Nga Kujtim Xhaja
E hënë… mëngjes…në punë…
Heshtjen papritur e thyen një mesazh i nënës sime në celular…
Ajo ish shqetësuar së tepërmi kur kish ndezur televizorin dhe asnjë kanal televiziv nuk ishte shfaqur!
Nuk e konceptonte dot, sesi ajo paisje gjigande e kohëve të fundit, tashmë kish dalë jashtë funksionit. E kish vështirë ta besonte!
Unë si gjithmonë, me një moskokëçarje që më karakterizon i kthej një përgjigje në What’s Up: “S’ka problem mama, kur të vij unë do t’i bëj një kontroll automatik të gjithë kanaleve…kaq e thjeshtë është…
Në fakt, nuk ishte edhe kaq e thjeshtë sa mendova, gjërat janë pak të koklavitura kur vjen puna tek teknologjia…
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) kish njoftuar për “lajmin e kobshëm” që tre ditë më parë…me fjalë të thjeshta, në datën 10 Shtator do të mbylleshin transmetimet televizive analoge për qarqet Tiranë dhe Durrës. Kjo do të thotë se 1/3 e popullatës së Shqipërisë tashmë duhet të pajisej medoemos me dekoderin digjital tokësor DVB T2.
Shumica e familjeve të kryeqytetit u gënjyen me idenë se tanimë qenë gatitur me televizorë të mirë dhe këta të fundit e kishin të inkorporuar në brendësi dekoderin e këtij tipi.
E kur dita mbërriti, ata kuptuan se e kishin gabim. Këto paisje nuk ishin aq “mirë të sofistikuara” dhe duhej me patjetër një marrës të ri.
Disa i gjeti krejt të papërgatitur, ca të tjerë syresh nuk kishin lënë asnjë të hollë mënjanë për këtë “ditë të vështirë”…
Në punë kjo ish tema e ditës… kolegët e mi jo të gjithë ishin të informuar…
Disa e morën me gëzim të madh këtë lajm: “Sa mirë që u mbyllën!“- u dëgjua një zë kumbues nga mezi i sallës…
‘’ Tani nuk do të shoh më lajme dhe kronikë të zezë!!!”
E në këtë ditë, fituesit e vetëm ishin platformat digjitale private, të cilat e kanë mbështetur pareshtur këtë proces. Ato dolën të fituara edhe nga konkurrenca e padrejtë, e jashtëligjshme e disa transmetuesëve të tjerë piratë.
Dje, procesi i digjitalizimit përkoi edhe me ndeshjen e shumëpërfolur të futbollit Skoci-Shqipëri.
Ata, të cilët i gjeti të papërgatitur ky proces, nuk ia falnin vetes, që të linin pa ndjekur kombëtaren e tyre. Me vrap u drejtuan në pikën më të afërt të dyqanit të platformës digjitale për të blerë dekoderin….
Sapo kisha përfunduar punën, bëra një ecejake në këmbë dhe ç’pashë!
Për pak çaste mu duk si një tubim, apo protestë…jo…ish karvani i gjatë i njerëzve, të cilët kishin zaptuar dyqanin e njërës prej platformave digjitale. Ata po qëndroni në rradhë dhe po prisnin për të blerë atë paisjen e zezë, të sheshtë, të quajtur dekoder, marrës, aparat…quajeni si të doni.
Po mendoja duke vënë pak buzën në gaz:
Shqiptarët si gjithmonë do kujtohen në fund…në fund të vitit, pikërisht në ditën e parafundit, për të blerë gjelin e detit, apo frutat, në fund për të marrë pensionin, në fund për të paguar dritat, ujin…të fundit për të blerë librat e fëmijëve…
Ne, si një popull show-dashës, lajmedashës, politik-dashës, thashetheme-dashës e kemi më të lehtë të rrimë pa bukë, sesa pa televizor. Jemi gati të marrim borxh, për të pasur atë pajisje në një qoshe të shtëpisë, njësoj si në kohët e para, kur mburreshim me fqinjin tonë për një televizor bardh e zi, të zbukuruar me një copë çentro përmbi krye…
Shqiptari nuk e koncepton dot shtëpinë pa atë dritare informative, ndonjëherë rëndom edhe dizinformative e propaganduese. Ne të gjithë, kemi qenë të etur për “pak televizor”.
Ju kujtohen bëmat e çuditshme të prindërve tanë, kur sajonin antenën e televizorit me kanaçet e birrave, vetëm e vetëm të shihnin pak “Sanremo” apo pak “RAI”?
Dje, unë kam qenë me siguri njëri nga të paktët që e shijova aq shumë mbrëmjen pa televizor në shtëpi…
U rehatova dhe lexova një libër deri në mesnatë vonë….
Nuk pata fare nevojë për atë hallakatjen e mendjes, që të fal ai mjet i ftohtë, sedentar dhe pasiv…
Nuk pata nevojë për ata show-t e pakuptimtë, boshë, hera-herës të cektë, pa përmbajtje dhe shpesh një kopje e keqe e televizioneve të huaja…
Nuk ia ndjeva mungesën fare lajmeve, politikës, kronikës së zezë që servirin disa kanale informative, që shtohen dita-ditës, (gjithmonë e pyes veten ç’na hyjnë në punë gjithë këto kanale informative në një Shqipëri kaq të vogël?!!)
Madje më shijoi aq shumë një bisedë me njerëzit e shtëpisë, të cilët në një rrethanë tjetër do t’i kishin “gozhduar” sytë edhe gojën për disa orë të mira në atë serialin e famshëm turk.
Oh… shpëtova nga telenovelat turke…
Shpëtova nga ata opinionistët e gjithëditur që dalin çdo natë e që gatuajnë mendime të gatshme, gjysmë të përpunuara, gati të konsumohen nga shikuesi përtac…
Sikur edhe për një ditë, shpëtova nga të gjitha këto…
Rrofsh o digjitalizim… ?