Deutsche Welle: Zoti Kryeministër, erdhët në Berlin me ftesë të kancelarit Olaf Scholz, sepse Gjermania ka vendosur t’i japë një impuls procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, nisur dhe nga dinamika e krijuar aktualisht nga Lufta e Ukrainës. Procesi i Berlinit, është një proces që e ka filluar kancelarja Angela Merkel, por që nuk ka patur shumë rezultate konkrete. A mendoni ju se kjo është rruga e duhur për të ofruar Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Europian?
Albin Kurti: Unë isha i nderuar që mora pjesë në takim me kancelarin Scholz me ftesën e tij këtu në kancelari, ku për herë të parë u takuam. Ishte kënaqësi që konfirmuam se ndajmë vlera të përbashkëta. Bashkimi Europian dhe NATO-ja e kanë Gjermaninë një aleat strategjik për Republikën e Kosovës dhe ne jemi të bindur që Procesi i Berlinit me rienergjizimin e tij nëpërmjet kancelarit të ri, Olaf Scholz, është lajm i mirë për secilin vend të Ballkanit dhe në veçanti për Republikën e Kosovës. Ne kemi diku çdo të tretin qytetar të Republikës që nuk banon në territorin e Republikës, por në Evropën Perëndimore, sidomos në Gjermani. Marrëveshjet tona do të shtohen, bashkëpunimi ynë ekononmik dhe tregtar po ashtu, dhe besoj që edhe në Bashkimin Evropian edhe në Procesin e Berlinit na presin ditë të mira si Republikë e Kosovës.
Një nga elementet e Procesit të Berlinit është Tregu i Përbashkët Rajonal, për të cilin janë zotuar liderët e Ballkanit Perëndimor, por deri tani nuk është vënë në zbatim. Çfarë duhet të ndodhë që Ballkani Perëndimor të bashkëpunojë më mirë?
Tregu i Përbashkët Rajonal është thelb i Procesit të Berlinit. Jo zëvendësim për BE-në, por si përgatitje për të. Për t’u realizuar Tregu i Përbashkët Rajonal duhet që Serbia t’i pranojë dokumentet e Kosovës dhe në këtë mënyrë të mundësohet lëvizja e katërfishtë që paraqet vlerë të Bashkimit Evropian. Unë besoj që është koha e fundit që mbi Beogradin të bëhet trysnia që t’i pranojë dokumentet e Kosovës dhe në këtë mënyrë të qarkullojnë lirshëm kapitali e shërbimet e njerëzit dhe bashkarisht t’i afrohemi Bashkimit Europian.
Ju kërkoni që dokumentet të kenë brenda termin “Republikë e Kosovës”. Nuk jeni i gatshëm, që të bëni aty një lëshim të vogël, qoftë për t’i dhënë shtysë bashkëpunimit?
Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, kur jemi çliruar e as para vitit 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë, as para vitit 2010 kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar Shpalljen e Pavarësisë dhe as para vitit 2012, kur ka përfunduar mbikëqyrja ndërkombëtare e Pavarësisë së Kosovës. Dokumentet janë të Repulikës dhe ato duhet të pranohen si të tilla, por le të mos harrojmë që Sllovakia, Greqia dhe Rumania nuk e pranojnë shtetin tonë ende – shpresoj që kjo të ndryshojë së shpejti – por edhe kanë zyrë të tyre në Prishtinë dhe i pranojnë që të gjitha dokumentet. Pasaporta ime pranohet nga Greqia, Rumania dhe Sllovakia, e nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Europian, së paku, si hap i parë le t’u bashkohet vendeve mosnjohëse që, siç dihet, janë pakicë.
Kaluam kështu vetiu te dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Zoti Scholz ju ftoi ekstra për të zhvilluar edhe një bisedë në prani të presidentit Vuçiç dhe negociatorit Lajçak. Çfarë mund të dalë prej këtij takimi?
Prania dhe pjesëmarrja ime në takim dhe aktivitetet këtu në Berlin, natyrisht nuk ishin vetëm për takimin me kancelarin Olaf Scholz, por edhe me ministren e Jashtme, zonjën Annalena Baerbock, por edhe një takim tjetër trepalësh me Presidentin e Serbisë dhe ndërmjetësin e BE-së, zotin Lajçak. Unë besoj që dialogu duhet të jetë parimor, i balancuar, simetrik, me rezultate që dëshmohen se janë të tilla për t’i sjellë përfitime qytetarëve pa dallim, por gjithashtu edhe rezultatet, të cilat i kanë brenda vlerat e BE-së. Demokratizimin, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, ballafaqimin me të kaluarën, reciprocitetin, e kështu me radhë.
A shihni ju një pengesë, që ju, që e shikoni veten si lider modern e demokratik i Kosovës, të gjeni një gjuhë të përbashkët me presidentin aktual të Serbisë, Vuçiç?
Nuk është kollaj, për shkak se për dallim nga Serbia, Kosova është vend demokratik. Ka demokraci cilësore. Në vendin tonë opozita mund t’i fitojë zgjedhjet. Dhe kemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Kosova është dëshmi që zhvillimi ekonomik dhe demokracia institucionale e shoqërore shkojnë bashkë me njëra-tjetrën. Unë uroj që në Serbi të ndryshojë qasja, të mos jenë të rreshtuar sikurse deri më tani me Kremlinin zyrtar, që bëri agresion ushtarak të pajustifikueshëm dhe invazion të paprovokuar në Ukrainë dhe uroj që edhe Serbia t’ia vendosë sanksionet Rusisë dhe të distancohet në të tashmen nga Putini e për të kaluarën e saj të distancohet nga Millosheviçi.
Nga ana tjetër Serbia është një vend i fuqishëm që ka edhe lëndë të para, për të cilat ka nevojë Perëndimi ose Bashkimi Evropian. Pra, Serbia mund të kërkojë pjesën e vet. A jeni ju i gatshëm që të pranoni Asociacionin e Komunave Serbe, siç është parashikuar në vitin 2013?
Dialogu parimor duhet të sjellë marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, e cila e ka në qendër njohjen reciproke. Jo njohjen reciproke në fund të një procesi që është stërzgjatë, siç ka qenë në dekadën e shkuar, por njohje reciproke në qendër të marrëveshjes, e cila i normalizon raportet, kur Kosova është shtet normal, mirëpo raportet me Serbinë nuk i ka normale dhe ato duhet t’i normalizojmë. Unë nuk besoj që Bashkimit Evropian i nevojitet Serbia, sa i nevojitet Serbisë Bashkimi Europian. Pra, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të marra së bashku e kanë popullsinë sa e Holandës, ndërkaq të kombinuar bruto-produktin vendor e kanë sa Sllovakia. Por Ballkani Perëndimor, i inkuadruar në Bashkimin Evropian e zvogëlon për tremijë kilometra kufirin e jashtëm që është mirë për sigurinë, por që besa edhe i bashkon familjet, meqënëse nuk ka familje, jo vetëm në Kosovë, por, do të thosha edhe në Ballkan, që nuk e ka një anëtar së paku në Europën Perëndimore.
Ballkani vazhdon të ketë provokime nga ana e Rusisë. Ju keni folur për luftë hibride. A shihni ndonjë rrezik që kjo luftë hibride të kthehet në luftë reale edhe në Ballkan?
U dëshmua që lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, por e përgatit atë, dhe, në anën tjetër, gjithashtu u dëshmua që vendet autokratike, kur blejnë armatim, këtë nuk e bëjnë për parada ceremoniale ushtarake, por e bëjnë pikërisht, për ta përdorur atë armatim në luftën agresore kundër fqinjëve. Andaj, jemi shumë të kujdeshëm, e shumë vigjilentë, po e ndjekim se çfarë ndodh atje, afër tre për qind e brutoproduktit vendor bëhet për investime dhe shpenzime për ushtri, me ç’rast blejnë armatim, ose marrin donacione nga Rusia, Bjellorusia dhe Kina, dhe rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë, tashmë janë 48 baza ushtarake, të cilat e rrezikojnë sigurinë dhe paqen në vendin tonë, Mirëpo me kapacitetet tona shtetërore, me faktin që ndonëse nuk jemi në NATO e kemi NATO-n në Kosovë, dhe ndonëse nuk jemi në Bashkimin Evropian edhe Bashkimin Evropian e kemi të integruar në Kosovë ne megjithatë jemi të sigurt.
Por, në fqinjën tonë veriore, në Serbi, dihet që Gazpromi ka shumicën e aksioneve në industrinë e naftës. Në Nish është qendra humanitare ruse, dhe ata kanë marrëveshje të tregtisë me Federatën Ruse dhe janë pjesë e Unionit Euroaziatik Ekonomik, që udhëhiqet nga Moska. Pra, lidhjet i kanë të shumëfishta, i kanë të thella, dhe unë mendoj që Bashkimi Europian dhe NATO-ja duhet të jenë të kujdesshëm që të mos lejojnë më që Serbia të ulet në tri-katër karrige. Në të njëjtën kohë duhet ta vlerësojnë kontributin e Kosovës, e cila nuk ka alternativë tjetër dhe nuk do të ketë kurrfarë projektesh paralele përveç BE-së dhe NATO-s./DW