Shpëtim Idrizi nuk ka dashur të qëndrojë i fshehur pas fjalëve, tek ka kërkuar nga Këshilli Kombëtar të drejtën për të rinegociuar marrëveshjen me koalicionin qeveritar.
Kësaj here marrëdhënia e vështirë e PDIU-së dhe qeverisë nuk është burim lajmesh të pakonfirmuara, por qëndrim i hapur zyrtar i një nga partnerëve më me peshë të shumicës. Ndryshe nga sa pritej ai as që e ka përmendur mungesën e një portofoli në kabinetin Rama, por ka shprehur gjithë mërinë e tij, në lidhje me mungesën e reciprocitetit që qeveria ka me fqinjët, veçanërisht Greqinë. Si pasojë e kësaj marrëdhënie varësie të Tiranës, Idrizi i quan të çala qëndrimet për Çështjen Çame. Përsa i përket varrezave të ushtarëve grekë ai thotë se partia e tij, Shoqata “Çamëria” dhe të gjithë patriotët shqiptarë nuk do t’i lejojnë, nëse nuk ngrihen varrezat e shqiptarëve të Çamërisë në qytetet nga ku i përzunë me dhunë.
Shpëtim Idrizi kërkon që reforma në drejtësi të kalojë ngutshëm, duke e përfshirë edhe atë në kushtet për marrëdhëniet me këtë qeveri, përndryshe ai nuk ka frikë të thotë se gjithsekush mund të shohë punën e tij.
Po kështu, për presionin e palës greke për çështjen e hapjes së kufinjve për refugjatët, ai ka kujtuar se Athina në vitin 1999 i mbylli kufinjtë për refugjatët kosovarë, ndaj dhe Shqipëria si Greqia asokohe duhet të presë rekomandimet e Bashkimit Europian.
Më poshtë është fjala e plotë e mbajtur nga Shpëtim Idrizi në Këshillin Kombëtar të PDIU-së, i cili do të shpallë zgjedhjet e plota në të gjitha strukturat e partisë, përfshirë dhe kryetarin me parimin: një anëtar, një votë.
Fjala e plotë e mbajtur nga Shpëtim Idrizi në Këshillin Kombëtar,PDIU
Nga sot ne fillojmë një proces shumë të rëndësishëm për PDIU:
- Atë të Organizimit të PDIU sipas ndarjes Territoriale
- Anëtarësimeve të reja dhe
- Zgjedhjeve të të gjitha Organeve të PDIU me parimin: Një anëtar, një votë, duke e filluar nga Kryetari i Partisë.
Ky proces do të kryhet me disa faza deri në mbajtjen e Kongresit në muajin qershor. Mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar ka natyrë organizative, ndonëse mund të duket e vonuar, është në fakt në momentin e duhur. Sot, ne jemi të gatshëm të organizojmë familjen tonë të përbashkët në thuajse mbarë territorin e vendit. Organizimi i brendshëm i partisë nuk është qëllim në vetvete. Ai është një mjet për të realizuar objektivat tona, për sa i përket kauzave, vizibilitetit politik, rritjes së përfaqësimit dhe solidaritetit tonë si një familje politike. Këto katër kolona janë qëllimi në vetvete, e në bazë të tyre duhet të funksionojmë në përditshmërinë tonë.
Dëshiroj ta nis me thelbin tonë:
Kauzat, që përfaqësojmë dhe që na veçojnë nga të gjitha forcat politike.
Ndryshimi cilësor i qëndrimit të qeverive shqiptare mbi trajtimin e Çështjes Çame gjatë tetë viteve të fundit është i dukshëm. Ai është gradual, me një përmirësim të vazhdueshëm, megjithëse shumë larg asaj që duhet të ishte. Mirëpo, fakti që është gradual dhe në përmirësim tregon më së miri se ky ndryshim është produkt i trysnisë së vazhdueshëme të PDIU-së. Qëndrimet tona janë fatkeqësisht arsyeja e vetme se përse qeveritë shqiptare po investohen në Çështjen Çame. Nëse gjatë mandatit të kaluar qeverisës, u arrit miratimi i Rezolutës së Çështjes Çame dhe ngritja e varrezave të Kllogjerit, dy arritje të pamenduara pak vite më parë, ky mandat po rrëfen një tjetër realitet. Me qetësi dhe pa zhurmë, çështja çame po artikulohet në nivel qeveritar. Fakti që për herë të parë PDIU-ja përfaqësohet me një zëvendësministër të Jashtëm është tregues për këtë. Kjo simbolikë është një fitore e butë, por e rëndësishme, e pazhurmshme, por kuptimplotë, një gur themeli që do të japë frutet e saj në të ardhmen.
Thënë ndryshe, po vijojmë të mbjellim, aty ku dikur toka ishte djerrë, për të korrur në çastin e duhur.
Puna për zgjidhjen e kauzave tona është larg populizmave shterpe dhe afër pragmatizmit idealist.
Pra afër, përmbushjes së idealeve tona në mënyrë të prekshme, me një qasje në përputhje me realitetin. Kjo nuk na bën që të vetëkënaqemi. Krejt e kundërta. Na detyron të punojmë më shumë. Pamë pak ditë më parë vizitën e ministrit të Jashtëm Bushati në Athinë dhe qëndrimet e tij për Çështjen Çame. Më duhet t’ju rrëfej se jam mjaft i zhgënjyer nga kjo vizitë. Jo, sepse nuk u ruajt standardi i deritanishëm i trajtimit të çështjes çame. Standardi në gjykimin tim u ruajt e madje u vendos një standard i ri më i mirë. Nëse nuk do të ruhej standardi, që me aq mund kemi vendosur nga vizita e zotit Panariti në Athinë, Ne sot do të ishim në opozitë, sepse për ne, nuk ka asgjë më të shenjtë sesa kauza që na bashkon. Ajo është vija jonë e kuqe, e padiskutueshme.
Mirëpo, pavarësisht se standardi u ruajt, unë mbetem thellësisht i zhgënjyer me mos avancimin e saj aq sa duhet. Ne nuk mund të kënaqemi me fjalë boshe, pa veprime konkrete.
Më lejoni ta trajtoj këtë çështje gjerësisht:
Fakti që, ministri i Jashtëm përmendi Çështjen Çame, si një çështje rikthimi të drejtash të mohuara dhe jo si një çështje pronësore ishte një hap cilësor përpara. Tregon vendosjen e një standardi të munguar që është hapi i parë që nevojitet për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Prandaj, e inkurajoj ministrin në këtë drejtim, si vazhdimësi e politikës të ndjekur që prej vizitës së zotit Panariti në Athinë, pak vite më parë. Kjo është rrjedhojë e një ndërgjegjësimi të lartë të politikës shqiptare për Çështjen Çame, të cilën e ka çuar përpara trysnia pozitive e këtij komuniteti vital, nëpërmjet Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Shoqatës “Çamëria”.
Mirëpo, ndërkohë që ne nuk hezitojmë të themi “ju lumtë që kryet detyrën”, e vërteta më detyron të jem më i rezervuar dhe të ndaj me ju ato që nuk shkojnë në diplomacinë shqiptare në këtë drejtim. Zhgënjimi im vjen prej moszbatimit të tri parime kyçe të politikës së jashtme: diplomacisë publike, vendosjes së axhendës dhe reciprocitetit. Ministri i Jashtëm duhet ta kishte përmendur Çështjen Çame edhe gjatë deklaratës për shtyp me homologun grek, siç bëri në takimet kokë më kokë dhe në bashkëbisedimin me trupin diplomatik grek. Argumentimi i dy ministrave, se çështjet bisedohen për t’u zgjidhur dhe jo për t’u thënë nuk qëndron. Çështjet e rëndësishme, si çështja çame duhet të përmendet vazhdimisht, për të mos u trajtuar më si tabu në diskursin publik. Nuk mjafton që këto tabu të mos jenë më në takimet tet a tet, ato tabu nuk duhet të ekzistojnë as për publikun e gjerë. Thyerja e këtyre tabuve, nëpërmjet diplomacisë publike është domosdoshmëri për zgjidhjen e gjithëpranuar të çështjeve të mëdha, si çështja çame. Për këtë arsye, zhgënjimi ynë është i thellë. Ruajtja dhe avancimi i standardit nuk mund të bëhet vetëm në takimet me diplomatët, por edhe në opinionin publik të vendit fqinj. Dhe këtu, zoti Bushati nuk u tregua në lartësinë e duhur, aq më shumë që rezoluta e Parlamentit, e datës 8.4.2004, “Për Çështjen Çame” e detyronte që këtë çështje ta trajtonte me forcë dhe hapur.
Së dyti, zhgënjimi ynë vjen prej mungesës së reciprocitetit mes dy vendeve.
Kur dy vende dialogojnë, çështjet e njëjta vendosen përballë njëra-tjetrës, sepse vetëm kështu, vetëm vendosja e një axhende korrekte, mundëson zgjidhje të paanshme dhe pa dy standarde. Fatkeqësisht, këtu çalon diplomacia shqiptare.
Le t’i marrim me radhë:
Nëse pala greke pretendon varreza për ushtarët grekë, që kanë humbur jetën në Shqipëri, qeveria shqiptare nuk vendosi përballë kërkesën për varrezat e partizanëve dhe viktimave çamë të genocidit të vrarë në Greqi. Vendosja përballë e dy kërkesave të ngjashme do të sillte rezultatin e duhur, sepse, nëse sot ka dy varreza të ushtarëve grekë në Bularat dhe Këlcyrë, unë po ju pyes: A ka dy varreza për shqiptarët e Çamerisë në Paramithi dhe Filat?
Ose, jemi dakord për një varrezë për ushtarët grekë në kodrat e liqenit në Tiranë, siç kanë anglezët dhe francezët, nëse ka një varrezë për viktimat shqiptarë të genocidit në Janinë a në Athinë.
Por, që njëra palë të fitojë e tjetra të dalë e poshtëruar, është e papranueshme. Dhe është problemi i diplomacisë shqiptare, që nuk vendos reciprocitetin, por pranon axhendën e palës tjetër. Kjo është arsyeja që unë sot po e rideklaroj atë që thashë në Parlamentin e Shqipërisë:
Për sa kohë që eshtrat e gjyshërve e stërgjyshërve tanë të vrarë e të masakruar, vetëm se ishin shqiptarë, të mos prehen në varreza normale, ne me të gjitha format dhe duke i bërë thirrje çdo shqiptari patriot nuk do të lejojmë të ngrihen varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri.
Nëse pala greke kërkon të drejta të plota për pakicën greke në Shqipëri, ne kërkojmë të drejta të plota për pakicat shqiptare në Greqi.
Pakica greke jeton në fshatrat e veta, prandaj, edhe ne kërkojmë që shqiptarët e Çamërisë të kenë të drejtë të kthehen në trojet e tyre kombëtare.
Pakica greke ka shkollim në gjuhën amtare, prandaj dhe ne kërkojmë, çamët ortodoksë dhe arvanitasit dhe fëmijët e emigrantëve që jetojnë aty, të kenë shkolla, të paguara nga Greqia, ku mësohet shqipja, siç mësohet greqishtja në minoritet këtu.
Pala greke kërkon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Edhe ne duhet të kërkojmë të njëjtën gjë në Greqi.
Thashë se është çështje axhende për një arsye:
Sepse, për 25 vjet kemi dëgjuar palën greke të thotë se pakica greke në Shqipëri dhe emigrantët ekonomikë shqiptarë në Greqi janë dy urat e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kjo është axhenda e tyre. Po e jona? Ne biem pre e axhendës greke edhe këtë herë? Pakica greke dhe pakica shqiptare janë dy anët e së njëjtës medalje, që kërkojnë të njëjtin standard trajtimi. Emigrantët kanë standard tjetër. Ministria e Jashtme, edhe këtë herë, si çdo herë, ndoqi axhendën e Greqisë dhe nuk krijoi axhendë të përbashkët.
Meqë flasim për emigrantët, po shohim që qeveria është nën presion. I kanë thënë të hapë kufijtë për refugjatët sirianë, ashtu si Greqia e hapi për emigrantët shqiptarë vite më parë.
Përgjigja shqiptare është dinjitoze dhe korrekte, pra se ne do të ndjekim vendimet e BE-së. Mirëpo, ajo mbetet sërish gjysmake, sepse ka rënë pre e mungesës së reciprocitetit.
Kjo sallë e nderuar e mban mend vitin 1999, atëherë, kur Shqipëria priti qindra mijëra refugjatë, bashkëkombasit tanë nga Kosova.
A e mbani mend reagimin grek? Greqia mbylli kufijtë dhe deklaroi se nuk do të pranonte asnjë refugjat shqiptar të Kosovës, pa një zgjidhje të rakorduar me BE-në.
Ne na dhemb çdo histori refugjati, por dyfish na ka dhembur historia e shqiptarëve të Kosovës, sepse janë edhe bashkëkombasit tanë. E megjithatë, nuk iu bë ndonjë presion Greqisë të hapte kufijtë.
Nuk mund të ngatërrojmë çështje të komplikuara politike mbi refugjatët, nga një zonë konflikti, me emigrantët ekonomikë që Greqia ka pranuar, e të cilët i kanë dhënë frymë ekonomike.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar,
Këto kërkesa, që përmenda deri më tani, nuk janë kërkesa maksimaliste. Janë kërkesa minimaliste: kërkojmë vetëm vendosjen e dinjitetit dhe të reciprocitetit. Kërkesat maksimaliste ne i kemi dhe i themi pa drojë: bashkimi kombëtar është ylli ynë polar. Është detyrim kushtetues dhe askush nuk na i mohon dot. Por, për këtë duhet të punojmë përditë, çdo shqiptar, çdo qeveri shqiptare. Duke filluar nga bashkimi ekonomik për një hapësirë e treg të përbashkët për miliona Shqiptarëve, që do të thotë mundësi e hapësirë më e madhe ekonomike, tregje më të mëdha për sipërmarjen shqiptare.
Do të thotë që ne jemi serioz dhe punojmë për atë ditë, kur kushtet të piqen. Ajo ditë do të vijë, e është aq afër sa në e bëjmë të mundur çdo ditë, duke filluar edhe nga zgjidhja e krizës së patateve dhe qumështit.
Po punojmë për një reformë në drejtësi, që rregullon atdheun tonë, si parakusht për aspiratat tona kombëtare. Nëse dy partitë e mëdha po luajnë kukafshehti me reformën në drejtësi, Ne jemi të drejtpërdrejtë:
Ne bëjmë thirrje qe reforma në drejtësi të votohet sa më parë, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, dhe partitë e mëdha ta zhbllokojnë menjëherë, e jo në interes të kujt do të kontrollojë procesin apo emërimet.
Po punojmë për një reformë zgjedhore të plotë, që do të krijojë zona të posaçme zgjedhore për diasporën dhe nga ana tjetër që do të lejojë votimin për zgjedhjet vendore të çdo bashkëkombasi tonë, e ka apo nuk e ka shtetësinë shqiptare. Të tjerët fshihen pas këtij detyrimi, ne e themi dhe e mbrojmë pa mëdyshje. Po punojmë për dinjitet dhe reciprocitet si hapi i parë i domosdoshëm në realizimin e qëllimeve tona.
Ju thashë dhe po e rithem, nëse do të kishte një hap pas nga standardet e vendosura deri më tani, ne nuk do të qëndronim as një orë të vetme duke bashkëbiseduar me qeverinë, mirëpo avancimi i çalë, është po ashtu i papranueshëm.
Ne nuk jemi në politikë, për të parë lëvizje të vogla përpara, edhe pse i përshëndesim ato, pa asnjë hezitim.
Ne jemi në politikë, për të pasur lëvizje të matura dhe konkrete, me parakusht reciprocitetin.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është provuar në tre palë zgjedhje dhe ka treguar peshën e saj specifike. Ne jemi mandatuar nga më shumë se 65 mijë votues shqiptarë për të qenë parimor dhe të përfaqësuar. E kemi treguar në tre palë zgjedhje që jemi parti sovrane dhe jo Parti Dushku.
Kemi hyrë në këtë koalicion duke dhënë kontributin tonë që nga reforma administrative, në zgjedhjet vendore, apo për votimet në Kuvend.
Por është e papranueshme dhe jo korrekte qe kjo shumicë do votat tona në Parlament dhe në zgjedhje, por e ka shumë të vështirë të zbatojë marrëveshjen me PDIU-në, për pushtet qendror dhe vendor.
Dhe mbi të gjitha, pas mos-artikulimit qartë dhe fort të Çështjes Çame, Çështjes së Diasporës.
PDIU ka mundësitë dhe kapacitetet që t’i japi qeverisjes shqiptare qëndrime koherente dhe konkrete, vizion dhe strategji, qëndrime parimore të qarta, siç ishin ato që përmenda pak më parë.
Mirëpo, me sa duket këto parime e qëndrime nuk vlerësohen në një skenë politike të mësuar me pirueta programore, ku çfarë thuhet sot nuk thuhet nesër.
Ne nuk ngatërrohemi me këto lëvizje të ç’organizuara.
Ne kemi të njëjtat qëndrime prej themelimit dhe do t’i kemi ato deri në fund, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame dhe të të gjitha çështjeve të tjera kombëtare që përfaqësojmë.
Qëllimi ynë është të qëndrojmë në bashkëqeverisje, për të përçuar kauzat dhe interesat tona, mirëpo, nëse nuk na duan, atëherë ne nuk kemi dilema.
Përpara kauzave nuk vendosim asgjë.
Përpara Shqipërisë nuk na përkul asgjë.
Prandaj sot kërkoj rimandatimin tuaj, që së bashku me grupin parlamentar të vlerësojmë ecurinë e marrëveshjes dhe të dialogojmë me mazhorancën.
Në të kundërt, alternativat janë të hapura, sepse, prania jonë është e fortë dhe solide. Qytetarët na kanë besuar pesë mandate në Kuvendin e Shqipërisë, pesha jonë zgjedhore është e konfirmuar dhe çdo ditë na bashkohen zemra, që rrahin fort për këtë vend dhe për këto kauza.
Bashkë me ne sot është edhe një kolege, që do t’i bashkohet zërit tonë. Mesila Doda do të jetë, prej ditës së sotme, pjesë e grupit parlamentar të PDIU-së. Me zonjën Doda kemi mbajtur lart të njëjtat kauza, pavarësisht pozicioneve të ndryshme politike. Ajo ka qenë një zë i fuqishëm i kauzave tona edhe pa qenë ndër nesh.
Mesila të uroj mirëseardhjen në familjen tonë dhe jam i sigurtë se së bashku me Aqif Rakipin, Omer Mamon dhe Tahir Muhedinin do të mund të avancojmë më tej amanetin tonë.
Ne sot nisim një proces tre mujor të hapur dhe demokratik, ku anëtarësia e PDIU-së do të zgjedhë, sipas parimit një anëtar-një votë, të gjitha strukturat drejtuese, nga kryetarët e degëve deri te kryetari i Partisë. Zgjedhjet në të gjitha nivelet dhe strukturimi i qartë i partisë do të na shërbejë për të përçuar qëndrimet tona. Ne sot kemi asetet njerëzore të mjaftueshme për të ngritur seksione funksionale në bazë të qendrave të votimit dhe të strukturohemi për të funksionuar si një organizëm i shëndetshëm politik, për të përçuar objektivat dhe kauzat tona. Në këtë kuptim, nuk është as herët, as vonë. Është në kohë. Nuk është herët, sepse zgjedhjet e ardhshme po vijnë dhe pritshmëria jonë tashmë e rritur, mund të realizohet vetëm me një parti të mirëstrukturuar. Nuk është vonë, sepse vetëm tani, pas analizës së zgjedhjeve të fundit vendore, kemi mundësinë të mos çalojmë në ngritjen e këtyre strukturave. Organizimi i partisë sot është i domosdoshëm për të rrëfyer se jemi familje politike e vërtetë. Për të mos humbur kontaktin me elektoratin dhe për të qëndruar pranë tyre në mënyrë institucionale. Për të arritur që në zgjedhjet e ardhshme të kemi një përfaqësim më të shumtë në Kuvend. Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një rezultat edhe më të mirë; qofshim nesër në pushtet apo në opozitë, sepse ne jemi të pastër, nuk kemi lënë në baltë idealet, por i kemi çuar përpara, kemi përfaqësim të papërlyer dhe kemi mundësi, që me anë të këtij organizimi të adresojmë problemet që çdo familje ka.