“Kur të keni nevojë të mësoni se si bëhet poltikë e mirë, pozitive dhe me vizion ejani se jua mëson PDIU, por kemi një kusht na citoni”
Deputetja e PDIU-së Mesila Doda ka reaguar, pasi deputetët Blushi e Hafizi shpallën nismën për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Këtë nismë e ka ndërmarrë PDIU-disa muaj më parë dhe e ka paraqitur në Kuvend si amandament. Mesila Doda shpjegon se si nisma e PDIU-së është kopjuar nga deputetët Blushi e Hafizi, duke e sqaruar se është një kopje e bërë keq. Mesila Doda shpreh zhgënjimin e saj për sjelljen e dy kolegëve duke theksuar se kishte komunikuar më herët me zonjën Hafizi, të cilës i kishte vënë në dispozicion amandamenet e PDIU-së. Sipas Dodës, Blushi e Hafizi e kanë kopjuar këtë amandament, ndërkohë që ju është bërë thirrje t’u bashkoheshin nismës së bërë konkrete prej gjashtë muajsh nga PDIU. Përmes një deklarate Mesila Doda jep detajet e komunikimit me Hafizin dhe se si e kopjuan ata amandamentin e PDIU-së.
Deklarata
Përfundimisht politika shqiptare, edhe ai segment që mëton të shfaqet si risi, del më i përçudnuar se pjesa më e keqe e politikës tradicionale. Jam më shumë se e habitur dhe thellësisht e zhgënjyer me propozimin e sotëm të iniciuar nga një grup deputetësh, mes të cilëve dhe kolegët Hafizi e Blushi si iniciatorë të kësaj inisiative, pasi ngjarja po merr formën e pastër të një kopje të bërë keq, të një plagjature të pastër të iniciativës së PDIU-së bërë këtu e 6 muaj më parë.
Pas propozimit të bërë për President nga populli komunikova me kolegen time Hafizi, me të cilën më lidh një histori e përbashkët suksesi në fuqizimin e gruas në politikë dhe i shpjegova që është një amendament i depozituar tashmë në Parlament nga PDIU dhe do mund ta çonim përpara, nëse do i shtohej edhe mbështetja e tyre pranë Komisionit të Reformës Kushtetuese. Më kërkoi materialin e depozituar prej nesh dhe ja nisa me shpresë se do mund të na bashkoheshin edhe zëra të tjerë në një propozim kaq të rëndësishëm…. Sot shoh e habitur që propozimit të tyre të vjetër i është shtuar edhe një nen tjetër që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës me firma nga populli, kërkesë edhe kjo që bën pjesë në propozimet tona…këtu unë jam pa fjalë…plagjaturë e pastër që i shtohet plagjaturës së parë dhe pa minimumin etik, as të njoftimit për atë që morën nga materiali i PDIU. Gjatë karrierës sime në politikë kam parë shpesh akte të shëmtuara e mediokre në politikë, por nuk e imagjinoja kurrë që këtë ta shkruaja për një grup njerëzish qe vijnë në emër të ndryshimit të politikës e për disa, prej të cilëve kam ushqyer respekt më shumë se i zakonshmi. E kuptoj që talenti nuk është dhunti që e kanë të gjithë, ndërsa kopjaceria akt etikisht i papranueshëm, por që mund ta ushtrojë gjithkush që don të arrijë në tronditjen publike dhe marrjen më çdo kusht të një suksesi, në këtë rast të një pjese njerëzish dhe votuesish. Por, ka një rregull në botën akademike dhe në këtë tonën…vëri poshtë emrin e vërtetë idesë së paraqitur.
PDIU do vazhdojë të sjellë vizionin e saj në skenën politike shqiptare, vizion që për fat të mirë sot po tregohet largpamës e i suksesshëm. Folëm për referendum të parët dhe depozituam një akt zyrtar, sot gjithë klasa politike dhe ndërkombëtarët flasin për referendumin si e vetmja mundësi për të zgjidhur nyjen gordiane, ku ka ngecur Reforma në Drejtësi. Folëm për mosndryshimin e nenit që i hap rrugë ndryshimit të Kodit të Familjes,… sot këtë kërkesë e kanë përqafuar shumica e deputetëve të Parlamentit dhe opinionit publik. Kërkuam mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës me firma nga populli dhe ja ku e kemi edhe këtë sot kërkesë të një grupi deputetësh, kërkuam zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe ja ku erdhi dhe ky propozim i shitur si risi që do “trondisë” sistemin…thënë ndryshe, kur të keni nevojë të mësoni se si bëhet politikë e mirë, pozitive dhe me vizion ejani se jua mëson PDIU. Kemi vetëm një kusht, vini poshtë emrin nga ku e keni marrë, thjesht për ndershmëri intelektuale, pasi PDIU nuk e ka këtë problem, sepse është mësuar me arrogancën hipokrite të të vegjëlve që veshin bluza partish të mëdha.
P.S. Kemi kërkuar edhe një zonë zgjedhore për diasporën. Futeni edhe atë po e patët me merak….