Nga Ylli Polovina
Shkrimi i dhjetë i ciklit për 550 vjetorin e pritshëm të vdekjes së Skënderbeut
Siç e dimë, Ismail Qemali dhe kolona e nismëtarëve të deleguar për shpalljen e pavarësisë kombëtare do të mbërrinte në Vlorë në natën e thellë të 26 nëntorit, siç lexuesi njëkohësisht e di që ai zbriti në portin e Durrësit në mëngjesin e 21 nëntorit (“Ismail Qemali”, Koli Xoxi, Tiranë 1983, “Ismail Qemal Bej Vlora”, Shqipëria dhe shqiptarët”, përgatitur për botim dhe plotësuar me shënime nga Darling Vlora, Tiranë 2008 etj.)
Dihet po ashtu se dy anije ushtarake greke e mbanin të bllokuar portin e Vlorës dhe se tri të tilla rendën drejt Durrësit. Nënkonsulli austro-hungarez në Durrës, Rudnay, sipas librit “Shqipëria në dokumentet austro-hungareze, 1912”, me autorë Marenglen Verli dhe Ledia Dushku, në 22 nëntor, i dërgoi ministrit të tij të Jashtëm, kontit Berchtold, një telegram shifër, në të cilin i komunikonte: “Tri luftanije greke hodhën çengelat para gjirit të Durrësit, mbrëmjen e djeshme. Sot në mëngjes u kthye vapori “Wurmbrand”. Ai ishte nisur dje në drekë në Kepin e Rodonit për të marrë në dorëzim 15 pasagjerë të vaporit “Bryn”, sipas urdhrit telegrafik të drejtorisë së Lloyd-it. Menjëherë, një oficer grek shkoi në vapor, por nuk e pengoi të kalonte. Më pas luftanijet u nisën drejt jugut.
Une besoj se veprimi i mësipërm ka ndodhur si rezultat i kapjes së urdhrit telegrafik të drejtorisë së Lloyd-it në Antivar. Unë nuk bëra ndonjë protestë për sjelljen në vapor sepse supozova që Shkëlqesia Juaj kish dijeni”.
Kjo që shkruante me kod të fshehtë nënkonsulli u vërtetua të nesërmen, më 23 nëntor, kur kolegu i tij në Athinë, ministri fuqiplotë baroni Braun, i referoi Vjenës se “Nën mbishkrimin “Vaporët e Lloyd-it austro-hungarez shkelin neutralitetin”, gazetat e sotme greke botojnë lajmin mbi mbërritjen të mërkurën mbrëma të Ismail Qemal beut, në Durrës, me vaporin “Bryn”. Theksohet se sipas intenerarit, vapori që vinte nga Triestja nuk duhej të hynte në Durrës. Zbarkimi i të përmendurit së bashku me shoqëruesit dhe arkat plot me armë e të holla, është kryer me varkat e vaporëve të Lloyd-it që ndodhen në Durrës. E gjitha sa më sipër është bërë nën interesimin e qeverisë perandorake dhe mbretërore (austro-hungareze-shënimi i autorëve të librit “Shqipëria në dokumentet austro-hungareze, 1912”).
Gjithashtu gazetat njoftojnë se gjatë tre javëve të fundit, vaporët e Lloyd-it kanë bërë afrime të dyshimta në drejtim të Durrësit”.
Ja edhe fraza e fundit e telegramit shifër të baronit Braun për shefin e tij, kontin Berchtold: “Lajmet e mësipërme rreth zbritjes së Ismail Qemal beut së bashku me shoqëruesit e tij dhe me shumë valixhe, m’i ka vërtetuar një pasagjer i vaporit “Bryn”, i njohur prej meje. Rolin e ndërmjetësit mes Qemalit dhe drejtorisë së Lloyd-it e paska marrë përsipër këshilltari i legatës, zoti Rakovscky”.
Megjithatë gazetat greke, të cilave lajmin ua pati dërguar të ngrohtë vetë Ministria e Jashtme e Athinës, nuk shkruajnë për një hollësi që do ta vinte qeverinë e tyre në vështirësi: kontrolli i oficerit grek kryer në vapor kur ai ndodhej në ujrat e gjirit të Durrësit, edhe pse e dinte se të pesëmbëdhjetë ardhësit me mision pavarësimin kishin me vete pushkë “Mauzer” dhe mjaft municion, kaloi pa asnjë problem. Ai mbylli një sy.
Ndërkohë ngjarjet ecën, të patrazuara, edhe më tej. Dihet që në ceremoninë e pritjes së Ismail Qemal Vlorës u krye takimi me të nga paria e Durrësit, e cila i shkoi në bord të anijes. Po ashtu mytesarifi i qytetit e priti në molo, ku megjithëse ishte mëngjes, qe mbledhur një shumicë e madhe populli si edhe një repart rezervistësh i rreshtuar nën komandën ceremoniale “Me nder armë!”
Siç shkruan në librin e tij “Historia e Durrësit 1900-1939” Sali Hidri, ndërsa Ismail Qemalit iu sigurua strehimi i mbrojtur në banesën e Dom Nikollë Kaçorrit (ekzistonte shqetësimi mos ai helmohej nëpërmjet ushqimit dhe prandaj gjellët për të u gatuan në shtëpinë e patriotit Abaz Çelkupa), ky po atë ditë të 21 nëntorit organizoi një mbledhje. Sipas botimit të Darling Ismail Vlorës për stërgjyshin e tij “Menjëherë pas mbërritjes u konsultua me partiotë durrsakë dhe vendosi që të nesërmen në 22 nëntor të mbahej një mbledhje e përgjithshme ku të diskutohej çështja e shpalljes s pavarësisë. Ajo mbledhje e përfaqësuesve të popullti durrsak u mbajt paraditen e 22 nëntorit në hotelin “Costandinopoli” që ndodhej në breg të detit…Dëshira e Ismailit që kuvendi themelues të mbahej në Durrës u kundërshtua fort nga autoritetet osmane dhe sidomos nga peshkopi grek Jakovi”. Sipas Sali Hidrit, “Duke parë se kjo përpjekje për në Durrës po dështonte dhe se serbët po afroheshin, pa humbur kohë vendosi nisej për në Vlorë”.
Pikërisht në këtë mbrëmje të 22 nëntorit, pak orë nate para se Ismail Qemali me të vetët, të shtuar tashmë në numër, të niste rrugëtimin, drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë u nis një telegram i shifruar tepër urgjent. Autor kishte sërish të njëjtin informator të shpejtë dhe të saktë: nënkonsullin Rudnay. Mesazhi i koduar qe trasmentuar, si edhe të parët, nga vapori “Konti Wurmbrand”. Ky ende qëndronte në gatishmëri ndihme në ujrat e gjirit.
Teksti i shifruar nr. 4568 i nënkonsullit austro-hungarez ishte: “Durrës, më 22 nëntor 1912
Nr. 4568
Tel. Nr. 129
“Sot i bëra një vizitë Ismail Qemal beut me rastin e festës së Bajramit. Shpresoj që nesër të niset për në Vlorë. Abdi Beu, Refik bej Toptani, Dom Nikoll Kaçori dhe personalitete të tjera prej Durrësi do të shkojnë së bashku me të….”
Festimi i Kurban Barjamit pati qenë në 18 nëntor, rit mysliman i nisur një muaj më parë. Mbetet temë interesante se si ka ngjarë që në kujtimet e tij Ismail Qemal Vlora nuk shkruan asnjë rradhë nëse e ka përjetuar, qoftë edhe një çast, këtë festë shumë të përhapur mes shqiptarëve atë kohë. Njëkohësisht të mos harrojmë se tërë shoqëruesit e tij, bashkëpunëtorët e ardhur nga kolonia e mërgimtarëve bashkëkombës në Rumani e deri tek krahu i djathtë i atij udhëtimi-mision, Luigj Gurakuqi, qenë të krishterë, katolikë si edhe shumica ortodoksë.
Në telegramin e tij shifër nënkonsulli austro-hungarez në Durrës vijon: “Ismail Beu m’u lut t’i parashtroj Shkëlqesisë Suaj falënderimet e tij për besimin dhe t’u njoftoj se, me anën e një telegrami privat, ai i ka telegrafuar të gjithë qyteteve të Shqipërisë për të dërguar delegatë në Vlorë. Në bazë të përgjigjeve të marra, tanimë ai është i sigurt se atje kanë për t’u mbledhur delegatët e shumicës së qyteteve të Shqipërisë. Prej Dibre, Isa Boletini ka siguruar pjesëmarrjen e tij. Është ftuar edhe kapedani i Mirditës”.
Më tej: “Ismail Qemali është shumë i rezervuar në deklarata. Mbështetur në instruksionet e Shkëlqesisë Suaj, unë i evitova bisedat politike. Kaçorri më njoftoi se Ismail Qemal beu i ka bërë me dije se do të proklamojë pavarësinë e Shqipërisë dhe do të krijojë një qeveri provizore. Po ashtu, ai ka ndërmend t’i shkruajë Esad pashë Toptanit në Shkodër, që pas proklamimit të pavarësisë, ai të ngrejë flamurin kombëtar shqiptar”.
Një detaj, i cili nuk duhet harruar: shkruhet në telegramin e koduar: “Sado që këtu…, janë të bindur për qëllimin e mësipërm të Ismail Qemalit, edhe fanatikët po mbajnë një qëndrim të qetë”.
Sali Hidri tek libri “Historia e Durrësit”, por edhe në botime të tjera, rrëfen shumë hollësisht se pas largimit të Ismail Qemalit për në Vlorë dhe porosisë së tij që në Durrës dhe në të gjitha qytetet shqiptare, për të ndalur pushtimin serb, të ngrihej flamuri kombëtar, ky aksion në qytetin e madh port u vu në jetë në 26 nëntor 1912 në ndërtesën qeveritare të prefekturës nga kryetari i bashkisë Hafiz Ali Podgorica.
Pas kësaj, shkruan Hidri që një dekadë më parë, iu dërgua një telegram konsullatës austro-hungareze në Durrës. E kishin nënshkruar 22 qytetarë. Midis tyre qe edhe stërgjyshi i Edi Ramës, kryeministrit të sotëm, rival i madh i Sali Berishës. Quhej Kristaq Rama. Qe oficer i doganës, veprimtar kombëtar i spikatur.
Telegrami ishte në turqisht. Të përkthyer nga osmanologë një bashkëkombës nga shqiptarët jashtë vendit, Eqrem Zenelaj, i pasionuar pas organizimit të një ekspozite me rastin e 100-vjetorit të pavarësimit, ia paraqiti gjetjen e tij kryeministrit të këtyre çasteve, Sali Berisha, si edhe më pas shtypit. Sipas tij lënda e telegramit në gjuhën turke është “Macaristan Devleti fahriyesinin Draç Konsulatuna Ilân
Hiç bir devlete tâbi olmayarak simdi Istiklal edildi. Hukûki Serbiye-i müstekilemizi ayaklar altina alinmasi içün lütfen muhâfazamizi istidâ- ü istirhâm ediriz ol bâbde. Fi 13/14 tesrin-i sânî, sene 1328 ».
Në shqip kjo donte të thoshte : “Konsullatës së Shtetit të ndershëm të Austro-Hungarisë në Durrës.
Shpallje
Duke mos iu nënshtruar asnjë shteti, tani u bë Pavarësia. Andaj në këtë cilësi ju lutemi me përgjërim që ta mbroni sovranitetin tonë që të mos nëpërkëmbet nga qeveria e Serbisë.
Më 26/27 nëntor të vitit 1912”.
(vijon)