A e përdori Ilir Meta vizitën në Athinë për një aleancë që synon të dobësojë rolin e PDIU në politikën shqiptare? Çfarë implikimesh ka në politikën e jashtme vizita, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë të ftohta, ndërsa Shqipëria kërkon të hapë diskutimin mbi shqiptarët e Çamërisë.
Nga Vladimir Karaj
Ilir Meta nuk mendon se vizita e tij në Greqi dhe Çështja Çame ka të bëjë më koalicionin qeverisës dhe as që e prek atë. I pyetur nga gazetarët një ditë pas debatit në Parlament, ku u lexua qartë përplasja mes tij dhe nënkryetarit të Kuvendit Shpëtim Idrizit, mbi vizitën e fundit në Athinë, Meta theksoi: “Jam shumë i bindur se kjo çështje, jo vetëm që nuk ka të bëjë me raporte koalicioni, partish apo individësh”. E thënë kjo burime, me gjasë pranë Metës, pretendojnë se ai ka dalë prej vizitës me një fitore diplomatike dhe i është premtuar heqja e Ligjit të Luftës që Greqia mban ende formalisht me Shqipërinë, edhe pse dy vendet janë pjesë e NATO-s. Top Channel publikoi këtë informacion që i referohej takimit kokë më kokë mes Metës dhe kryeministrit grek Aleksis Tsipras, megjithëse nuk bëhej me dije se çfarë ishte dhënë në shkëmbim të këtij premtimi, përtej ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore. Në teori heqja e “ligjit të luftës” do të ishte jo vetëm një fitore diplomatike, por njëkohësisht do u jepte mundësinë shqiptarëve të Çamërisë të kërkonin pronat e tyre. Ligji është pengesa pasi i konsideron këto prona si të konfiskuara nga armiku. Nëse kjo qëndron, ajo do t’i jepte Metës pikë jo të vogla politike në vend.
Por, Ministria e Jashtme, ajo që praktikisht do të negociojë për diçka të kësaj natyre, rezultoi të ishte e painformuar. Ditmir Bushati i tha Top Channel se nuk kishte informacion për këtë premtim nga asnjë prej kanaleve zyrtare diplomatike. “Nuk më ka njoftuar njeri për këtë çështje. Nuk kam asnjë informacion dhe asnjë konfirmim, as nga ambasada që të vërtetojë këtë tezë. Megjithatë, zoti Meta e tha edhe sot në Kuvend që ishte në Greqi si kryetar i Kuvendit dhe jo për të negociuar”, deklaroi Bushati.
Jo zyrtarisht qeveria thotë se ishte e pakënaqur me vizitën e Metës në Athinë dhe atë që ajo prodhoi. Qeveria beson se kishte nën kontroll situatën, madje për herë të parë Çështja Çame që për Greqinë nuk ekziston u përmend në Bruksel dhe kjo u pa si një avancim i diplomacisë shqiptare. Athina zyrtare e bëri të qartë pakënaqësinë e saj me reagimet nervoze kundër Johannes Hahn dhe Brukselit. Në të njëjtën kohë Meta u prit me buzëqeshje në Athinë, krejt ndryshe nga ç’mund të mendohej një takim në këto rrethana, ndërsa edhe qëndrimet e tij publike janë larg “vijës së ashpër” që qeveria pati aplikuar në marrëdhëniet me fqinjët.
Publikisht Meta duket se e kundërshtoi këtë linjë. “Kjo çështje kërkon një dialog dhe një mirëkuptim dhe një mirëbesim, i cili duhet të ndërtohet çdo ditë dhe jo të vritet, qoftë edhe pa dashje, qoftë edhe për shkak të padurimit me të drejtë të shumë prej përfaqësuesve të këtij komunitetit të jashtëzakonshëm dhe me shumë vlera. Nuk mjafton të kesh një të drejtë, por ka shumë rëndësi si e parashtron këtë të drejtë”, tha Meta. Por duke iu referuar deklaratave në media se kreu i Kuvendit kishte folur për “mos ngacmim plagësh” e për të parë “nga e ardhmja”, kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi ishte i qartë: “Thënia që këto plagë nuk do t’i ngacmojmë hap një plagë të re”, tha ai në Kuvend dhe më pas duke replikuar me Metën: “Nuk është hall elektoral, jo vetëm se jemi 9 muaj para fushatës, është dhe ka qenë çështja jonë kryesore”, theksoi Idrizi.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati duket se mbajti këtë anë, duke theksuar një nevojë për reciprocitet në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa theksoi se Çështja Çame nuk ishte thjesht një çështje pronash, por një çështje e të drejtave të njeriut dhe se ajo ishte pjesë e dosjes së negocimit mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Duhet të mbarojë lufta…”, tha Bushati në fjalën e tij në Kuvend, kur tha se i kishte thënë kryeministrit grek dhe ministrit të Jashtëm se çfarë duhej të shkruhej në librat shkollorë që po rishikoheshin për të mos qenë nxitës të urrejtjes “A jemi apo jo në luftë?”. Bushati po ashtu përmendi ndërkombëtarizimin e çështjes dhe theksoi se procesi do të ishte shumë i gjatë, por kërkoi bashkim në këtë pikë. Ndërkohë, përpos sa u tha publikisht është e paqartë se çfarë është arritur në takimet e kreut të Kuvendit në Greqi dhe nëse këto ishin diçka që ka të bëjë me marrëdhëniet mes dy vendeve, apo nevojën e Athinës për të “heshtur” PDIU ( e cila i jep zë çështjes dhe e ka faktorizuar atë duke pajtuar edhe një firmë ligjore të famshme) dhe dobësuar këtë të fundit.
Kjo mund të jetë një pikë ku Meta dhe Athina mund të kenë një interes të përbashkët, por kjo nuk ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve, por dobësimin e aleatit në qeveri, i cili qartazi është kërcënimi më serioz për rolin e Metës si kingmaker. Roli që LSI dhe Ilir Meta kanë marrë prej 2009.
Shancet që PS të mund të krijojë një koalicion fitues pa LSI janë të mundshme vetëm nëse në llogaritje të paktën matematikore përfshihet PDIU. Kjo e fundit përdor gati të njëjtat strategji të mbledhjes së votës, ndërsa ka si plus mbështetjen e një komuniteti jo të vogël që e sheh si përfaqësuese të kauzës. PDIU ishte baza, mbi të cilën mendohet se Rama ngriti presionin për të shtyrë LSI drejt kompromisit mbi Reformën në Drejtësi. Përplasjet politike mes dy forcave janë zhvilluar në sfond prej kohësh dhe u bënë gati të qarta në Dibër, ku PDIU la të kuptohej se ishte e mjaftueshme për të fituar zgjedhjet.
Në këtë rast Meta mund të jetë duke luajtur me dy karta. Nëse ai merr prej Greqisë heqjen e Ligjit të Luftës ai mund të çarmatosë PDIU prej elementit patriotik dhe dobësojë rolin e saj, nga ana tjetër, ai po ashtu mund të shohë pikët e tij politike të rriten.
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë janë komplikuar së fundmi, edhe pse biznesi duket se është në kulmin e tij. Një raport i fundit i vendos bizneset greke si investitorët e parë të huaj në Shqipëri. Nga ana tjetër, Tirana zyrtare duket se është duke provuar një politikë të shkompleksuar me fqinjët, duke mbrojtur fort pozicionet e saj dhe bllokuar negocimin e kërkesave të fqinjëve në këmbim të diskutimit të këtyre çështjeve. Qëndrimi i Brukselit dhe zemërimi i Athinës ishin shenja të kësaj politike. Shqipëria, ndërsa ka bërë të qartë se nuk mendon për ndryshim kufijsh, është po ashtu e qartë në kërkesat e saj ndaj fqinjëve.
Nga ana tjetër Athina, edhe pse ka avancuar sidomos sa i përket të drejtave të emigrantëve në Greqi, nuk duket fort e kënaqur me këmbënguljen shqiptare për të pasur në tryezë edhe Çështjen Çame. Ministrat grekë më shumë se njëherë i kanë bërë bisht pyetjes, ndërsa së fundmi po përpiqen ta heshtin atë, duke provuar edhe sulmin për “njëanshmëri” ndaj Johannes Hahn.
/mapo.al/