirë vendet më të zhvilluara. Por pandemia do të shuhet herët a vonë. Pjesa më e madhe do ta kalojnë pa asnjë pasojë, disa të tjerë për fat të keq nuk do t’ia dalin. Se sa do të jetë bilanci i kësaj lufte të pazakontë askush nuk e di, por një gjë dihet me siguri:
Pandemia do të ndezë shkëndijën e një flake inovacioni e kreativiteti që ndonëse e imagjinonim, nuk e prisnim kaq shpejt. Inovacioni do të ushqehet pa kursim nga nevoja për t’iu përshatur ndryshimeve në të gjitha aspektet e jetës.
Sistemet e shërbimeve publike si shëndeti publik apo transporti publik; sipërmarrja private kryesisht në fushën e shërbimeve; marrëdhëniet e njeriut me vendin e punës, me edukimin e deri te marrëdhëniet ndërmjet shteteve do të pësojnë ndryshime epokale.
Epokale do të jenë edhe shanset tona.
Në kohë krizash dhe në kohë revolucionesh renditja e vendeve në listën e klasifikimit ndryshon. Ndryshon sepse jo të gjithë vendet i lexojnë njëlloj mesazhet që sjell megangjarja kritike.

Shërbimet e shëndetit

Hapësira të mëdha do të krijohen sidomos në fushën e shërbimeve të shëndetit dhe dietës ushqimore. Dr. Google ka kohë që po hyn në cdo familje por pas pandemisë kërkesa për informacion dhe këshillim mjekësor do të rritet dhe bashkë me të duhet të shtohet edhe përmbajtja në gjuhën shqipe. Ndërtimi i platformave inovative të shëndetit (ihealth) me inteligjencë artificiale është një fushë e re për startup-et shqiptare. Për ta mbështetur çdo ide e startup, më mirë e më shumë se çdo vend tjetër, nuk duhen fonde të mëdha. Duhet thjesht fokus dhe vullnet.
Ngritja e platformave për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave epidemiologjike dhe mjekësore duke u mbështetur në teknologjinë e re “blockchain”, gjithashtu mund të bëhet më pak fonde por më shumë vullnet për inovacion.
Kështu unë besoj se mund të ngjitemi disa shkallë në klasifikimin e sistemeve të shëndetit publik të paktën sa i përket pjesës së informacionit dhe analizës së të dhënave.

Sipërmarrja e shërbimeve

Po të shohim me kokë ulur vetëm nga e sotmja, nuk gjejmë dot asnjë rreze optimizmi. Por pesimizmi as nuk e largon virusin dhe as nuk na përgatit për të nesërmen kur pandemia do të jetë zhdukur.
Sot pjesa dërrmuese e bizneseve të shërbimeve janë mbyllur. Mijëra të punësuar në biznese si hotele, bare, restorante, palestra, agjenci turistike etj janë të pasigurt për vazhdimin e punës pasi një pjesë e mirë e këtyre bizneseve mund të
mbyllen. Sa kohe do të kalojë deri sa të kthehemi në normalitet? Këtë askush nuk e thotë dot, por mund të thuhet me siguri se do të kemi një normalitet të ri.
Një normalitet të një lloji tjetër.
Nëse rrimë e presim rikthimin e asaj që shkoi, mbase do të dalim të humbur nga kjo luftë.
Normaliteti i Ri duhet të fillojë me një plan të ri.
Ky plan për botën e ekonomisë dhe sipermarrjes duhet të mbajë parasysh ndryshimin e kushteve të të bërit biznes për shkak të kufizimeve sociale që do të ndryshojnë sjelljen konsumatore, nga njëra anë dhe krijimin e kultures së re dixhitale që po kultivon peridha e distancimit social, nga ana tjetër.
Pandemia do të ndryshojë sjelljen kosumatore. Shërbimet që ofrohen në evente apo grumbullime masive mund të jene të kufizuara me shumë gjasa edhe për të pakten 1 vit. Mbase edhe më vonë qytetarët do t’i shmangin mjediset më shumë
njerëz. Konsumatorët do të preferojnë më tepër shërbime të ofruara në shtëpi, në celular apo në mjedise me pak njerëz. Kjo do të sjellë ditë jo të mira për bizneset e shërbimeve sidomos ato gastronomike dhe turistike, nëse ato do të mbështeten tek i njëjti model biznesi.
Nga ana tjetër periudha e distancimit social po i familjarizon shpejt qytetarët me shërbimet online si porositja e ushqimeve dhe mallrave të tjera nga telefoni, komunikimet në video call, pagesat online, mësimet online etj. Kjo periudhë po sjell si efekt anësor një kulturë dixhitale të shtuar.
Kështu sjellja e re konsumatore do të dëmtojë modelin e sotëm të biznesit për shumë biznese shërbimesh, por do të krijojë kushte të favorshme për shërbime të tjera. Ndaj bizneset duhet të mendojnë çdo ditë për të rialokuar shërbimet
apo produktet apo gjithë biznesin në fushat ku do të drejtohet kërkesa e re. Kjo do të thote se nëse një restorant nuk e ka hapur ende nje shërbim taxi duhet ta bëjë atë menjëherë. Hotelet duhet të presin një ulje të ndjeshme të numrit të
klientëve e në këto kushte duhet të shtojnë të ardhurat duke e pasuruar paketën e sherbimeve me vlerë të shtuar. Në Korçë për shembull, hotelet e bujtinat nuk kanë filluar ende të “shesin” paketa integrale ku veç akomodimit të ofrohet edhe guida turistike në atraksionet e zonës. Shërbimet e personalizuara do të jenë gjithnjë e më të kërkuara në treg. Pra këto biznese duhet t’i pergjigjen pyetjes: Si të sigurojmë më shumë te ardhura me më pak klientë? Ndërtimi i ofertave inovative dhe prezenca interaktive online është një nga rrugët e përshtatjes me një treg që do të ndryshojë sjellje. Po të kthejmë vëmendjen nga historia e afërt e epidemisë së virusit SARS do të shohim se kjo epidemi u bë shkak për përshpejtimin e penetrimit të internetit në Kinë dhe rritjen eksponenciale të kompanisë më të madhe të shitjeve online, Alibaba.

Aftësitë e reja dixhitale

Shërbimet online do të rriten vrullshëm në të gjithë globin. Mundësi të mëdha do të hapen për të gjithë të rinjtë që do ta kuptojnë këtë trend dhe do të përfshihen në tregun e programuesve, marketierëve dixhitalë, shërbimeve të e-commerce apo shërbimeve të tjera të teknologjive të informacionit. Kjo rritje e kërkeses për shërbime IT krijon hapësira për vende të reja punësimi e vetpunësimi. Teksa po shkruaja këto rreshta, pata një bisede të shkurter (virtuale natyrisht 🙂 ) me Laidi Ferrunin, një pionier i trajnimeve për marketing dixhital,
dyqane online, menaxhim të rrjeteve sociale etj dhe drejtuesi i grupit Online Enterpreneurs Club Albania në facebook. Ai më tha se gjatë periudhes së pandemisë kërkesa për trajnime është rritur shumë. Laidi punon për tregun global, por lajmi i mirë ishte se këtë trend po e ndjekin edhe të rinj nga Shqipëria. Për të rinjtë dhe jo vetëm, kjo periudhë disa javore është e
mjaftueshme për të përfunduar një trainim online pra për të marrë një aftësi që mundëson punësim të shpejtë ose vetpunësim si freelancer në tregun global nga shtëpia.

Edukimi në distancë

Sot mbi gjysëm milion fëmijë e të rinj shqiptarë janë duke i marrë leksionet nga shtëpia. Mësuesit meritojnë mirënjohje për punën e madhe që po bëjnë për të t’i përshtatur programet mësimore në një kohë kaq të shkurtër. Në kushte të tjera kjo detyrë do të dukej e pamundur, por nevoja e bëri realitet. Sapo ka lindur kështu një treg i ri për startup-et e tekonologjive të informacionit dhe një praktike e re për komunitetin. Edukimi në distancë është një dritare e re që u hap në kohën e pandemisë për të mos u mbyllur asnjëherë.
.. .

Për fat të keq, jo të gjithë do të orientohen në rrethanat e reja. Shoqëria do të ecë në korsi të ndryshme dhe për rrjedhojë do të krijohen pabarazi të reja.
Sipërmarrja gjithashtu do të ketë fitues dhe humbës si në çdo kohë. Kjo nuk mund të shmanget, por ne kemi në dorë të ndertojmë një ekosistem të ri që i jep akses në burime të gjithë guximtarëve të ideve të reja. Kjo nuk mund të jetë
koha që i bën të pasurit me të pasur dhe të varfrit më të varfer. Kjo duhet të jetë koha që i lëshon skenën meritës dhe krijon barazi në mundësi.
Inovacioni ka qenë gjithmonë një recetë pothuajse magjike për të kapur kohën e humbur, por tani e në vazhdim inovacioni do të jetë edhe receta e mbijetesës. Nëse do t’i përgjigjemi më mirë dhe më herët, sfidave të së nesërmes që ndryshoi drejtim kaq papritur, jo vetëm do t’i mbijetojmë kohës, por edhe mund të dallohemi si histori suksesi duke i kthyer pasojat dramatike të kësaj “lufte” me të padukshmen, në impulse për inovacion dhe rritje.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej