Shqipëria mund të jetë një nga vendet me të ardhura më të ulëta për frymë e pagat më të vogla në Europë, por kjo nuk e pengon atë të jetë shteti i dytë në botë pas Spanjës për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë. Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante…
Një të huaji, që vjen për herë të parë në Shqipëri, një nga gjërat që i bën më shumë përshtypje është numri i lartë i kafeneve, që gjenden në çdo cep, si dhe oraret e zgjatura, që rrinë klientët ulur në një bar. “Kur erdha për herë të parë këtu, habitesha se si njerëzit mund të rrinin më shumë se një orë në tavolinë vetëm me një kafe përpara, gjatë paradites. Në Itali nuk rrinë më shumë se 10 minuta, madje edhe për të ngrënë drekë nuk vonohen më shumë se 20 minuta ose gjysmë ore”, thotë Valeria, punonjëse në ambasadë.
Shifrat krahasuese duket se e përligjin këtë habi. Shqipëria mund të jetë një nga vendet me të ardhura më të ulëta për frymë e paga më të ulëta në Europë, por kjo nuk e pengon atë të jetë shteti i dytë në botë, pas Spanjës, për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT , numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar- kafe për 100 mijë banorë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga ‘Monitor’, shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë. Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë, apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale. Dy produktet klasike të Spanjës, shkruan ‘El Mundo’, që luajnë rolin kryesor janë: birra dhe kafeja dhe duket se kjo nuk do të ndryshojë për njëfarë kohe.
Spanjës i afrohet vetëm Shqipëria, me 473 bar-kafe dhe Qipro. Kjo e fundit dikur mbante rekord, por për shkak të krizës së viteve të fundit, shumë bare janë mbyllur. Në Qipro, numri i bar-kafeve ka rënë vitet e fundit nga 7,500 në pak mbi 5,600, sipas një raporti për mikpritjen në Europë nga HOTREC. Me një popullsi prej 1.19 milionë banorësh, Qipro ka 470 bare për 100 mijë banorë, një shifër e përafërt me Shqipërinë.
Ndërsa në Spanjë dhe Qipro ka një nivel shumë të lartë turizmi, të shtrirë gjatë gjithë vitit, që janë ndër konsumatorët kryesorë të bareve, në Shqipëri, në pjesën dërrmuese, klientët janë vendas. Të hapje një bar-kafe, edhe poshtë pallatit, ka qenë forma më e thjeshtë që shumë shqiptarë menduan të bënin para, apo thjesht edhe të mbijetonin. Ndonëse shumë falimentojë, edhe më shumë hapen të reja. Sipas INSTAT, në 2015-n, numri i bar-kafeve u rrit me 31%, nga rreth 10.4 mijë në 13.6 mijë, pra shtesa neto ishte rreth 3200 bar-kafe të reja (në këtë shifër ka dhe lokale të vogla që mund të jenë formalizuar, pas aksionit të tatimeve në tremujorin e fundit 2015). Po, sipas INSTAT, numri i restoranteve në fund të 2015-s ishte 4,061 edhe ai i rritur me 22%.
Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante.
Konstatimi i Valerias është më se i drejtë. Në Itali, sipas të dhënave të FIPE (Federazione Italiana Pubblici Esercizi) ka 149,885 bare që janë aktive. Me një popullsi prej rreth 60 milionë banorësh, Italia ka rreth 250 bar-kafe për 100 mijë banorë, apo gati sa gjysma e Shqipërisë.
Edhe në shtetet apo qytetet kryesore, numri i bareve në raport me popullsinë është shumë më i ulët se rekordmenët e Spanjës, Shqipërisë e Qipros.
Në Amsterdam ka 63.5 bare për 100 mijë banorë, sipas Trade Association for Horeca and Catering, në Berlin 36, në Bruksel 148.3, në Londër 32, në Stamboll vetën 2.1, në Nju Jork 32.5, në Paris 27.2, Stokholm 19.1, në San Paolo 133.3. Më i lartë është në Seul me 186.4, Tokio 216.5, Rio De Janerio 191 etj. http://www.worldcitiescultureforum.com/data/number-of-bars-per-100000-population
Në botë, bar-kafetë po ndryshojnë përtej tradicionales, për t’iu përshtatur shijeve të reja të konsumatorëve. Shumë po ofrojnë mëngjes, lëngje frutash e perimesh dhe të kombinuara, produkte pa gluten, ushqim vegjetarian dhe vegan, xhin të specializuar, kokteje, birrë artizanale, etj.
Edhe në Shqipëri ka disa tendenca për të futur risi, si lëngjet e koktejet, apo briosh për mëngjes, por në pjesën më të madhe ato mbeten tradicionale, ku produkti më i konsumuar është kafeja, që kushton mesatarisht 60 cent të euros, ndër më të lirat në Europë.
Sipas INSTAT, në total numri i vendeve në baret e restorantet shqiptare është rreth 599 mijë (598,872) , çka do të thotë që në to mund të ulet njëkohësisht mbi 20% e popullsisë.
/monitor/