Në dyert e shërbimeve diplomatike në Shqipëri ka mbërritur një sondazh i kryer për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që mbahen më 25 qershor, i realizuar nga Afrim Krasniqi, me porosi të Partisë Socialiste.
Ashtu siç edhe në sondazhet e mëparshme të cilat janë bërë mbi hije të forta dyshimesh për paanshmërinë e tyre, forcë e parë politike në qarkun e Tiranës, del Partia Socialiste, e dytë Partia Demokratike, dhe e tretë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Por në këtë situatë të ndezur politike në Shqipëri, ku partitë shkojnë drejt garës elektorale pa koalicione parazgjedhore, mes akuzash dhe kundër-akuzash të forta, shërbimet diplomatike nuk janë treguar indiferente. Një burim i besuar pranë një shërbimi të fuqishëm diplomatik në vendin tonë, tha për Express se ata kanë kryer sondazhe të brendshme, ku nga hulumtimet e tyre, situata paraqitet krejt ndryshe.
Express disponon rezultatet e të dy sondazheve, ato që kanë në tryezë selitë diplomatike me “firmën” e Afrim Krasniqi, dhe rezultateve që ka nxjerrë sondazhi i kryer nga mekanizmat e tyre të brendshme. Sipas këtij të fundit, Partia Socialiste në qarkun e Tiranës qëndron në krye me një diferencë të vogël nga Lëvizja Socialiste për Integrim, (vetëm 2 % të votave)duke nxjerrë kështu të tretën Partinë Demokratike, që çuditërish, në sondazhin e Krasniqit kishte një rritje të befasishme si forcë e dytë.
Disi artificiale kjo, duke marrë parasysh situatën ku ndodhet aktualisht kjo forcë politike. I njëjti burim diplomatik tha pranë Express se sondazhi që nxjerrë të parë partinë e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, është i porositur nga Partia Socialiste dhe vetë drejtuesi i saj.
Por përse bëhet gjithë ky manipulim me rezultatet e sondazheve në më pak se dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve në Shqipëri?
Frika më e madhe është se ka një tentativë për të “përligjur” rezultatin e zgjedhjeve që mund të vidhet nga forcat politike, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, tashmë në një marrëveshje politike me njëra-tjetrën prej 18 maj të shtrëngimit të duarve mes kreut të qeverisë Rama, dhe liderit demokrat Basha.
Një shqetësim që e ndajnë edhe shërbimet diplomatike në vendin tonë, të cilat siç ky burim i besuar i tha Express, janë duke ndjekur me vëmendje situatën parazgjedhore në Shqipëri, me dyshimet e forta se pas rezultateve të këtyre sondazheve mund të fshihet diçka më e madhe.
Konkretisht: Duke përhapur në tavolinat e shërbimeve diplomatike dhe në mbarë opinionin publik, PS-në si forcë të parë politike dhe PD-në të dytë, nuk do të kishte asnjë reagim, e madje edhe ndërkombëtarët do ta kishin të lehtë të vinin “vulën” mbi fituesin e zgjedhjeve, që do të konsideroheshin më në fund: Zgjedhje me standarde ndërkombëtare.
Në përpjekje për ta arritur këtë, duket se Rama dhe Basha kanë harruar vigjilencën e shërbimeve diplomatike, që në fakt e shohin këtë si një përligjje që po tentohet t’i bëhet vjedhjes së votës më 25 qershor, pasi nga mekanizmat e tyre rezultojnë të tjera rezultate . Ky falsifikim i sondazheve (në dukje i vogël) se PS dhe PD kanë numrin më të mëdhenj të votuesve, bëhet për të justifikuar një krim elektoral, siç është vjedhja e votës.
Edhe Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, i cili pret të mandatohet më 24 korrik, mbi bazën e këtyre dyshimeve dhe shqetësimi serioz për të ardhmen e vendit, tha se nuk do të dekretojë asnjë qeveri nëse cënohet vota e lirë.
Në sondazhin e Afrim Krasniqit, gjithçka flitet për fitore të partive të mëdha…partitë e vogla janë inekzistente. Por në sondazhin e brendshëm të selisë diplomatike që Express e disponon, partitë e vogla kanë pjesën e tyre.
Express investigoi më herët edhe për një gënjeshtër të madhe me sondazhet e televizioneve në Shqipëri, ku doli hapur se pas tij qëndronte Partia Demokratike, që çuditërisht dilte forcë e dytë politike në rang kombëtar.
Rezultati i sondazhit të brendshëm të selisë diplomatike
32 % të votave PS
30 % të votave LSI
25 % të votave PD
5 % të votave PDIU
3 % Libra (e Ben Blushit)
1 % Sfida (e Gjergj Bojaxhi)
1 % FRD (e Bamir Topit)
3 % të tjera…
/gazetaexpress.com/