Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Racizmi ndaj minoriteteve në Greqi, në veçanti ndaj atij shqiptar

Nga 27.al 0

Nga Arben Llalla

Tema, të cilës po i referohem ka të bëjë me marrëdhëniet e Greqisë me minoritetet, në veçanti me minoritetin shqiptar nga Çamëria me rastin e 10 dhjetorit, Ditës të të Drejtave të Njeriut. Pra, çështja që do të parashtroj ka të bëjë me dëbimet e shqiptarëve që nga viti 1913-1945.

  1. Racizmi ndaj minoriteteve në Greqi

Greqia nuk ka patur mesjetë, Rilindje, luftë për rezistencë ndaj pushtuesve osmanë. Ajo përherë është banuar pas rënies së Bizantit nga shqiptarët, hebrenjtë, turqit, romeit (grekët shekujt më parë parapëlqenin të quheshin romei sesa helenas apo grek), maqedonasit, bullgarët. Këta që përmenda pasi u përzgjodhën formuan shtetin modern grek me një histori mashtruese mitologjike. Fakti që në Greqi flitet nëpër rrethet familjare shqipja, turqishtja, hebraishtja, maqedonishtja, bullgarishtja tregon se ende ka popullsi të pa asimiluar, edhe pse shtypja shtetërore ka qenë dhe është e egër.

Hebrenjtë më së shumti kanë jetuar në qytetin e Selanikut, ku dikur ndodhej edhe varreza më e madhe e tyre në Evropë me mbi 500 mijë varre2, por këtë varrezë grekët e prishën dhe me pllakat e mermerta ndërtuar Universitetin Aristoteli. Pra, atje ku sot mësojnë mijëra të rinj në Selanik kanë qenë varrezat e hebrenjve. Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore shumicën e hebrenjve grekët ua dorëzuan gjermanëve për t’u dërguar nëpër kampet e përqendrimit. Nga rreth 56 mijë hebrenj që kishte Selaniku në vitin 1941, kur gjermanët e pushtuan atë, brenda pak muajsh u dërguan për në kampet e përqendrimit 54. 0503 mijë, pra mbi 96% të popullsisë të këtij minoriteti. Sot komuniteti hebre në Greqi nuk njihet zyrtarisht dhe ka vetëm një varrezë e vogël në Selanik që mirëmbahet nga shteti Izraelit.

Në fillim të viteve 1970 kanë prishur në Selanik varrezat e shqiptarëve, të bullgarëve dhe rumunëve. Këto varrezat kanë qenë pronë e këtyre komuniteteve.

Minoriteti bullgar është asimiluar, vetëm diku nga zona e Seres jetojnë ende disa qindra pleq që e flasin gjuhën bullgare.

Greqia minoritetin turk e ka zvogëluar pak nga pak. Turqit që dikur jetonin në Selanik pothuajse janë asimiluar. Ata më shumë bëjnë punë të rëndomta duke shitur me karroca dore çaj, salep dhe gjevrek. Këta qytetarë grek me origjinë turke të cilët ruajnë gjuhën e tyre amtare jetojnë në disa kasolle nëpër cepat e rrugëve të lagjeve të vjetra të qyteti. Turqit që jetojnë në Evro-Thraqi njihen si grek të fesë islame dhe jo minoritet turk. Kjo popullsi e fesë islame që janë turq kanë arritur të përfaqësohet në fillim të viteve 1990 me tre deputet në Kuvendin e Republikës greke, por këta deputet gjithnjë janë njohur si mysliman që përfaqësojnë partitë politike greke.

Vllehët në Greqi janë minoriteti më i përkëdhelur në aspektin e pushtetit, por që nuk u njihen të drejtat gjuhësore dhe kulturore. Ata njihen si vllehët grekë (ellinovllahon). Popullsia vllehe në shumë raste kanë zënë pasuritë e shqiptarëve dhe të maqedonasve pasi këta u përzunë me dhunë nga trojet e tyre.

Pasi Greqia përzuri mijëra shqiptarë nga tokat e tyre, grekët filluan përzënien e maqedonasve që banonin në brezin kufitar nga Follorina, Edesa, Selanik dhe Kilkiz. Në emër të luftës qytetare (1946-1949) për pushtet midis forcave të djathta (IDEA) që ndihmoheshin pa rezerva nga Britania e Madhe dhe Sh.B.A dhe forcave të majtat të njohura Filluan masakrat në fshatrat ku jetonte minoriteti maqedonas. Si pasojë mijëra maqedonas u shpërngulën nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në fillim në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi.

Lufta qytetare greke 1946-1949, ishte me pasoja tragjike në veçanti për minoritetin maqedonas të cilët pësuan fatin e minoritetit shqiptar në Çamëri, atë të mohimit të rikthimit të trojet e tyre, përfitimin e pasurisë së patundshme. Ironike është se minoriteti shqiptar u masakrua dhe u përzu në akuzën si bashkëpunëtorë me pushtuesit gjerman. Kurse minoriteti maqedonas u masakrua dhe u përzu me akuzën si bashkëpunëtorë të Ushtrisë Demokratike Greke që udhëhiqej nga komunistët grekë.

  1. Dhuna ndaj minoritetit shqiptar 1913-1945

Me një mjeshtëri raciste shteti grek që nga fundi i vitit 1912 dhe fillimi i vitit 19913 kanë përzërë sistematikisht shqiptarët e Greqisë. Bëhet fjalë në përgjithësi për shqiptarët e fesë islame. Por edhe ata shqiptar ortodoks që nuk pranuan të deklaroheshin me kombësi greke u masakruan ose u përzunë nga shtëpitë e tyre për të jetuar në qytetet në thellësi të Greqisë për tu asimiluar më shpejtë. Shqiptarët që u përzunë dhe ishin shtetas grek në fillim ju hoq shtetësia greke dhe i deklaruan të humbur, njerëz pa adresë. Më tej, ju përvetësuan pasuritë duke ua dhënë të tjerëve. Në tokat e sekuestruara u vendosën emigrantët ortodoksë të ardhur nga Azia e vogël. Shqiptarëve që ju janë përvetësuar pasuritë nga shteti grek ndahen në dy kategori:

  1. a) Shqiptarëve që ju përvetësua pasuria pa të drejtë me Marrëveshjen e Lozanës si popullsi e shkëmbyeshme islame me ortodoksit.
  2. b) Popullsia shqiptare çame që u quajt nga grekët bashkëpunëtore me pushtuesit gjermanë.

Me dekret ligji të viteve 1923-1932, Greqia përvetësoi të tërë pasuritë e shqiptarëve islamik me pretekstin e marrëveshjes së Lozanës si popullsi shkëmbyese midis turqve islamik dhe ortodoksëve grekë. Kjo ide gjente mbështetje në qarkoren e Ministrisë së Bujqësisë Greke, të 1 tetor 1922, e cila urdhëronte administratën e përgjithshme të Epirit, që”… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e myslimanëve shqiptarë”, (AYE/A/5 (9). (Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit, MPJ Greke, Janinë 2 mars 1923). Në qendrat kryesore të Çamërisë, si në Filat, Paramithi e Margelliç u krijuan enkas zyra për të shtetëzuar pronat e myslimanëve shqiptarë, (Conference de Lausanne sur les Affaires du Prache Orient, 1922-1923).4

Në fillim të vitit 1926 në Gjenevë Kryetari i Greqisë Teodoros Pangallos bëri një deklaratë zyrtare para Lidhjes së Kombeve me të cilën Greqia njihte minoritetin shqiptar dhe nuk i quante më shqiptarët muhamedanë që jetonin në territorin e saj si popullsi turke. Ai ndër të tjera deklaroi: “Pavarësia dhe statuskuoja e Shqipërisë përbëjnë interes të madh për Greqinë, sepse politika e saj është bazë për ruajtjen e paqes në Ballkan…

Teza që është mbajtur nga ne deri sot se ortodoksit shqiptar janë grekë është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë. Me që ajo ka marrë të tatëpjetën dhe arriti pikën e rraskapitjes, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorioepiriote që mëshironin skaje më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë”.5

Më 18 janar, ambasadori shqiptar në Athinë, Mit’hat Frashëri mori premtimin nga ministri grek i Jashtëm se do të merrej ai personalisht me çështjen e shkëmbimit të çamëve, ndërkohe që vetë z.Pangallos i deklaroi se çamët myslimanë do të përjashtoheshin nga procesi i shkëmbimit. Një muaj më vonë, në shkurt të të njëjtit vit, u shpall dhe zyrtarisht vendimi për përjashtimin e të gjithë shqiptarëve të Epirit nga masa e shkëmbimit të detyruar dhe amnistinë e çamëve që akuzoheshin për kryerjen e propagandës politike, duke i dhënë në këtë mënyrë një zgjidhje përfundimtare çështjes, zgjidhje e cila sigurisht kënaqte në mënyrë absolute palën shqiptare.

Deklarimi i Kryetarit të Republikës Greke gjenerali Teodor Pangallos për të përjashtuar shqiptarët çamë të Epirit nga masa e shkëmbimit midis popullsisë turke myslimane me popullsinë kristiane greke ishte vendimtar për ecurinë e të gjithë çështjeve. Përmbajtja e çështjes u zhvendos nga përcaktimi i prejardhjes dhe identiteti kombëtar të popullsisë myslimane të Epirit dhe nga përfshirja ose jo në masën e shkëmbimit të detyruar, në procesin e përfshirjes së saj në shtetin grek dhe respektin ose jo të të drejtave të saj nga autoritetet greke.

Kështu, nga çështja “greko-turke”, tashmë zhvillohet tema që ka të bëjnë me marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat do të ndikojnë dhe në periudhën e ardhshme në një shkalle shumë të lartë. Prezenca e myslimanëve çamë në Epir përbënte një rast të veçantë dhe një dokument të fortë bisedimesh që synonte të përdorte qeveria shqiptare me qëllim arritjen e një normalizimi të kënaqshëm të synimeve të saj ekonomike për sa i përkiste çështjes së pronave.6

Por çështja e shqiptarëve në Çamëri nuk do të zgjidhej edhe pse diplomatët dhe politikanët grek premtonin. Vitet në vazhdim shteti grek në emër të reformës agrare 1925-19277 u ndaloji të gjithë atyre njerëzve që nuk kishin kombësi greke të drejtën e tokës bujqësore. Italianët, francezët, gjermanët, turqit që kishin prona në Greqi u dëmshpërblyen, vetëm shqiptarët nuk u dëmshpërblyen. Pas pak vitesh do të fillonte lufta e dytë botërore. Me kapitullimin e Gjermanisë grekët rinisën masakrat mbi popullsinë shqiptare në Çamëri.

Shqiptarët çam që u përzunë në vitet 1944-1945 shteti grek i quajti bashkëpunëtor të gjermanëve dhe në mënyrë kolektive u hoqi shtetësinë greke, u përvetësojë dhe pasuritë. Me disa ligje primitive Greqia u mohoji çdo të drejtë njerëzore të gjithë atyre shtetasve grekë që nuk kishin pranuar kombësinë greke të rikthehen ndonjëherë edhe si vizitor në Greqi.

Në vitet 1972 – 1982 qeveritë greke nxorën ligje që u lejohej çdo shtetasi grek i përzënë të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose kompensim. Nga këto ligje për tu rikthyer u përjashtuan shqiptarët çam edhe maqedonasit e Egjeut pasi ligji përcaktonte se i faluri duhej të kishte kombësinë greke dhe në mërgim të kishte mbajtur qëndrim kombëtar grek.

a.-A ka ende në Çamëri shqiptar, shtetas të Greqisë?

Mendoj që nuk duhet të lind pyetja a ka çamë në Çamëri sepse pas masakrave të vitit 1945 shumë familje shqiptare nga Çamëria depërtuan thellë në Greqi për ti shpëtuat njëherë e përgjithmonë persekutimit shtetëror. Shqiptar autokton që kanë shtetësi greke jo vetëm ka në Çamëri por edhe në të tërë Greqinë.

Gjatë kërkimeve të mia kam takuar disa shtetas grekë që ishin me origjinë shqiptare në Epir. Në qytezën e Konicës të cilën e kam vizituar disa herë kam takuar grekë me origjinë shqiptare. Mbaj mend se kishte edhe të fesë islame dhe quhej Ibrahim. Ai kishte një kafene në qendër të qytezës dhe gruan e kishte nga Leskoviku i Shqipërisë. Këta grek me origjinë shqiptare nuk shiheshin mirë me sy nga pushteti vendor. Në vitin 1991 takova në afërsi të Gumenicës një grek dhe më foli në gjuhën shqipe. Gjatë bisedës më deklaroji se prindërit e tij ishin me origjinë shqiptare nga Çamëria. Në krahinën e Çamërisë ka shumë grekë që kanë krijuar familje me vajza nga Shqipëria. Shumë prej këtyre grekëve me origjinë shqiptare për ta ruajtur origjinën janë martuar me shqiptare të cilat emigruan në fillim të viteve 1990. Fshati Aidonta dikur quhej Ftini dhe ndodhet në Prefekturën e Prevezës së Çamërisë. Nga ky fshat është studiuesi i njohur Nikos Stylos i cili jeton prej shumë vitesh në Gjermani. Ai e pohon origjinën e tij shqiptare dhe e flet shumë mirë gjuhën e mëmës, shqipen. Niko Stylos ka shkruar për racizmin grek ndaj fëmijëve që vinin nga familjet shqiptare në vitet 1950-1960 dhe ndiqnin shkollën greke. Ai është shprehur për një gazetë shqiptare: “Mësuesi na godiste me shkop, sa herë që flisnim arvanitisht (shqip, shën.A.Llalla), një shkop për një fjalë”.10

Gjithnjë prindërit e fëmijëve që vinin nga familjet shqiptare thirreshin në shkollë nga mësuesit për ecurinë e fëmijëve të tyre. Ata këshilloheshin që mos të flisnin përpara fëmijëve në gjuhën shqipe, por të bisedonin vetëm greqisht. Edhe pse nën një presion të tillë çamët që u shpëtuan masakrave të ushtrisë së Zervës e ruajtën gjuhën shqipe. Shumica e shqiptarëve nga Çamëria që i përkisnin besimit fetar ortodoks pas përzënies në çamëve të fesë islame u larguan për në qytetet larg krahinës së Çamërisë. Në vitet 1995 në qytetin e Selanikut kam takuar një çam ortodoks që kishte ardhur në Selanik pas viteve 1950 dhe në Shqipëri kishte xhaxhanë në qytetin e Elbasanit që i përkiste fesë islame, ndërsa ai vetë ishte konvertuar në ortodoks.

Këto janë vetëm disa dëshmi që tregojnë se ende në Çamëri ka shqiptar që u kanë mbijetuar rrebeshëve të kohës me sakrifica të mëdha duke frymuar shqip.

Në përfundim, Greqia duke mohuar ekzistencën e minoriteteve turke, shqiptare, maqedonase, bullgare, hebreje kërkon nga vendet fqinje të plotësojnë kushtet për mbrojtjen e të drejtat e njeriut. Në veçanti të minoritetit grek që jeton në disa fshatra të humbura rrëzë një mali të thatë në Jugun e Shqipërisë. Ndërsa vetë shteti që pretendon se ka demokraci, disa herë ka qenë në qendër të kritikave nga organizatat e ndryshme Ndërkombëtare për shkeljet e të drejtave të njeriut deri në diskriminim racor e fetar. Çështja e mbrojtjes të të drejtave të njeriut në Greqi është në shkallë të ulët për tu zbatuar nga shteti grek. Edhe pak ato organizata joqeveritare greke që thirren në emër të mbrojtjeve të të drejtave të njeriut nuk janë shumë aktive kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Greqi që zyrtarisht nuk pranohen nga shteti. Greqia nuk u shtron racizëm shtetëror vetëm ndaj minoriteteve por edhe kundër qytetarëve të saj që i përkasin etnisë greke, por janë të besimeve fetare jo ortodoksëve si p.sh të besimit fetar katolik, jakuva, ateist, protestant, hebre. Të cilët janë të pakët në numër dhe shtypen brutalisht nga shumica e besimit fetar ortodoks.

2 Robert D. Kaplan, “GREQIA: Dashnorja e Perëndimit, Gruaja e Lindjes“, Tiranë, 2002, fq. 25.

3 Po aty, fq. 26.

4 Gazeta, “SHEKULLI”, Tiranë, 9 janar 2008.

5 Ilir Ushtelenca, “DIPLOMACIA E MBRETIT ZOGU I-rë”, Tiranë, 1997, fq. 118.

6 Revista, “ALBANICA”, Prishtinë, maj 2007. fq. 37.

7 Mentor Nazarko, “LUFTA E FUNDIT, Pronat e shqiptarëve në Greqi”,Tiranë, 2007, fq. 50

10 Gazeta, “KOHA Ditore”, Prishtinë, 10 shtator 2004.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej