Krerët e disa organeve të rëndësishme të drejtësisë i kanë kërkuar Parlamentit ndryshimin e ligjeve kryesore të drejtësisë së re, të miratuara në vjeshtën e vitit 2016, pas ndryshimeve Kushtetuese. Sipas Report Tv ndryshimet ligjore janë kërkuar nga kreu i SPAK-ut Arben Kraja, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, Inspektori i Lartë të Drejtësisë Artur Metani, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Alfred Balla si nga kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami.
Nisur nga problematikat e konstatuara në praktikë gjatë zbatimit të reformës në drejtësi gjatë 7 viteve, krerët e organeve të drejtësisë kanë propozuar ndryshime në ligjore në tre ligjet bazë; ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, në ligjin për SPAK si dhe në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, miratuar në vitin 2016. Krerët e drejtësisë i kanë propozuar Kuvendit gjithashtu nevojën për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, Kodin e Procedurës Civile, Kodin Penal, miratuar në vitet 1995-1996, por që janë ndryshuar me dhjetëra herë gjatë viteve.
Krerët e drejtësisë kërkojnë gjithashtu nga Kuvendi ndryshimin e ligjit për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, miratuar në vitin 2012 nën presionin e fortë të Brukselit. Ndryshimet konkrete do të paraqiten në një paketë të veçantë, bashkë me analizën për domosdoshmërinë e miratimit nga Kuvendit.
Ndërkaq, përfaqësuesit e mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, janë duke shqyrtuar nevojën ose jo për ndryshimin e ligjeve të drejtësisë. Megjithatë, ndryshimet e kërkuara në 7 ligje, kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, ku si rrjedhojë kushtëzohen nga votat e Partisë Demokratike, e cila tashmë pothuajse kontrollohet nga Sali Berisha, i cili ndryshe nga Lulzim Basha, është një kundërshtar i përbetuar i reformës në drejtësi, bashkë me Ilir Metën.