Nga Ilir Seci
I ftohti i ketyne ditëve në New York mi kujtoi dimnat në Malsi. Ma kujtoi ate të ftohtin idhnak, atë të ftohtin që për njaq udhë sa ishte prej tu kroni e deri tu kulla, e bante me u mbulue në akull buljerën,(burinë)… Plot raste me kujtohet se si zgjateshin hej akulli në ane të buljerës e duhej me e lanë ngat oxhakut për me u shkri…
Përjashta bante ftohtë boll por mbrenda kullave jo, sepse malësoret me përvojën e tyne jetësore i kishin përshtatë kullat që me kenë sa ma të nxehta dimnave. Muret e kullave baheshin me gur, muri ndërtohej me harasan, nji përziemje zalli të lumës me qireç, (gëlqere), gëlqere e pjekun shumë vjet përpara, që ishte shkimë kadalë-kadalë për shtatë vjet. Shpiat e forta e lanshin qireçin me u shkimë deri në 12 vjet. Muret baheshin si mure fortesash, bash si kala.
Ndarjet e mbrendshme baheshin me çatma ose me gardh të thurun me mjeshtri e mbi to bahej suvatimi. Suvatimi kishte dy duer, dora e parë me zall shpati, zall i lubardhëm, përzie me ujë e qireç, ndërsa dora e dytë i jepej me zall lume të situn, zall i imët turzue me ujë e qireç. Shtroja e odave për disa oda bahej me dhe të shtypun me tokmak e në tjera oda me drrasa, drrasa pishe, mreji, (bredhi), kajherë edhe kshtaje. Mbloja e odave bahej me drrasa pishe se ishin të lehta, nga nxehtesia e odës dilte rrshina jashta drrase dhe i jepte ere të mirë tanë kullës.
Ndarja me çatma ba me bujashka ose me thupra e bante shpinë të shëndetshme, harasani prej rane e qireçi e thithte lagshtinën dhe nuk bante vaki najherë me u çue në mjes e gjetë muret e djersituna nga lagshtina si ndodhte në apartamentet që baheshin me parafabrikate. Te njajtën gja, si në kulla, e kam pasë vërejtë në shpiat e vjetra në qytetin e Shkodrës kur kam jetue në aso shpiash. Mure të trasha guri, ndarje me çatma e harasan, verës shpiat ishin te fresketa e dimnit ruejshin nxehtësinë…
Interesant se edhe këtu në New York City, kam jetue në apartamente të ndërtueme në vitet ‘20 dhe kur me asht dashtë me ba punime në to, kam pa se ndamjet ishin me çatma druni, njisoj si te na. Pa përjashtim, në New York të tana ndertesat që quhen “Ndërtesa të para Luftës së Dytë”, (Pre-war buildings), janë të ndame ashtu.
Mbas viteve ‘50 në Amerikë filluen me përdorë materiale tjera, por prapë materiale që ruejnë shëndetin dhe asnjiherë beton.
Kurse te na mbas Luftës së Dyte Botnore nisën ndërtimet me çimento e blloqe parafabrikate që e kthenin shpinë në bunker. As mbante freskun verës dhe as ruente të nxehtit dimnit. Tradita u thye për keq, njerëzit braktisën metodat tradicionale të ndertimit, lanë kullat prej guri, druni e harasani për beton e paraabrikate. Ndrruen traditën në emen të përparimit njisoj si ndrruen veshjen tradicionale, pantollonat prej leshi e kmishat e fanelatës, me pantollona teritali e kmisha sejloni dhe mbrapa u kërcitshin dhambët prej ftohti si me qenë makinë shkrimi.
Sa keq asht kur një traditë e dobishme shekullore, zëvendësohet pa ma të voglin hezitim me mënyra të paprovueme ma parë…
(Në foto Kulla e Mic Sokolit në Fang te Bujanit, Krasniqe.)